Ndërlidhjet

Situatë e brishtë në Mitrovicë


Ura qendrore në Mitrovicë
Ura qendrore në Mitrovicë

Autoritetet e rendit thonë se kanë nën kontroll situatën në veri, ku, ditët e fundit, u shënuan incidente mes serbëve dhe forcave të rendit. Presidenti Fatmir Sejdiu thotë se shkaktarët janë të dirigjuar direkt nga Beogradi.


Pas tensioneve të ngritura të ditëve të fundit në lagjen Kroi i Vitakut, në qetësimin e të cilave u desh intervenimi me gaz lotsjellës i Policisë së EULEX-it, autoritetet e rendit dhe të sigurisë në Mitrovicë thonë se e kanë situatën nën kontroll.

Ditët e fundit, ka pasur përpjekje të vazhdueshme të serbëve lokalë që të pengojnë ndërtimin e shtëpive për shqiptarët e zhvendosur. Madje, situata më e tensionuar ka qenë dje, ku ndaj EULEX-it dhe KFOR-it janë hedhur edhe granata dore.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, flet për një situatë të qetë gjatë ditës së martë. Ndërsa, nuk përjashton mundësinë e protestave të sërishme nga ana e serbëve lokalë.

“Ata nuk i paralajmërojnë, edhe më herët i kemi pasur këto tubime të paparalajmëruara, por policia ka ndërmarrë masat e veprimit sipas situatave të paraqitura në terren”, thotë Hoti.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, përmes një komunikate për media, ka thënë se shkaktarët e incidenteve në veri janë të dirigjuar drejtpërdrejt nga Beogradi. Ai ka thënë se nevojitet një presion i shtuar i bashkësisë ndërkombëtare që Serbia ta ndalë qasjen konfliktuoze ndaj fqinjëve të vet.

Por, të mbledhur në të ashtuquajturin Shtab i Krizës i Mitrovicës, strukturë kjo paralele, serbët kanë deklaruar se nuk do të ndalen së protestuari kundër ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut, që gjendet në veri.

“Ftojmë qytetarët që sa më masovikisht të mblidhen, por që këto protesta të jenë paqësore. Do të kërkojmë nga përfaqësuesit e qeverisë sonë (të Serbisë), që të ndikojnë politikisht te përfaqësuesit e EULEX-it dhe KFOR-it, për të mos krijuar ndonjë situatë të padëshiruar”, tha Nenad Topliçeviq, njëri nga liderët serbë të Mitrovicës.

Megjithatë, autoritetet kosovare janë të vendosura që t’i kryejnë punimet e nisura në rindërtimin e shtëpive të rrënuara gjatë luftës, pronarët e të cilave janë shqiptarë të zhvendosur në jug të qytetit.

Zëdhënësi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Ahmet Jashari, konfirmon se punimet po zhvillohen sipas ritmit të paraparë.

“Pas incidenteve që kanë ndodhur dy ditë më parë, sot gjendja në Mitrovicë është e qetë. Punimet kanë filluar si zakonisht në orën tetë të mëngjesit, në ndërtimin e shtatë shtëpive të djegura dhe shkatërruara gjatë kohës së luftës. Ne, si pushtet lokal, jemi të vendosur që punimet të vazhdojnë pa ndërprerje”, theksoi Jashari.

Vitin e kaluar, pikërisht në lagjen Kroi i Vitakut, për shkak të kundërshtimit serb, qe bërë problematik rindërtimi i shtëpisë së një pronari shqiptar, Ali Kadriut. Ai qe ndaluar nga njësitë e policisë së UNMIK-ut.

Po vitin e kaluar, probleme të natyrës së njëjtë ka pasur edhe me ndërtimin e ujësjellësit në Suhodoll. Kësaj radhe, për të vazhduar punimet pa ndërprerje, është dashur të shtohet prania e forcave te sigurisë te Kroi i Vitakut. Besim Hoti, nga Polica e Kosovës, shpjegon:

“Për këtë është dashur të ngremë masa të sigurisë dhe praninë policore, por në raste edhe t’i bëjmë kërkesë KFOR-it për të qenë në vendngjarje, ashtu që masat e sigurisë të jenë në nivel të duhur, ndërsa punimet të kryhen pa probleme. Kjo sigurisht ka qenë situatë e parashikueshme, meqë gjithmonë ka pasur reagime të tilla kur është tentuar të rindërtohen shtëpitë në lagjet e përziera etnikisht”, shprehet Hoti.

Misioni evropian për sundimin e ligjit i ka dënuar incidentet e shkaktuara në pjesën veriore të Mitrovicës dhe u ka bërë thirrje qytetarëve për përmbajtje. Përmes një komunikate për media, EULEX-i ka theksuar se në incidentet në pjesën veriore të Mitrovicës janë lënduar disa njerëz, si dhe mbi forcat e EULEX-it dhe atyre të KFOR-it janë hedhur dy bomba dore.
XS
SM
MD
LG