Ndërlidhjet

Alarmi i “gripit të derrave”

  • RFE /RL

Meksikë

Meksikë

Vendet në mbarë botën po ndërmarrin veprime për të parandaluar përhapjen e gripit të derrave. Më shumë se 100 njerëz kanë vdekur në Meksikë, prej javës së kaluar kur u regjistrua i infektuari i parë.

Raste të infektimit janë regjistruar edhe në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.

Përderisa raste të mundshme raportohen në Evropë dhe Zelandën e Re, autoritetet e Spanjës thonë se një person, që aktualisht ishte kthyer nga Meksika, ishte i infektuar me gripin e derrave. Ky është rasti i parë i regjistruar i virusit të këtillë në Evropë.

Ndërkaq, autoritetet në Meksikë i kanë anuluar ngjarjet publike dhe u kanë bërë thirrje njerëzve që të qëndrojnë në shtëpi.

Shtetet e Bashkuara shpallën emergjencë publike, ndërsa shumë qeveri kanë vendosur masa kontrolli në aeroporte.

Presidenti i Meksikës, Felipe Calderon, në një fjalim televiziv u përpoq ta qetësojë opinionin.

"Ne po flasim për një sëmundje serioze, por të shërueshme, sidomos nëse zbulohet në kohë. Në Meksikë, ne kemi barëra për t'i trajtuar të gjitha rastet që mund të paraqiten. Kjo është shumë me rëndësi. Sëmundja është e shërueshme dhe ne kemi ilaçe për të", tha Calderon.

Euro-komisionarja për Shëndetësi, Andoulla Vassilou, sot thirri mbledhje të jashtëzakonshme të ministrave të shëndetësisë të BE-së, për të diskutuar kërcënimin nga shpërthimi i një epidemie.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se bota tash është më e përgatitur për pandeminë e mundshme, krahasuar me gripin e shpezëve, pesë vjet më parë.
XS
SM
MD
LG