Ndërlidhjet

logo-print

Kosova dhe liberalizimi i vizave


Pasaportë e Republikës së Kosovës...

Pasaportë e Republikës së Kosovës...

Qeveria e Kosovës zotohet se do t’i përmbushë kriteret e parapara të BE-së, në mënyrë që të përfshihet me kohë në procesin e liberalizimit të vizave. Në anën tjetër, ekspertët vlerësojnë se Kosova mbetet ende prapa në këtë proces.


Kosova nuk do të mbetet e vetmuar dhe e fundit në rajon në procesin e liberalizimit të vizave, thonë zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës.

Ndërkohë që njohësit e këtij procesi thonë se Kosova mbetet vendi më i izoluar në rajon dhe se liberalizimi i vizave për Kosovën do të jetë i rrezikuar nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.

Zyrtarët e Komisionit Evropian kanë pohuar se për Kosovën vlejnë kriteret e njëjta si edhe për vendet tjera, kur bëhet fjalë për liberalizimin e vizave. Kështu që plotësimi i kritereve të parapara mbetet punë e institucioneve të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi beson se Kosova po punon seriozisht që t’i përmbushë të gjitha kushtet që BE-ja i parashtron në këtë proces.

“Ne kemi pranuar një filozofi politike që të implementojmë obligimet që dalin për liberalizimin e vizave dhe që ky proces të lëvizë paralelisht edhe me proceset politike që lëvizin në Bashkimin Evropian. Ne tanimë kemi marrë disa vendime, në veçanti është çështja e politikës së migrimit dhe menaxhimit të integruar të kufijve”. Po ashtu, edhe disa përgatitje teknike që kërkohen për dokumentet e udhëtimit”.

“Besoj që jemi në rrugë të drejtë. Ministria e Punëve të Brendshme po udhëheq këtë proces dhe besoj që do t’i plotësojmë të gjitha kushtet që në kohën e duhur të jemi pjesë e procesit për liberalizimin e vizave”, thotë Kuçi.

Në anën tjetër, Fatmir Curri, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, thotë se Kosova aktualisht mbetet vendi më i izoluar në rajon dhe se qarkullimi i lirë i kosovarëve mundësohet vetëm në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Turqi. Kurse, për liberalizimin e vizave sipas kritereve të BE-së, Curri e sheh si pengesë serioze mosnjohjen e Kosovës nga pesë vende të BE-së.

“Problemi qëndron në faktin se mosnjohja e pesë vendeve të BE-së, fillimisht është pengesë, për shkak se disa nga kushtet praktikisht kanë të bëjnë me këtë, sepse një nga shtyllat që duhet të nënshkruhet për procesin e liberalizimit të vizave, është politika e riatdhesimit apo ripranimit, që nënshkruhet me këto vende”.

“Dhe, siç dihet, në raport me vendet e BE-së ose me vetë Këshillin e BE-së, Kosova nuk mund të ketë marrëdhënie kontraktuale, mu për shkak të izolimit të këtyre vendeve”, thotë Curri.

Përveç aspekteve politike, BE-ja parasheh edhe disa kritere teknike që vendet duhet t’i përmbushin në kuadër të liberalizimit të vizave. Fatmir Curri i numëron disa nga këto kritere.

“Duhet edhe shumë më shumë të bëjë, si në implementimin e ligjit për azil, pastaj në politikat e migracionit; kemi implementimin e mirëfilltë të strategjisë për menaxhimin e integruar të kufijve, pastaj ka shumë punë jo vetëm në sigurinë e dokumenteve, por edhe mënyrën se si menaxhohet lëshimi i këtyre dokumenteve”.
Kemi dëgjuar zëra se shumë kosovarë kanë filluar të aplikojnë edhe për pasaporta biometrike të Serbisë...

“Kemi dëgjuar zëra se shumë kosovarë kanë filluar të aplikojnë edhe për pasaporta biometrike të Serbisë, çka është shumë shqetësuese”, thekson Curri.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Kosova po i përcjell lëvizjet në rajon dhe se ajo nuk do të mbetet e vetmuar në këtë proces.

“Kosova po i plotëson të gjitha obligimet që i ka. Ndërkohë, po punojmë ngushtë edhe me Komisionin Evropian dhe jemi duke i përcjellë së paku në trend edhe në vendet e rajonit”.

“Unë jam i bindur që Kosova do të jetë e gatshme brenda këtij viti, në mënyrë që në vitin 2010 apo eventualisht vitin 2011, më së largu, Kosova të jetë pjesë e këtij procesi. Besoj gjithsesi që Kosova, nëse nuk do të prijë në procesin e liberalizimit të vizave, nuk do të jetë kurrsesi e vetmuar ose e fundit”,
deklaron Hajredin Kuçi.

Një çështje që te qytetarët e Kosovës zgjon më shumë interesim në këtë aspekt, është edhe pasaporta biometrike. Mirëpo, pavarësisht se Kosova nuk lëshon pasaportë të tillë, zyrtarët thonë se ajo është mjaft e sigurt dhe nuk paraqet problem sa i përket procesit të tërësishëm të liberalizimit të vizave.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG