Ndërlidhjet

logo-print
E ardhmja e Kosovës dhe e Ballkanit është në Evropë dhe politika nuk duhet të pengojë, por të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të shteteve, deklaruan përfaqësues të konferencës shkencore ndërkombëtare me temën “Kosova dhe Ballkani - Ekonomia dhe Politika”, e organizuar nga Instituti për Studime Ekonomike dhe Sociale në Prishtinë.

Kryetari i Këshillit shkencor të konferencës, Nuri Bashota, pohon se shtetet e Ballkanit duhet ta lënë prapa të kaluarën dhe të fokusohen drejt së ardhmes, respektivisht integrimit në BE.

Zoti Bashota thekson se politika po ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin apo ngadalësimin ekonomik. Politikanët në Kosovë, ashtu edhe në vendet tjera, siç thekson zoti Bashota, po i vënë caqet e tyre dhe prioritetet strategjike për zhvillimin ekonomik, por e gjithë kjo po varet se sa po u përmbahen atyre premtimeve.

Duke u shprehur mjaft kritik ndaj politikës aktuale të partive politike në Kosovë karshi zhvillimit ekonomik, zoti Bashota thekson:

“Në vendin tonë, në Kosovë, ku kemi 33 parti politike, gjatë fushatës parazgjedhore propozojnë ecje përpara, zhvillim ekonomik. Por, sikur të bëhet bilanci pas përfundimit të asaj, efektet janë shumë të vogla”.

Eksperti për çështje ekonomike, zoti Bashota, konsideron se nëse nuk shfrytëzohen resurset ekonomike natyrore dhe nuk kërkohet një disiplinë e realizimit të programeve të parapara, atëherë Kosova, sipas tij, do të ketë ngecje të mëdha.

“Ekonomia e Kosovës pas luftës doli shumë e shkatërruar, si nga plaçkitja, djegia, rrënimi gjatë okupimit 10-vjeçar, ashtu edhe nga modeli i privatizimit, i cili nuk nxiti rivitalizimin e ekonomisë, por një mënyrë e tillë inerte e UNMIK-ut shpartalloi edhe ato pak fabrika, objekte që kishte Kosova”,
tha ai.

Vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas përfaqësuesve të kësaj konference, nëse do të vazhdojnë me këto marrëdhënie jo të mira dhe me motive nga e kaluara, do të mbesin të izoluara me pasoja tejet të rënda.

Ata vlerësojnë se Serbia duhet të pranojë realitetin e ri të Kosovës dhe të veprojnë si dy vende fqinje në marrëdhëniet e reja ndërkombëtare.

Ndër të tjera, përfaqësuesit e kësaj konference potencuan se raportet jo të mira në mes këtyre dy vendeve po shkaktojnë probleme të mëdha në zhvillimin ekonomik rajonal.

Eksperti për çështje ekonomike, Abaz Reçica, pohon se në bazë të ecurisë së deritashme, Kosova nuk është në rrugë të duhur drejt Bashkimit Evropian. Ai thotë se zhvillimi ekonomik në Kosovë është një çështje që ka ngecur.

“Momentalisht nuk jemi të përgatitur, mirëpo kemi baza shumë të mira dhe faktorë që mund të aktivizohen dhe ringjallen. Duhet një qasje multi-dimensionale nga të gjitha subjektet”,
thotë Reçica.

Ndërkaq, ish-këshilltari në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave, Jordan Daci, ka qenë mjaft kritik ndaj ligjeve, të cilat ende janë të aplikueshme në Kosovë. Ai thekson se legjislacioni në Kosovë është i vjetruar; disa ligje janë kopje e ligjeve të huaja, nga një apo disa shtete, që nuk përkojnë me realitetin e ndonjëherë edhe të përkthyera dobët, thotë Daci.

“Legjislacioni shqiptar në Kosovë nuk i përshtatet fare realitetit. Është karakteristikë që ngre disa pikëpyetje në raport me moralin e drejtësisë. Drejtësia pa moral është e kotë. Jo se kam ndonjë dyshim në profesionalizëm, përkundrazi ata duhen që dijet e veta t’i përcjellin, sepse ka nevojë për ekspertë”, thotë Daci.

Ndryshe, konferenca “Kosova dhe Ballkani - Ekonomia dhe Politika” zhvillon punimet edhe nesër, ndërkaq me kumtesat e tyre do të paraqiten 20 studiues nga Kosova, Ballkani dhe Evropa.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG