Ndërlidhjet

Analistët: Neutraliteti i Maqedonisë rreth Kosovës - i padrejtë


Shkup - Ndërtesa e Kuvendit
Shkup - Ndërtesa e Kuvendit

Maqedonia që me njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, ka treguar pozicionin e vendit sa i përket kësaj çështjeje dhe nuk mund të kuptohet qëndrimi neutral rreth procesit që zhvillohet në Hagë lidhur me pavarësinë e Kosovës. Kështu thonë Lëvizja qytetare “Zgjohu” dhe analistët shqiptarë. Ndërsa, analistët maqedonas thonë se Maqedonia duhet të ketë raporte të mira me Prishtinën, por edhe me Beogradin.


Lëvizja qytetare “Zgjohu” dhe analistët shqiptarë thonë se me njohjen e pavarësisë së Kosovës, Maqedonia ka marrë anë në kontestin midis Prishtinës dhe Beogradit dhe nuk mund të mbajë pozicion neutral rreth procesit në të cilin Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë do të vendosë për ligjshmërinë e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran.

Lëvizja qytetare “Zgjohu” ka reaguar kundër vendimit të Maqedonisë. Kryetari i kësaj lëvizjeje, Artan Grubi, deklaroi se ky veprim i Qeverisë është i padrejtë.

“Vendimi i Ministrisë së Jashtme që vendi të jetë indiferent ndaj procedurës, e cila po zhvillohet para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, për të vlerësuar deklaratën e pavarësisë së Kosovës, është absolutisht i papranueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të tjerët që e përkrahin pavarësinë e Kosovës. Maqedonia deklarativisht rreshtohet pranë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, andaj duhet të bëjë ashtu siç bën shumica absolute e këtyre dy organizatave dhe të përkrahë Kosovën në këtë betejë të padrejtë kundër Serbisë”, tha Grubi.

Ndërsa, profesori universitar dhe ambasador i mëparshëm i Maqedonisë në Kombet e Bashkuara, Denko Malevski, thotë se ngritja e procedurës gjyqësore nga ana e Beogradit nuk mund ta ndryshojë gjendjen në teren, ndërsa për vendin, sipas tij, është më mirë që t'i ruajë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore me Beogradin, por edhe me Prishtinën.

“Për të mirën tonë është e një rëndësie të madhe që të kemi marrëdhënie të mira me Beogradin, megjithatë çdoherë duhet të kemi parasysh faktin se popullata shqiptare në Maqedoni ka lidhje të veçanta me Kosovën, që na detyron që të kemi një politikë të marrëdhënieve të mira me Kosovën”,
u shpreh Malevski.

Por, profesori universitar, Zeqirja Idrizi, thotë se qëndrimi i Qeverisë së Maqedonisë është i ndikuar nga Serbia dhe, në të njëjtën kohë, dëshmon rolin e zbehtë të partisë shqiptare në pushtet - Bashkimit Demokratik për Integrim.

“Faktori politik shqiptar nuk është vendosës në politikën e Maqedonisë; kur them vendosës e kam fjalën se me të vërtetë ne si shqiptarë, në krye me partinë shqiptare në pushtet, e cila dikur trumbetonte se ka ndonjë farë lloji të verdiktit të shqiptarëve, de facto tregoi se asnjëherë nuk paska bartur vullnetin e popullit shqiptar në Parlamentin e Maqedonisë, madje as nuk e paska shtruar këtë çështje”, tha Idrizi.

Ndërkohë, Maqedonia është duke i normalizuar raportet me Serbinë pas përkeqësimit të tyre kur Maqedonia njohu Kosovën. Më 7 maj është paralajmëruar vizita e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, në Maqedoni, ndërsa Lubisha Georgievski do të marrë detyrën e ambasadorit të Maqedonisë në Beograd, në qershor.
XS
SM
MD
LG