Ndërlidhjet

“Pasojat” e Rezolutës 1244


Analistët politikë në Kosovë vlerësojnë se prania e misioneve të ndryshme ndërkombëtare me zinxhir të ndryshëm raportues ka komplikuar administrimin e Kosovës dhe ka zbehur parashikimet për shtet-ndërtimin e vendit, që dalin nga pakoja e Ahtisaarit. Ata thonë se pasojat e kësaj përzierjeje, siç e quajnë ata, po i bart Qeveria dhe institucionet kosovare.


Vazhdimi i vlefshmërisë së Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka komplikuar adresat e raportimit të misioneve të ndryshme ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, si dhe po vë në pikëpyetje Planin e Ahtisaarit, mbi të cilin bazohet shtetësia e Kosovës.

Kështu thonë analistët për çështje politike në Prishtinë, të cilët vlerësojnë se mosnjohja e Planit të Ahtisaarit nga Këshilli i Sigurimit po e shndërron në plan jolegjitim Planin e Ahtisaarit dhe me këtë edhe parashikimet e këtij plani në ndërtimin dhe funksionimin e shtetit të Kosovës. Analistja Verena Knaus sqaron qëndrimin e saj:

“Ka me të vërtetë një rrezik, sepse tri misionet ndërkombëtare, të cilat, në një mënyrë apo tjetër, kanë funksionet e veta mbi ato të Qeverisë së Kosovës, që të tria i raportojnë tri institucioneve të ndryshme ndërkombëtare dhe asnjëra, mund të themi, se nuk i jep llogari popullit të Kosovës”,
u shpreh Knaus.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Pieter Feith, i cili njëkohësisht është dhe shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, i raporton Bashkimit Evropian si dhe Grupit Ndërkombëtar Mbikëqyrës për Kosovën (të përbërë nga shtetet që e kanë njohur Kosovën); kreu i misionit të BE-së për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, Yves De Kermabon, i raporton po ashtu BE-së, ndërkaq shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, është përgjegjës para Sekretarit Gjeneral të Këshillit të Sigurimit.

Sipas Planit të Ahtisaarit, autoriteti më i lartë ndërkombëtar në Kosovë do të duhej të ishte Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian, Pieter Feith, të cilit me këtë plan i sigurohet madje edhe e drejta mbikëqyrëse mbi institucionet e vendit.

Fakti që Feith, si Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, i raporton Bashkimit Evropian, thuhet se do të mund të zbehte autoritetin në Kosovë, ku OKB-ja vazhdon të jetë prezente.

Mirëpo, analisti Ismail Hasani vlerëson se mandati i Përfaqësuesit Special të BE-së është i qartë, përderisa është e vlefshme Pakoja e Ahtisaarit.

“Unë mendoj se mandati i Pieter Feithit nuk mund të kontestohet, përderisa vazhdon të implementohet Pakoja e Ahtisaarit. Problemi është i vështirësive që po krijohen edhe në planin e komunikimit, por edhe problemi i prodhimeve të papranueshme që dalin prej raportimit, për shembull, nga zyra e UNMIK-ut dhe të tjera”,
tha Hasani.

Knaus, ndërkohë, parasheh që kjo përzierje, siç e quan ajo, mund të ndryshohet në dy mënyra.

“E para, që disa juristë evropianë të gjejnë një zgjidhje, sipas së cilës, Kombet e Bashkuara do të vazhdonin prezencën e tyre në Kosovë, por që ajo prezencë të ishte vetëm me disa kompetenca të mbetura dhe se Rezoluta 1244 të mos kishte peshën që ka aktualisht”.

“E dyta është se ndoshta marrëdhëniet ndërkombëtare mund të ndryshojnë dhe se marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të përmirësohen, ndoshta si pasojë e krizës globale financiare, ndoshta si pasojë e ngjarjeve të tjera të papritura dhe eventualisht mund të shpresohet se do të ketë një marrëveshje në nivelin e Këshillit të Sigurimit”,
theksoi Knaus.
XS
SM
MD
LG