Ndërlidhjet

Në pritje të vendimit për zgjedhjet


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Opozita në Kosovë thotë se ka shumë sinjale politike që zgjedhjet e ardhshme komunale të shtyhen. Por, Presidenca dhe partitë në pushtet ftojnë opozitën të relaksohet, ngase, sipas tyre, s'ka vendim për një gjë të tillë.



Ndërsa po afrohet koha që partitë politike t’i nisin konsultimet në lidhje me caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme lokale, te opozita po shtohen shqetësimet se zgjedhjet e parapara për vjeshtën e këtij viti, mund të shtyhen. Por, të këtij mendimi nuk janë edhe Presidenca dhe partia më e madhe në pushtet.

Në bazë të Kushtetutës, presidenti i Kosovës, në një afat optimal prej afërsisht katër deri në gjashtë muaj para zgjedhjeve, i fton partitë politike në konsultime për të caktuar datën përfundimtare. Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë se presidenti Fatmir Sejdiu do t’i ftojë shumë shpejt subjektet politike në konsultime.

“Data e zgjedhjeve do të caktohet në afatin prej 6 – 4 muaj nga data kur do të mbahen zgjedhjet. Kështu që nëse supozohet që zgjedhjet do të mbahen në nëntorin e këtij viti, do të thotë që ne ende nuk kemi hyrë në atë afatin optimal për caktimin e zgjedhjeve”,
thotë Beqiri.

Partia më e madhe në Parlament, e cila drejton edhe Qeverinë e Kosovës, PDK-ja, nuk beson se ka hapësirë për shqetësime në lidhje me datën e zgjedhjeve. Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci, thotë se pret që në vjeshtën e këtij viti, siç parashihet edhe me Kushtetutë, të mbahen zgjedhjet.
Presidenti do t’i konsultojë partitë politike dhe më pas do të dalë me një qëndrim rreth datës së saktë të mbajtjes së zgjedhjeve.

“Presidenti do t’i konsultojë partitë politike dhe më pas do të dalë me një qëndrim rreth datës së saktë të mbajtjes së zgjedhjeve. Gjithashtu, ne besojmë që të gjitha gjërat, në kuptimin organizativ dhe teknik, do të shkojnë në rregull dhe çdo gjë do të jetë e gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe nuk ka hapësirë për shqetësime”,
thekson Stavileci.

Ndryshe nga Partia Demokratike e Kosovës, subjekti opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron se zhvillimet në KQZ, ku ende nuk janë emëruar organet ekzekutive si edhe proceset tjera, po e çojnë vendin kah shtyrja e datës së zgjedhjeve.

Avni Arifi, anëtar i Kryesisë së AAK-së, thotë se institucionet po krijojnë një situatë të atillë politike, që në fund mund të rezultojë me shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Ai thotë se sot ka më pak dialog mes subjekteve politike në lidhje me proceset e rëndësishme, sesa në kohën e administrimit të Kosovës nga UNMIK-u.
Mënyra se si i është qasur, qoftë presidenti apo PDK-ja, tërë procesit zgjedhor, ka bërë që në një moment të caktuar ne mund të ndeshemi me probleme shumë të ndërlikuara dhe të grumbulluara.

“Mënyra se si i është qasur, qoftë presidenti apo PDK-ja, tërë procesit zgjedhor, ka bërë që në një moment të caktuar ne mund të ndeshemi me probleme shumë të ndërlikuara dhe të grumbulluara, të cilat mund t’i vënë të gjitha partitë politike para aktit të kryer dhe të shtrohet shtyrja e zgjedhjeve si e vetmja zgjidhje para kësaj situate”, thotë Arifi.

Një nga arsyet pse zgjedhjet ose duhet të mbahen me kohë ose duhet të shtyhen për disa muaj, sipas opozitës, është edhe koha, marrë parasysh se gjatë nëntorit mund të mbajë mot i ftohtë.

Ibrahim Makolli, nga Aleanca Kosova e Re, kërkon që presidenti të shpejtojë me procedurat, pasi që çdo shtyrje e vogël, sipas tij, më pas mund të përcillet me një shtyrje disamuajshe deri në pranverën e ardhshme.

“Kemi parasysh dimrat që janë në Ballkan dhe gjithsesi që këto vonesa do të shkaktojnë efekte të shumta në të ardhmen. Në radhë të parë, do të pamundësojnë përgatitjen e partive politike për zgjedhjet dhe, së dyti, do të jenë pengesa për KQZ-në që t’i ndërmarrë veprimet përgatitore sa i përket organizimit dhe menaxhimit të zgjedhjeve”, deklaron Makolli.

Por, zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, i përgjigjet opozitës me fjalët se nuk ka vend për shqetësime në lidhje me kohën e mbajtjes së zgjedhjeve.

“Këtu çështja është shumë e qartë dhe nuk ka nevojë absolutisht që të ngrihen shqetësime të tilla. Interpretimet e partive politike - është e kuptueshme të jenë të ndryshme dhe të mos ketë ndoshta gjithmonë përputhje mes tyre”, thotë Beqiri.

Zgjedhjet e ardhshme lokale do të jenë të parat në Kosovën e pavarur. Ato pritet të shkojnë paralelisht edhe me procesin e decentralizimit dhe formimin e pesë komunave të reja, përderisa zgjedhjet parlamentare tashmë janë paralajmëruar të mbahen në vjeshtën e vitit 2011.
XS
SM
MD
LG