Ndërlidhjet

“Biserko: Qosiq – përgjegjës për luftërat e viteve ‘90”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Zhvillimet e fundit në Mitrovicë, që lidhen me kthimin e shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut, janë në fokus të shtypit të sotëm. E përditshmja “Lajm” citon politikanë serbë të veriut të kenë thënë se disa serbë në veri po instrumentalizohen nga Beogradi zyrtar, sepse, sipas tyre, nuk është e drejtë të pengohet kthimi i askujt në shtëpinë e vet.

Ndërsa, e përditshmja “Bota sot” citon presidentin Fatmir Sejdiu të ketë thënë se serbët në veri po dëshmohet se janë kundër të drejtave elementare të njeriut - kthimit në pronat e veta.

Ndërkohë, e përditshmja “Zëri” shkruan se intervenimi i EULEX-it, ditën e shtunë, me gaz lotsjellës për të zmbrapsur qindra serbë të tubuar me qëllim që të pengonin kthimin e shqiptarëve, është mesazh për serbët se Prishtina dhe perëndimi nuk po heqin dorë nga ruajtja e tërësisë territoriale të Kosovës.

Tutje, duke mbetur te problemi i veriut, “Zëri” vlerëson se EULEX-i, mbështetur nga shtetet më të mëdha të perëndimit, por edhe prej rregullave të veprimit të miratuara nga Bashkimi Evropian, do të përpiqet që të jetë më aktiv në veri të Mitrovicës, por edhe në pjesë tjera të Kosovës.

Duke mbetur te raportet mes shqiptarëve dhe serbëve, “Koha ditore” sjell një intervistë me Sonja Biserkon, nga Komiteti i Helsinkit në Serbi, e cila ngriti padi ndaj Dobrica Qosiqit, për shkak se në librin e tij të fundit sulmoi shqiptarët, duke i quajtur ata fundërrinë shoqërore, politike e morale të Ballkanit.

“Ne i kemi ndarë ato fjali, duke marrë parasysh se ato janë shoviniste, raciste dhe ky nuk është qëndrim i tij vetëm ndaj shqiptarëve, por edhe më gjerë”, ka thënë Biserko, për të shtuar se reagimet tregojnë se prokuroria është e shqetësuar për akuzat e ngritura.

“Ne kemi ngritur padinë, por prokuroria po e prolongon çështjen. Për ne, me rëndësi është që përsëri të ngrihet çështja e përgjegjësisë së Dobrica Qosiqit në përgatitjen e luftës, në përgatitjen e krejt kësaj çka ka ndodhur në vitet ‘90”, citon “Koha ditore” Sonja Biserkon.

Tutje, Biserko, në lidhje me situatën në Kosovë, ka thënë se mënyra e raportimit të mediave serbe reflekton urrejtje dhe mosdurim. Kjo gjë, sipas saj, përkon me ideologjinë e atij që e ka paditur në prokurori.

”Mediat serbe, apo shumica e mediave, janë fatkeqësisht në funksion të një ideologjie, prapa se cilës qëndron Dobrica Qosiq”, thotë Biserko në intervistën dhënë “Kohës ditore”.

Vjedhja e dhjetëra kilogramë droge nga një stacion i policisë në Prishtinë, është një temë tjetër me të cilën merret shtypi.

E përditshmja “Kosova sot” shkruan se dhjetëra kilogramë drogë, që mbaheshin pa asnjë lloj arsyeje afër komandës qendrore të Policisë së Republikës së Kosovës, tashmë janë, siç thuhet, në “duar të panjohura”.

Gazeta shkruan se sasia e konfiskuar e drogës është zhdukur, ndonëse ajo ndodhej në zemër të policisë. Autoritetet kosovare mund të përpiqen t’i zvogëlojnë përmasat e këtij lajmi, por ngjarja në fakt është skandaloze, konstaton “Kosova sot”.

“Infopress”, ndërkaq, shkruan se deri pasditen e së dielës, asnjë person nuk është arrestuar në lidhje me këtë vjedhje, ndërsa, po ashtu, asnjë zyrtar i policisë nuk është suspenduar nga detyra.
XS
SM
MD
LG