Ndërlidhjet

logo-print

Vazhdojnë tensionet në Mitrovicë


Paqeruajtësit e KFOR-it duke patrulluar në Mitrovicë...

Paqeruajtësit e KFOR-it duke patrulluar në Mitrovicë...

Policia e EULEX-it sërish ka përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë dhjetëra serbë që donin të pengonin rindërtimin e shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut. Situata thuhet se aktualisht është e qetë, por e tensionuar.



Sërish tensione në lagjen Kroi i Vitakut, në veri të Mitrovicës. Policia e EULEX-it ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën prej dhjetëra banorësh serbë, të cilët synonin pengimin e rindërtimit të shtëpive të banorëve shqiptarë.

Për të evituar konfliktin e mundshëm, ka intervenuar policia. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, shpjegon:

Policia sërish ka qenë e detyruar që të përdorë gazin lotsjellës, me qëllim që të zmbrapsë një grup prej 40 personash...
“Policia sërish ka qenë e detyruar që të përdorë gazin lotsjellës, me qëllim që të zmbrapsë një grup prej 40 personash, të cilët sërish kanë tentuar të vijnë në lokacionin ku janë duke u kryer punimet e rindërtimit të shtëpive... Kjo ka ngjarë rreth orës 11 dhe policia është dashur që nga distanca të përdorë gazin lotsjellës, me qëllim që të mos lejojë kontaktin fizik të protestuesve me forcat policore”, tha Hoti.

Hoti konfirmon se punimet janë duke vazhduar, nën praninë e shtuar të forcave të sigurisë. Tash disa ditë, rindërtimi i këtyre shtëpive të banorëve shqiptarë është duke u shoqëruar me incidente në mes të forcave të rendit dhe të serbëve lokalë, meqë këta të fundit kundërshtojnë rindërtimin.

Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka thënë se rindërtimi i shtëpive në të ashtuquajturën “linjë të verdhë” nuk mund të fillojë pa pajtimin e palës serbe. Ai ka thënë se që në vitin 2000 ishte arritur marrëveshje që ky rindërtim mos të bëhet pa pajtimin e të dyja palëve.

Por, zëdhënësi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Ahmet Jashari, hedh poshtë mundësinë e ekzistimit të një marrëveshjeje të tillë.

“Absolutisht nuk ka asgjë të vërtetë; ne nuk njohim kurrfarë linjash të verdha apo të kuqe. Në veri, konkretisht në lagjen Kroi i Vitakut, ka tashmë një javë që ka filluar rindërtimi i shtëpive të shkatërruara në luftë”,
tha Jashari.

Në anën tjetër, një nga përfaqësuesit e serbëve lokalë, Sinisha Llaziq, thotë se e ashtuquajtura “linjë e verdhë”, që ndan qytetin në pjesën veriore dhe jugore, duhet të respektohet.

Pamje në Mitrovicë...
“’Linja e verdhë’ duhet të respektohet, sepse është vendosur nga serbët dhe shqiptarët. Çdoherë kemi thënë se çfarëdo pune duhet bërë në marrëveshje me të dyja palët”,
thotë Sinisha Llaziq.

Ndërkohë që mospajtimet vazhdojnë, policia nuk përjashton mundësinë e përshkallëzimit të situatës. Besim Hoti thotë se gjendja në veri, përkatësisht në lagjen Kroi i Vitakut, është e paparashikueshme.

“Gjasat janë potenciale gjithnjë për ngritje apo ulje të tensioneve, mirëpo, në bazë të rrethanave, nuk presim që protestat do të kenë përmasa më të mëdha”,
theksoi Hoti.

Ndryshe, janë policët e EULEX-it dhe ushtarët e KFOR-it ata që po mbajnë situatën nën kontroll. Serbët, siç ka njoftuar EULEX-i, në ditët e fundit, kanë hedhur edhe granata dore mbi ta dhe mbi ushtarët e KFOR-it.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka thënë se shkaktarët e incidenteve në veri janë të dirigjuar drejtpërdrejt nga Beogradi. Ndërsa, serbët e veriut kanë deklaruar se nuk do të ndalen së protestuari kundër ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG