Ndërlidhjet

Clinton: SHBA mbeten të përkushtuara në Irak


Hillary Clinton, mbërriti në një vizitë të papritur në Bagdad, e para në cilësinë e Sekretares së Shtetit.

Vizita realizohet dy ditë pas sulmeve me bomba në Bagdad dhe qytetet tjera irakiane, ku e humbën jetën më shumë se 150 vetë.

Clinton u tha gazetarëve që e shoqërojnë se vala e fundit e dhunës tregon se ekstremistët frikësohen se vendi "po shkon në drejtim të duhur".

Ajo tha se qeveria e Irakut ka bërë përparim mbresëlënës, dhe shtoi se përkundër tërheqjes së trupave, Shtetet e Bashkuara do të mbeten "shumë të përkushtuara" në Irak.

"Administrata paraprake u dakordua t'i tërheqë trupat tona dhe ne e mbështesim këtë. Duam që kjo të bëhet në mënyrë të përgjegjshme dhe me kujdes", tha Clinton në fjalimin që mbajti në ambasadën amerikane.

Gjatë vizitës në Bagdad, Clinton pritej të takohet me presidentin Jalal Talabani, kryeministrin Nuri al-Maliki dhe komandantin e forcave amerikane në Irak, gjeneralin Ray Odierno.
XS
SM
MD
LG