Ndërlidhjet

Ekspertët: Maqedonia ngec në reforma


Pamje në Shkup

Pamje në Shkup

Mospërmbushja e reformave në gjyqësi, respektimi jo i mjaftueshëm i të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe mospërmbushja e disa kritereve të caktuara politike, janë disa nga arsyet, që, sipas ekspertëve, Maqedoninë e largojnë nga integrimi në strukturat euroatlantike.

Veprimi joserioz i institucioneve lë hapësirë për të menduar se vetë qytetarët nuk dëshirojnë të punojnë për integrimin e vendit dhe me këtë i jepet shkas Bashkimit Evropian për të vendosur kritere të reja për Maqedoninë.

Sanja Kostovska, nga Qendra për menaxhimin dhe hartimin e politikave, thotë se kontesti rreth emrit është vetëm një arsye për moszbatimin e 8 kritereve, të cilat janë parashtruar nga komisionari për zgjerim, Oli Ren, vitin e kaluar.

“Për fat të keq, Maqedonia nuk ka arritur të tregojë përparim më të madh në përmbushjen e reformave në bazë të 8 kritereve të BE-së. Ajo që neve na mungon, është menaxhimi më i mirë i vetë procesit të përmbushjes së standardeve dhe afrimi i vendit drejt BE-së. Çështja e emrit ka lënë në hije përmbushjen e kritereve tjera. Pra, gjithmonë duket se kontestin me emrin e kemi shfrytëzuar për të mos përmbushur apo avancuar në raport me kriteret tjera”, tha Sanja Kostovska.

Ajo, si shumë brengosës e vlerëson faktin e gjykimit të kompanisë austriake të energjetikës, EVN, nga nja gjykatë e Shkupit për një borxh me të cilin fare nuk kishte të bënte kjo kompani. Kostovska thotë se kjo flet për nivelin në të cilin ndodhet gjyqësori në vend, që çoi edhe në reagime të fuqishme nga përfaqësues të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Se niveli i gjyqësorit është larg standardeve evropiane, flet edhe Osmani Kadriu, ekspert për çështje juridike, sipas të cilit, politizimi, joefikasiteti, por edhe korrupsioni, janë tre elementët që karakterizojnë pushtetin gjyqësor, nga të cilët do të pësojë edhe procesi i integrimit të vendit

“Nuk mendoj se deri në fund të vitit do të eliminohen të gjitha këto dukuri, që të flasim se Maqedonia i plotëson kushtet edhe nga aspekti i pavarësisë së pushtetit gjyqësor për anëtarësim në strukturat euro-atlantike”, deklaroi Osman Kadriu.

Ndërkohë, duke parë të gjitha këto zhvillime, ambasadori i Bashkimit Evropian, Ervan Fuere, kërkoi angazhim më të madh të Qeverisë në zbatimin e reformave të mbetura, me qëllim që vendi sa më shpejt të marrë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Ambasadori Fuere nuk do që të spekulojë nëse raporti i vjeshtës do të sjellë datën për fillimin e negociatave.

“Nuk kam një top të kristaltë që të mund të parashikoj nëse raporti i vjeshtës do të përfshijë edhe rekomandimin. Presim nga Qeveria dhe institucionet shtetërore të angazhohen, me qëllim që të plotësojnë reformat, të cilat janë duke pritur. Dhe, gjithsesi, nëse plotësohen reformat, atëherë Komisioni do të ketë fakte të mjaftueshme që të rekomandonte datë për fillimin e bisedimeve, por kjo do të varet nga vlerësimi i progresit të arritur dhe kjo është ajo për çka po shpresojmë”, deklaroi ambasadori i BE-së, Ervan Fuere.

Ai tha se Maqedonia ka bërë përparime të theksuara, porse mbeten edhe shumë sfera ku duhet punuar seriozisht, duke veçuar nevojën urgjente për pavarësimin e gjykatave, depolitizimin e administratës publike dhe luftimin më efektiv të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
XS
SM
MD
LG