Ndërlidhjet

Ndarjet etnike në sistemin shkollor


Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian ka publikuar raportin e fundit me titull “Komunitetet joshumicë brenda sistemit primar dhe sekondar të arsimit në Kosovë” - raport ky i cili vlerëson se në sistemin arsimor në Kosovë vazhdojnë të theksohen ndarjet etnike ndërmjet komuniteteve, sidomos ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

“Në arsimin fillor dhe të mesëm në Kosovë ekzistojnë dy sisteme shkollore konkurrente dhe të ndara” – thuhet, ndër të tjera, në raportin e fundit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian mbi sistemin ekzistues të arsimit fillor dhe të mesëm në Kosovë.

Një ndër konkluzionet që dalin nga raporti, ka të bëjë me mënyrën se si shkollat, siç thuhet, dështojnë në mbështetjen e dialogut ndëretnik, si dhe ofrimin e mundësive nxënësve të komunitetit joshumicë përmes orëve plotësuese dhe mësimin e gjuhëve zyrtare.

“Ka lloje të ndryshme të ndarjeve. Ka ndarje fizike - pra, shkolla të njëjta si dhe shkolla të ndara, kate të ndryshme, ndërtesa të njëjta. Ka shumë opsione të ndryshme. Pastaj, ka dhe një ndarje gjuhësore - pra që studentët fatkeqësisht nuk mësojnë më shumë se një gjuhë dhe kjo vlen për të gjithë nxënësit në Kosovë”, tha zëvendësdrejtori i Departamentit të OSBE-së për të drejtat e njeriut dhe të komuniteteve, Wolff Michael Mors.

Raporti nënvizon se ndarjet etnike në shkollat në Kosovë vërehen në tekstet shkollore dhe plan-programet, e të cilat, siç vlerësohet, variojnë nga zonat në zonë. Në tekstet shkollore në gjuhën shqipe dhe serbe, sipas raportit, ka tendenca për shtrembërimin e fakteve historike.

Pastaj, thuhet po ashtu se në shkollat në zonat e banuara me shqiptarë respektohen plan-programet e hartuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, ndërkaq në enklavat serbe zbatohen plan-programet e Serbisë.

Ky konstatim, si dhe raporti në përgjithësi, duket se u prit me rezerva nga përfaqësuesi i ekzekutivit kosovar, zëvendësministri i Arsimit, Agim Hyseni, i cili tha se ka keqkuptime të dukshme për disa pjesë që janë pasqyruar në dokumentin në fjalë.

“Mes tjerash theksohet se plan-programet në gjuhën serbo-kroate shfrytëzohen nga Republika e Serbisë, meqë nuk ekzistojnë planet dhe programet në gjuhën serbe. Ekzistojnë plane dhe programe edhe në gjuhën serbe, ndonëse në raport thuhet se ato nuk ekzistojnë, dhe të njëjtat janë refuzuar dhe nuk janë zbatuar nga komuniteti serb”, tha Hyseni.

Ministria e Arsimit
Hyseni vlerësoi se financimi nga Qeveria serbe, si dhe kundërshtimi i mësimdhënëseve serbë për të zbatuar plan-programet e Republikës së Kosovës në shkollat fillore dhe të mesme në vend, u kontribuojnë edhe më tej ndarjeve etnike, si dhe pamundësojnë integrimin e serbëve në jetën shoqërore kosovare.

“Në qoftë se dikush merr 1200 dhe dikush merr 100, atëherë është një dilemë që po ashtu duhet të shtrohet me rastin e përcaktimit se me cilën gjuhë arsimtari mendon të vazhdojë kontratën...”, u shpreh Hyseni.

Përfaqësuesi i serbëve kosovarë që mori pjesë në prezantimin e raportit të OSBE-së, kryetari i Komisionit për të Drejtat e Komuniteteve dhe Kthim në Kuvendin e Kosovës, Bojan Stojanoviq, e vlerësoi si pozitiv dhe real raportin në fjalë, i cili, sipas tij, paraqet pasqyrën e vërtetë të gjendjes aktuale në terren. Sidoqoftë, Stojanoviq u shpreh pesimist në lidhje me të drejtat e serbëve në Kosovë në rrafshin e përgjithshëm.

“Aktualisht nuk kemi arsye të jemi optimistë nëse e shohim gjendjen ekzistuese. Kemi rastin me ligjet që janë amandamentuar nga Komisioni për të drejtat dhe interesat e komuniteteve, të cilat Kuvendi as që ka dashur t’i lexojë, e lëre më që t’i vë në procedura të miratimit”, tha Stojanoviq.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, banorët serbë kishin kundërshtuar të marrin pjesë në institucionet shtetërore të vendit, si dhe në jetën shoqërore në përgjithësi. Integrimi i serbëve në jetën institucionale dhe shoqërore të Kosovës, sikurse për mekanizmat vendorë, ashtu dhe për ata ndërkombëtarë që veprojnë në vend, vlerësohet të jetë një ndër sfidat më të mëdha.
XS
SM
MD
LG