Ndërlidhjet

"Procesi farsë dhe krimi i pandëshkuar"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Gazetat e sotme sjellin reagime mbi dënimin që iu shqiptua nga Gjykata Speciale në Beograd të akuzuarve për vrasjen e 48 civilëve shqiptarë nga Suhareka.

Duke e cilësuar si proces farsë, e përditshmja “Kosova sot” shkruan se fajtorët kryesorë për krimet që i bënë ndaj shqiptarëve të Kosovës, mbesin të pandëshkuar, ndërsa proceset gjyqësore që zhvillohen në Beograd, janë thjesht sa për sy e faqe dhe për t’i hedhur hi syve opinionit publik.

Lirimi i katër të akuzuarve është rrjedhojë e falsitetit të drejtësisë së Serbisë që jep vendime skandaloze për proceset që lidhen me luftën në Kosovë, shkruan “Kosova sot”.

Tutje, kjo gazetë vlerëson se ndërsa skandale të tilla ndodhin në Beograd, kryeqytetin të cilin Brukseli dëshiron ta afrojë, për familjarët e të vrarëve nuk ka edhe më tej një shpagim nga drejtësia.

“Express” njofton se familjarët e viktimave dhe Natasha Kandiq janë zhgënjyer me drejtësinë e shtetit serb.

Ndërsa, e përditshmja “Epoka e re” e vlerëson aktgjykimin si skandaloz. “Infopress” shkruan se Beogradi ledhaton krimin dhe tregon se nuk dëshiron të vë drejtësi në rastin e shqiptarëve.

Në një editorial që mban titullin: “Emri i lojës kush është me i dobëti”, “Zëri” analizon zhvillimet politike në Kosovë, praninë e misioneve të ndryshme ndërkombëtare dhe dëmet që i ashtuquajturi neutralitet ndaj statusit, po i shkakton vendit.

Ndër problemet kryesore në raportet Kosovë – faktor ndërkombëtar, që vë në pah “Zëri”, është mungesa e fuqisë së duhur të shefit të ICO-së, Pieter Feith. “Zëri” shkruan se Kosovës, fuqizimit të saj ndërkombëtar i duhet një përfaqësues civil ndërkombëtar dhe një emisar i BE-së i fortë.

Ndërsa, lidhur me kërkesën e Prishtinës që të largohet UNMIK-u, “Zëri” vlerëson se kjo kërkesë duhet drejtuar direkt Ban Ki Moonit, e jo Lamberto Zannierit.

Duke mbetur te kjo temë, e përditshmja “Koha ditore” citon burime diplomatike në Nju Jork të kenë thënë se nuk do të ketë largim të UNMIK-ut pa konsensus në Këshillin e Sigurimit.

“UNMIK-u është pjesë e agjendës së KS të OKB-së, por specifikat se si adresohen gjërat në agjendë, kërkojnë konsensusin e shteteve anëtare. Deri tash, kjo çështje nuk e ka përmbushur këtë rekuizitë, citon “Koha ditore” zyrtarë nga Nju Jorku.

Nga ana tjetër, e përditshmja "Lajm", në një shkrim që mban titullin “Kryetarë me korrespondencë”, shkruan se kryetarët e tri komunave të Kosovës, Iliaz Pireva që drejton Podujevën, Bajrush Xhemajli Ferizajn dhe Qemajl Mustafa Gjilanin, i udhëheqin ato duke jetuar në Prishtinë.

Secili prejt tyre, shkruan “Lajm”, thotë se është i suksesshëm, pavarësisht se ku e bën gjumin. Kur nuk janë në komunën që e drejtojnë, komunikojnë me telefon me drejtorët e drejtorive, për të mos shkuar ndonjë gjë gabim, shkruan tutje gazeta. “Lajm” thekson se përveç tyre ka edhe të tjerë kryetarë që nuk jetojnë në komunën që e drejtojnë, por kur janë pyetur e kanë mohuar një gjë të tillë.
XS
SM
MD
LG