Ndërlidhjet

SHBA: Viktima e parë nga gripi i derrave


Shtetet e Bashkuara e kanë konfirmuar rastin e parë të vdekjes nga gripi i derrave jashtë territorit të Meksikës.

Dr. Richard Besser, ushtrues drejtor i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se një fëmijë 23 muajsh ka vdekur në Teksas.

Shtetet e Bashkuara janë një nga tetë vendet e botës, ku janë konfirmuar raste të gripit të derrave.

Guvernatori i Kalifornisë, Arnold Shvarceneger ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në këtë shtet, ku deri tash janë konstatuar 13 raste të infektimit.

Ndërkohë, presidenti Barack Obama, ka kërkuar nga Kongresi edhe 1.5 miliardë dollarë për të luftuar gripin e derrave.

Meksika, vendi ku sëmundja u detektua për të parën herë, mbetet më e goditur me 7 vdekje të konfirmuara dhe 159 vdekje të dyshuara nga virusi vdekjeprurës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka bërë thirrje shteteve që të përgatisin plane për t'u përballur me pandemi të mundshme, por ka thënë se pandemia nuk është domosdoshmërisht e pashmangshme.
XS
SM
MD
LG