Ndërlidhjet

logo-print

1907 të zhdukur 10 vjet pas luftës


Fotografitë e të zhdukurve të vendosura në rrethojat e Kuvendit...

Fotografitë e të zhdukurve të vendosura në rrethojat e Kuvendit...

Rreth 1907 persona mbesin të pagjetur dhe diku 400 trupa të paidentifikuar që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Kështu u tha në një konferencë të mbajtur në Prishtinë, disa ditë para Ditës së të Pagjeturve në Kosovë.



Familjarët e personave që vazhdojnë të figurojnë në listën e rreth 1907 të pagjeturve në Kosovë që nga përfundimi i luftës, 10 vjet më parë, kanë drejtuar një varg kritikash kah institucionet kosovare, të cilat, sipas tyre, kanë lënë pas dore çështjen e personave të pagjetur në Kosovë.

Ata shprehen të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës, e cila, siç thonë ata, nuk ka treguar gatishmëri serioze për të formuar mekanizma profesionalë që do të merreshin me zgjidhjen e këtij problemi.

Në një konferencë me temën “Pas dhjetë vitesh, fati i të pagjeturve të Kosovës duhet të ndriçohet”, kryetari i Asociacionit të familjarëve të personave të pagjetur, Haki Kasumi, i quajti minimale përpjekjet e institucioneve kosovare në zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me, ndër të tjera, mbetjet mortore, kërkimin e vend-varrimeve të reja, si dhe bashkëpunimin me Serbinë, e cila, siç theksoi ai, është adresa kryesore për personat e pagjetur të Kosovës.

“Nuk është siguruar asnjë informacion zyrtar, tash e 10 vjet, edhe për 1907 njerëz. Po zvarritet çështja e mbi 400 mbetjeve mortore, të cilat tash e 10 vjet po qëndrojnë të paidentifikuara në morgun për mjekësi ligjore dhe të zhdukur në Prishtinë”, tha Kasumi.

Që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, delegacionet përgjegjëse për persona të pagjetur nga Prishtina dhe Beogradi ishin takuar dy herë me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Mirëpo, kundërshtimi i shtetit serb për të vazhduar bashkëpunimin në këtë drejtim vlerësohet të jetë pengesa kryesore për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Zëvendëskryeminitri i Kosovës, Ramë Manaj, tha se me qëndrimin aktual të Serbisë karshi Kosovës po vështirësohet dhe zgjidhja e çështjes së personave të pagjetur.

“I domosdoshëm mbetet kërkimi i vend-varrimeve të reja në Kosovë dhe jashtë Kosovës, pastaj zgjidhja e çështjes së një numri të trupave të djegur, për të cilët dihet identiteti de facto, por që nevojitet një kualifikim juridik për të përmbyllur procesin, si dhe definitivisht bashkëpunimi me regjionin”, u shpreh Manaj.

Sipas shifrave zyrtare, nga 1907 persona të pagjetur rreth 400 trupa gjenden aktualisht të paidentifikuar në morgun e Prishtinës - mbi 40 prej të cilave janë kthyer nga Serbia.

Identifikimi i këtyre trupave, sipas përfaqësuesit të Zyrës për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore, Arsim Gërxhaliu, pamundësohet për shkak të mungesës së stafit profesional vendor.

Ai thotë se deri më tani nga Beogradi janë kryer 18 transferime, ku janë marrë më pak se 900 mbetje mortore, porse, sipas tij, duhet kërkuar më shumë në territorin e Serbisë.

“Numri i gjithëmbarshëm nga Beogradi është njëra pjesë e grupacioneve të zhdukura në Kosovë dhe e dimë se grupacionet janë të zhdukura bashkërisht. Pra, shtrohet pyetja: Ku janë të tjerët? - Nëse në një grupacion të 20 njerëzve që janë marrë i kemi gjetur vetëm 8, e zyrtarisht kemi përgjigjen se nuk ka më mbetje mortore në Beograd, shtrohet pyetja: Ku janë 12 të tjerë? – Ata janë të grupit të njëjtë”, theksoi ai.

Ndryshe, çështja e personave të pagjetur nga mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë vlerësohet të jetë një ndër çështjet prioritare, për të cilat duhet të ketë një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG