Ndërlidhjet

Rrugëtimi drejt institucioneve monetare


Selia e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Selia e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Ekspertë për çështje ekonomike në Prishtinë konsiderojnë se Kosova së shpejti do të jetë anëtare e FMN-së dhe Bankës Botërore. Por, ata pohojnë se janë dhe disa kritere që Kosova duhet t’i përmbushë.


Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se Kosova i ka përmbushur kriteret për t’u bërë pjesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore, megjithëse, sipas tyre, ka ende punë për t’u bërë në këtë drejtim.

Eksperti Muhamet Sadiku shfaq bindjen se Kosova brenda vitit 2009 do të anëtarësohet në këto dy institucione ndërkombëtare financiare.

“Unë, me sa e di, ekziston një gatishmëri politike ndërkombëtare që Kosova në këtë vit të bëhet anëtare e barabartë në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe më pas Kosovës do t’i hapen mundësitë e mëdha, që për një periudhë relativisht jo të gjatë, pas disa muajsh, gjithashtu do të bëhet pjesë përbërëse e Bankës Botërore, me të cilat anëtarësime, ta quaj, Kosova krijon kapacitete të duhura për vendosjen e një partneriteti ndërkombëtar me institucionet ndërkombëtare në përgjithësi”,
tha Sadiku.

Sipas zotit Sadiku, Kosova i ka plotësuar pothuajse të gjitha kriteret e nevojshme për t’u anëtarësuar në FMN dhe në Bankën Botërore, por, përkundër këtij fakti, siç thotë ai, mbeten edhe disa punë për t’u përfunduar.

“Më së miri është reflektuar në raportin e Komisionit Evropian, i botuar në vitin e kaluar, me ç’rast është vlerësuar progresi që ka bërë në disa segmente të caktuara - në aspektin e lëvizjes së lirë të mallrave, të liberalizimit të tregtisë, në kuptim të ndjekjes së një kursi të reformave strukturore. Kuptohet se Kosova vërtet ka punë për të bërë, por puna që duhet bërë, sigurisht që po bëhet me institucionet financiare ndërkombëtare”, u shpreh Sadiku.

Por, qëndrim tjetër ka eksperti Safet Gërxhaliu, duke thënë se anëtarësimi i Kosovës në FMN dhe në Bankën Botërore është një proces që kërkon ende kohë. Ai shpreh bindjen se Kosova do të anëtarësohet së shpejti në këto institucione, vetëm po qe se ky proces, siç thotë ai, merr konotacione politike.

“Shqetësues është fakti se sa janë institucionet tona të përgatitura për një ballafaqim me sfidat e kërkuara nga FMN-ja dhe Banka Botërore, sa është legjislacioni aktual dhe situata politike dhe financiare stabile, dhe sa janë vizionet në këtë drejtim ato që premtojnë një sukses në këtë anëtarësim - është diçka diskutabile. Si duket, shumë procese nuk mund të merren apo analizohen vetëm nga këndvështrimi ekonomik, sepse marrin konotacion politik. Dhe, në shumë procese, politika është vendimmarrëse - atëherë me siguri Kosova do të anëtarësohet”, theksoi Gërxhaliu.

Zoti Gërxhaliu shprehet skeptik sa i takon punës së bërë nga ana e institucioneve të Kosovës lidhur me anëtarësimin e vendit në FMN.

“Nuk besoj që është bërë një punë e madhe në këtë drejtim. Nuk mjafton të shkëmbehen vetëm letra dhe e-maila të komunikimit. Duhet një kornizë e mirëfilltë e komunikimit, politika të mira të komunikimit, por prapë po e them se ngjyra politike dhe të menduarit politik do të jenë fitimtarë”, tha Gërxhaliu.

Delegacioni i Kosovës do të marrë pjesë në sesionin pranveror të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Uashington, ka njoftuar Qeveria e Kosovës. Tema kryesore do të jetë anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore. Përfaqësuesit e Kosovës do të qëndrojnë më 25 dhe 26 prill në Uashington me ftesë të FMN-së dhe Bankës Botërore.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG