Ndërlidhjet

Mospajtime mes serbëve për decentralizim


Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk kanë një qëndrim në lidhje me decentralizimin e pushtetit lokal. Qëndrimet e serbëve shkojnë nga refuzimi absolut i këtij plani e deri te pranimi i tij me kushte.


Serbët e Kosoëvs janë të ndarë në lidhje më njërin nga projektet nga i cili vlerësohet se përfiton shumë komuniteti serb - decentralizimin e pushtetit lokal.

Së fundi, disa politikanë serbë kanë propozuar që decentralizim të ketë, por jo duke marrë për bazë Pakon e Ahtisaarit. Për më tepër është propozuar që Këshilli i Evropës të jetë mekanizmi që do drejtojë këtë proces.

Por, ka nga ata serbë të Kosovës që pranojnë reformimin e pushtetit lokal në bazë të Planit Ahtisaari.

Njëra nga ta, nënkryetarja e Këshillit Kombëtar Serb për Kosovën, Rada Trajkoviq, mendon se decentralizimi është një proces që u duhet serbëve.

“Unë konsideroj se për ne është me rëndësi që të pranohet realiteti në terren dhe kjo nënkupton që në të gjitha ato mjedise, ku kanë mbetur serbët, të kenë rastin e kontrollit territorial të asaj pjese nga njëra anë dhe të krijohen komuna aty ku plotësohen kushte për këtë gjë. Ndërsa, në ato vende ku nuk plotësohen këto kushte, të marrin ndonjë formë të vetëqeverisjes, e cila nënkupton bashkësi lokale, por gjithsesi me financimin e atyre aktiviteteve”.

“Njëkohësisht, presim që Kisha Ortodokse Serbe do t’i pranojë zonat e mbrojtura për objektet e saj dhe objektet të trashëgimisë kulturore”, thotë Trajkoviq, e cila konsideron se këto dy procese do të bënin të mundur që serbët të fitojnë diçka që nënkupton, siç shprehet ajo, mbrojtje nga qëllimet jo të mira të institucioneve të Kosovës.

Mirëpo, qëndrim tjetër ka Milan Ivanoviq, njëri nga liderët e Këshillit Nacional Serb në veri. Ai nuk pranon asgjë që buron nga institucionet e Kosovës.

“Nuk e kemi pranuar Planin e Ahtisaarit, nuk e kemi pranuar të ashtuquajturin shtet të pavarur dhe institucionet e tij. Prandaj, kjo që ofron Ministria e Pushtetit Lokal, nuk ka të bëjë me serbët dhe serbët nuk do ta pranojnë”,
tha Ivanoviq.

Për t’u jetësaur decentralizimi, përkatësisht formimi i pesë komunave të reja me shumicë serbe, është parë si thelbësore pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në vjeshtë të këtij viti.

Milan Ivanoviq thekson se institucionet mund të sigurojnë një pjesëmarrje të vogël të serbëve të Kosovës, por, sipas tij, ata nuk do përfaqësojnë komunitetin serb.
Ne kemi përfaqësuesit tanë legjitimë, i kemi institucionet tona, kështu që ky proces nuk mund dhe nuk ka të bëjë me serbët...

“Ne kemi përfaqësuesit tanë legjitimë, i kemi institucionet tona, kështu që ky proces nuk mund dhe nuk ka të bëjë me serbët. Ne kemi zgjedhur përfaqësuesit lokalë në zgjedhjet në muajin maj të vitit të kaluar, ku pjesëmarrja e serbëve ka qenë 60 për qind. Kështu që ky tentim që të plasohen disa përfaqësues të rrejshëm serbë, do të dështojë”, u shpreh Ivanoviq.

Ndërkohë, edhe ata që pranojnë decentralizimin që ka për bazë Pakon Ahtisaari, kanë dyshimet e veta. Rada Trajkoviq thekson se duhet siguruar mekanizmat, të cilët do të mbronin komunat nga, siç thotë, ndërhyrjet joparimore të institucioneve të Kosovës.

“Konsideroj se nuk janë definuar shumë mirë mekanizmat që njëkohësisht nuk janë të qartë, nuk janë as efikas për të siguruar, mbrojtur diskriminimin e mundshëm, i cili në vazhdimësi, në bazë të përvojës sonë, vjen nga institucionet qendrore”, tha Trajkoviq.

Me Planin e Ahtisaarit parashihet formimi i pesë komunave të reja me shumicë serbe. Kërkesa e disa serbëve që të pësojnë ndryshime dispozitat mbi decentralizimin në Planin Ahtisaari, janë hedhur poshtë nga ICO-ja dhe Qeveria.
XS
SM
MD
LG