Ndërlidhjet

“Luten të mos sëmurën”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

As në numrat e sotëm, të përditshmet kosovare nuk kanë mundur t’u shmangen shkrimeve rreth incidenteve, që po shoqërojnë ndërtimin e shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicë.

E përditshmja “Koha ditore”, në kryeartikullin e saj shkruan se Bashkimi Evropian dhe Rusia kanë dalë me qëndrime të kundërta për Kroin e Vitakut.

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për protestat e dhunshme në veri, duke i ofruar mbështetje EULEX-it dhe KFOR-it, për të vënë rend dhe qetësi, ndërkohë që Moska zyrtare e ka quajtur të papranueshme përdorimin e forcës kundër serbëve, shkruan “Koha ditore”.

Gazeta “Bota sot”, duke iu referuar incidenteve të ditëve të fundit, ku EULEX-i u detyrua të përdorë gaz lotsjellës, vlerëson se institucionet e sigurisë, në vend se t’ia lehtësojnë punën vetes dhe shqiptarëve që duan të kthehen në pronat e tyre, po barrikadohen para shtëpive të shqiptarëve në vend se t’i arrestojnë ekstremistët serbë.

E përditshmja “Epoka e re”, ndërkaq, citon kryeministrin Hashim Thaçi të ketë thënë se nuk do të dorëzohet para ekstremistëve, pavarësisht se cilit nacionalitet i përkasin ata.

E përditshmja “Lajm” trajton një temë që ka të bëjë me akomodimin, përkatësisht problemet që edhe më tej kanë të ngarkuarit me punë të Kosovës në ambasadat e ndryshme të botës.

Që 6 muaj, siç thonë ata, nuk guxojnë as të sëmuren, sepse nuk kanë sigurim shëndetësor dhe si rrjedhojë nuk kanë mundësi të shkojnë te mjeku dhe e kanë vështirë t’i sigurojnë barnat. Ndryshe nga pushtetarët në Kosovë, ata atje jetojnë me shumë peripeci, shkruan “Lajm”.

Tutje, kjo gazetë vlerëson se Qeveria, herë pas here, vazhdon të blejë vetura të reja për anëtarët e kabinetit të saj, por nuk ka buxhet për sigurim shëndetësor të personelit diplomatik të Kosovës në SHBA dhe në ambasadat tjera në botë.

Diplomatët kosovarë në Uashington luten që të mos sëmuren as nga gripi, pasi pa qenë të siguruar, nuk kanë pse të shkojnë te mjeku, shkruan “Lajm”, për të shtuar se ambasadorët nuk guxojnë të flasin, e Ministria e Jashtme nuk do.

“Lajm” citon profesorin e lëndës sistemi amerikan i qeverisjes, Zenun Halili, të ketë thënë se në Amerikë, nëse nuk ke avokat dhe sigurim shëndetësor, realisht nuk ke asgjë.

E përditshmja “Express” shkruan se partitë politike sërish do t’i kushtojnë vëmendje të madhe garës për të fituar Prishtinën. Beteja për të fituar Prishtinën edhe më tej mbetet prioritet i lartë i partive politike, jo vetëm për shkak të numrit të madh të votave që sjell ky qytet, por edhe për shkak të prestigjit. Kryeqyteti do të marrë peshë më të madhe pas miratimit të ligjit që do ta bëjë atë me status të veçantë, shkruan “Express”.

Tutje, gazeta njofton se përveç LDK-së, e cila ka dhënë indikacione se nuk do ta lëshojë Isa Mustafën, partitë tjera me gjasë do të shkojnë me kandidatë të rinj, emrat e të cilëve ende nuk i kanë gjetur.

Ndërkohë, sipas “Express”, shumëkush koalicionin qeverisës në vend e sheh si pengesë dhe pothuaj të pamundur, që kandidati i PDK-së ta sulmojë kandidatin e LDK-së, pikërisht për shkak të këtyre lidhjeve.
XS
SM
MD
LG