Ndërlidhjet

logo-print

Dita e Personave të Pagjetur gjen Kosovën me rreth 2 mijë persona të zhdukur. Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar kërkon nga Beogradi dhe Prishtina që të japin informacione për varrezat e mundshme masive të pahulumtuara.


Nysrete Kumnova, e cila nuk di asgjë për të birin e rrëmbyer 10 vjet më parë, beson se përmes presionit të bashkësisë ndërkombëtare, Beogradi mund të zbardhë fatin e të pagjeturve.

Deri më tash, Kumnova, e cila një kohë ka udhëhequr Komisionin qeveritar për të pagjeturit, nuk ka parë vullnet te autoritetet e Serbisë për të zgjidhur këtë çështje.

“Me Beogradin nuk ka një komunikim të mirëfilltë. Ata s’kanë qenë të gatshëm dhe nuk duan që të japin informata për njerëzit, për më të dashurit tanë, që i rrëmbyen dhe i zhdukën dhe tash e 10 vjet konsiderohen të zhdukur”,
u shpreh Kumnova.

Sipas të dhënave të Komitetit të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, aktualisht në Kosovë figurojnë si të zhdukur 1911 persona. Nën ndërmjetësimin e këtij komiteti, janë mbajtur një sërë takimesh mes grupeve punuese të Prishtinës dhe Beogradit për të zgjidhur këtë problem.

Por, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nuk beson se autoritetet e Beogradit do të japin informacione për vendndodhjen e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.
Mundësitë e institucioneve të Kosovës që të bëjnë diçka më shumë në raportet me Serbinë, janë shumë të kufizuara dhe të pamundshme...

“Mundësitë e institucioneve të Kosovës që të bëjnë diçka më shumë në raportet me Serbinë, janë shumë të kufizuara dhe të pamundshme. Familjarët kanë të drejtë të besojnë, por unë nuk besoj në humanitetin as të organeve të kaluara, e as të tashme të Serbisë”, tha Krasniqi.

Zëdhënësi i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Idriz Gashi, thotë se ekzistojnë dyshime se mbetjet mortore gjenden në varrezat masive në Serbi, por edhe në Kosovë.

“Dyshimi ekziston se edhe në Serbi e edhe në Kosovë ka varreza që nuk janë hulumtuar. Çështja e vend-varrezave potenciale të mundshme është një çështje që në vazhdimësi diskutohet në grupet punuese për persona të pagjetur mes Prishtinës dhe Beogradit. Është një problem që e ndjek fatin e të pagjeturve vazhdimisht”, vlerëson Gashi.

Nga 1911 të pagjeturit, 1500 thuhet se janë shqiptarë, ndërsa rreth 400 i takojnë komunitetit serb. Prenkë Gjetaj, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, përmend vendet potenciale, ku dyshohet se ka varreza masive apo ku mund të jenë djegur mbetjet mortore.

“Aktualisht kemi një vend që është i orientuar si vend i dyshimtë, është Kosharja, por atje duhet bërë çminimi. Ka dyshime se mund të ketë ushtarë, bile kjo ka qenë kërkesë e delegacionit nga Beogradi, pasi që dyshonin se u kanë mbetur ushtarë atje. Ka shumë informacione që flasin edhe për djegie kufomash. Ka dyshime se furrnaltat në Obiliq dhe Maçkaticë janë përdorur për këtë gjë, por s’ka konfirmime, sepse janë bërë përpjekje për t’u humbur gjurmët e krimeve”, pohon Gjetaj.

Që nga shpallja e pavarësisë, janë organizuar katër takime mes grupeve punuese të Prishtinës dhe Beogradit në lidhje me zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Ndërkohë, prej vitit 2004, kur edhe kanë nisur punën këto grupe punuese, janë kthyer qindra mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, kufomat e të cilëve janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

* * * * * * * * * *

Tash e 10 vjet, Shukrie Havolli, nga Fushë Kosova, është duke jetuar dhe pritur me dhembje një lajm që do ta zbardhte fatin e vëllait të saj Skënderit, i cili figuron në listën e 21 personave ende të pagjetur të kësaj komune, që ishin zhdukur gjatë luftës.

Shukria thotë se vëllai i saj, kishte dalë nga shtëpia më 28 mars të vitit 1999, derisa forcat serbe ishin duke bërë represion mbi popullatën shqiptare në Fushë Kosovë, dhe më nuk ishte kthyer kurrë.
Ai kishte dalë për të parë se çka po ndodh, pse jemi bllokuar... Më nuk është kthyer... Më 28 mars janë bërë 10 vjet...

