Ndërlidhjet

“Rindërtimi nën tytat e snajperëve”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Aplikimi i Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE-së është në fokus të numrave të sotëm të të përditshmeve kosovare.

“Koha ditore” shkruan se pas hamendjeve të gjata, Shqipëria më në fund ka aplikuar edhe formalisht për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, për të nisur kështu një rrugë jo të lehtë drejt integrimit në BE. Kurse, “Lajm” e vlerëson veprimin e Shqipërisë si një projekt të së ardhmes.

Me titullin “Pas NATO-s, koha për në BE”, e përditshmja “Kosova sot” vlerëson se aplikimi për të marrë statusin e kandidatit për anëtar të Bashkimit Evropian, është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët, pavarësisht kontekstit elektoral që fryhet nga politika ditore në Shqipëri.

Pa e mohuar natyrën e kësaj lëvizjeje, që ka edhe publicitetin e pritshëm në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit, nuk mund të bëhemi jorealistë për ta minimalizuar këtë ngjarje, shkruan gazeta. Për një vend të tillë ish-komunist, kjo kthesë e madhe dhe ky tranzicion i thellë do të thotë shumë dhe jo vetëm brenda kufijve shqiptarë.

Sidoqoftë, “Kosova sot” vë në pah se shumëçka në këtë rrugë do të varet nga procesi zgjedhor i qershorit. Dështimi, shkruan gazeta, do jetë i pafalshëm dhe mund ta kthejë pas shtetin shqiptar, duke rrezikuar kështu integrimin e pritshëm.

Padyshim se situata në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicë, ku punimet për ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve po bëhen nën forca të shumta sigurie, trajtohet nga të gjitha gazetat e sotme.

“Koha ditore” hap ballinën e saj me shkrimin që mban titullin “Rindërtimi nën tytat e snajperëve”. Kjo gazetë shkruan se nishanet e snajperëve të ushtarëve francezë kanë përcjellë me kujdes çdo lloj lëvizjeje në shpatin e banuar me serbë në lagjen Kroi i Vitakut, për të evituar kështu çdo lloj befasie, të ngjashme me ditët e kaluara.

Duke mbetur në të njëjtën temë, e përditshmja “Zëri” shkruan se autoritetet e rendit duhet të jenë më të vendosura në përpalljen e tyre me serbët lokalë, të cilët në ditët e fundit kanë përdorur edhe armë dhe granata kundrejt forcave të EULEX-it dhe të KFOR-it.

“Zëri” shkruan se nëse EULEX-i merr si shembull modelin e UNMIK-ut pas trazirave të vitit të kaluar të marsit, atëherë kjo do të përbënte sukses të madh për Beogradin dhe liderët lokalë serb të veriut të Kosovës.

Kjo e përditshme vlerëson se po qe se ndodh e kundërta, edhe Serbia do ta humbte kontrollin në veriun e Kosovës, situata do të ndryshojë rrënjësisht dhe Beogradi do t’i humbte avantazhet që i ka krijuar për vite me radhë, veçanërisht prej pranverës së vitit të kaluar.

Në anën tjetër, gripi i derrave dhe prekja e Kosovës nga virusi A/H1N1 është temë tjetër që trajtohet në mediat e shtypura.

E përditshmja “Express” shkruan se edhe pse situata është jashtëzakonisht serioze, autoritetet kosovare janë duke u mjaftuar me deklaratën se të gjitha masat e nevojshme janë ndërmarrë, por duke kursyer mediat se çka në fakt është ndërmarrë.

“Express” shkruan se vendet e botës janë në alarm nga përhapja e gripit, ndërsa në Kosovë, përhapja e gripit po vrojtohet më shumë si lajm nga bota, sesa si diçka që nesër mund të prekë trupat tanë.

Megjithëse rastet e para janë evidentuar edhe në Evropë, “Express” shkruan se në Prishtinë askush nuk është mbledhur për të folur për këtë punë, apo për të krijuar grup ekspertësh që do të ndërmerrnin plan veprimi për të parandaluar përhapjen e gripit, që mund të marrë jetë.
XS
SM
MD
LG