“Ai kishte dalë për të parë se çka po ndodh, pse jemi bllokuar, deri te hekurudha... E kanë parë dëshmitarë, ka të gjallë. Te hekurudha ka qenë postblloku, policia, ushtria serbe. Më nuk është kthyer. Më 28 mars janë bërë 10 vjet. Që atëherë nuk dimë asgjë për të. Jemi lajmëruar në Kryq të Kuq e gjithkund, por nuk ka kurrfarë gjurme për të. Nuk ka më vështirë...”, thotë ajo.

Ankthi i ngjashëm i pritjes dhe dhembjes është duke e përcjellë tash e 10 vjet edhe familjen Gashi, pas zhdukjes së Haki Gashit, më 26 mars. Babai i Hakiut, Ragipi, thotë se ka humbur 4 anëtarë të familjes dhe përshkruan momentet e ndarjes me të birin.

“Ditën e fundit kemi qenë me djalin në Dardani, në ora 12, më 26 mars. Aty jemi ndarë me të dhe më nuk jemi parë. Në Dragodan, kur kemi nxjerrë kufomat, i kemi gjetur tri kufoma, djalin tim të voglin, djalin e vëllait të madhin, djalin e xhaxhait të madhin; Hakiu nuk është gjendur. Një gorane thotë se Hakiun e kanë marrë me veturë, edhe një tjetër... Deri në stacion të autobusëve thotë se i ka parë që kanë ardhur, por mandej nuk di asgjë”, tregon Ragipi.

Ragip Gashi shton se, megjithatë, një orë e dorës e birit të tij, Hakiut, është gjurmë që është gjetur, por në rrethana të paqarta, të cilat edhe sot shkaktojnë konfuzitet dhe dyshime.

“Një orë të Hakiut ia kanë sjellë Sabit Morinës. Atij ia ka sjellë dikush në emër të vëllait të vet, Halitit, dhe i ka thënë të shoqes së Halitit se është ora e tij... jo nuk është e tij... ka takuar djalin tim të madhin dhe e pyet se a po e njeh orën... dhe ai thotë se ora është e Hakiut. Ora është te shtëpia. Atë orë ia ka dhënë një serb, por kush ia ka dhënë – nuk e di, nuk po kallëzon ai”,
thotë Ragipi.

Ndërkaq, Ahmet Grajçevci, drejtues i Organizatës Joqeveritare “Shpresa dhe Kujtimi”, asociacion ky i familjarëve të personave të pagjetur në Fushë Kosovë, thotë se ka humbur 7 anëtarë të familjes.

Deri më tash, sipas tij, janë gjetur kufomat e 4 prej të afërmve të tij, ndërkaq 3 të tjerë mbeten ende të zhdukur. Ai thotë se adresa e vetme ku mund të merren sqarime për fatin e të zhdukurve të luftës në Kosovë, është Beogradi.

“Çdo gjë e dinë ata. Mund të jetë ndonjë individ, nëse është vrarë ose zhdukur në mënyrë jogrupore, mund të ndodhë se nuk dihet. Mënyra grupore, kudo që është zhdukur, kudo që është vrarë, kudo që është varrosur, është bërë në mënyrë komanduese nga dikush dhe në mënyrë administrative. Pse them në mënyrë administrative? Sepse, para ekzekutimit të të gjithë këtyre personave, është mbledhur i tërë dokumenti, është mbledhur dhe grumbulluar në një qebe dhe atëherë është marrë edhe evidenca se kush janë ata persona që janë ekzekutuar”, thotë Grajçevci.
Deri më tash nuk është bërë aq sa duhet... Është anashkaluar edhe nga institucionet ndërkombëtare, por edhe nga ato vendore...

Zoti Grajçevci shpreh mendimin se procesi i zbardhjes së fatit të personave të pagjetur do të vazhdojë ende, por do të jetë i paefektshëm pa presionin ndërkombëtar mbi Serbinë.

“Deri më tash nuk është bërë aq sa duhet, sepse mendoj se deri më tash është dashur të zgjidhet kjo çështje. Është anashkaluar edhe nga institucionet ndërkombëtare, por edhe nga ato vendore. Mendoj se me këtë temp të punës, ende do të zhargitet”,
thotë Grajçevci.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG