Ndërlidhjet

"Nuk mendoj se do të jetë në dispozicion ndonjë vaksinë kundër gripit të derrave për ndoshta 4-6 muajt e ardhshëm, për të filluar kështu vaksinimin e një numri të arsyeshëm njerëzish", tha mikro - biologu Hugh Pennington.

Hugh Pennington, është profesor në Universitetin Aberdeen, në Britaninë e Madhe.


RADIO EVROPA E LIRË

A mund të na thoni ç’është gripi i derrave? A është formë e re e llojit të virusit të gripit, nga i cili zakonisht infektohen derrat, por jo dhe njerëzit?

HUGH PENNINGTON
Virusi i ri quhet virus i derrave sepse përbëhet nga komponentë të gripit të derrave që vjen nga Amerika, nga komponentë të gripit të derrave nga Evropa dhe Azia, si dhe komponentë të gripit të shpezëve dhe gripit të njerëzve.

Pra, është përzierje e viruseve të ndryshme, një nga derrat, një nga shpezët dhe një nga njeriu; është lloj i virusit të ri - përzierje e viruseve që kanë qarkulluar për disa kohë nëpër botë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si ka lindur? Çfarë dimë ne për të deri më tash?

HUGH PENNINGTON
Ne vërtet nuk e dimë nga vjen, si ka lindur. Supozimi, që ka dhe mundësi të jetë i arsyeshëm, është se derri është infektuar me virusin e njeriut dhe të zogut, përderisa veç ka qenë i infektuar me një nga viruset e tij.

Dhe, ne e dimë se derrat mund të jenë një lloj i enëve për përzierjen e viruseve, për të zënë vend dhe për t’u shfaqur viruse të reja, sepse ne kemi parë që kjo ka ndodhur në të kaluarën, jo aq shumë me derrat, por me zogjtë dhe njerëzit po.

Viruset nga speciet e ndryshme, kur sulmojnë një kafshë apo njeri, mund të rikombinohen dhe të bëjnë një lloj të virusit të ri, të drejtuar vetes së tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, rasti i parë tek njerëzit mund të ketë ardhur nga kontakti me derra të infektuar?

HUGH PENNINGTON
Kjo është e saktë. Dhe, ka mundësi që të mos e dimë kurrë, sepse shumë shpesh, kur ne provojmë dhe i gjurmojmë këto gjëra, gjurmët fshihen, lëvizin. Njerëzit do të provojnë të gjejnë nëse ky virus zë vend në derra apo jo, por unë nuk do të isha shumë optimist për atë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por tash, kjo është e transmetueshme nga njeriu në njeri?

HUGH PENNINGTON
Po, kjo është ajo që është e re tek ky lloj i virusit. Ne e kemi ditur që derrat marrin grip për kohë të gjatë; përshkrimi i parë i kësaj ndodhie ishte në vitet 1930. Nganjëherë shumë njerëz që kujdesen për derra, e marrin një lloj gripi nga ta.

Por, ajo çfarë ndodh zakonisht është se kemi të bëjmë me një fund të virusit – virusi infekton pronarët e derrave dhe ata e marrin gripin, por nuk e transferojnë tek njerëzit tjerë.

Kurse, ajo çfarë ka ndodhur këtë herë, është e qartë se virusi është adoptuar mirë tek njerëzit - kështu që përhapet nga njeriu në njeri.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka rrezik nga ngrënia e mishit të derrit?

HUGH PENNINGTON
Jo, nuk ka absolutisht asnjë rrezik nga mishi i derrit. Është pak fat i keq që ky virus ka marrë këtë emër - çka të jep idenë që mund të jetë diçka që ka të bëjë me mishin e derrit apo produktet e derrit. Absolutisht asnjë rrezik, asnjë rrezik fare.

RADIO EVROPA E LIRË
A është gabim të quhet grip i derrave atëherë? A po fokusohen njerëzit në një gjë të gabuar kur ata shqetësohen për derrat, për fermat e derrave, mishin e derrave, kur, ç’është e vërteta, janë njerëzit ata që transmetojnë infektimin?

HUGH PENNINGTON
Është e vërtetë. Ka kaluar nga të qenit virus i derrit. Është virus që vije nga derrat, por njëjtë sikur shumica e viruseve të gripit që infektojnë njerëzit. Ata, në një formë, të gjithë kishin prejardhje nga zogjtë në të kaluarën e largët, por ne nuk i quajmë gripe të zogjve - i quajmë vetëm grip.

Ky është vetëm një virus i gripit të zakonshëm tani për tani dhe sa i rrezikshëm është, natyrisht që vetëm koha do ta tregojë, fatkeqësisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë simptomat tek njerëzit?

HUGH PENNINGTON
Deri më tash, rastet që janë studiuar më së miri, janë ato që kanë ndodhur jashtë Meksikës, njerëzit që kanë udhëtuar në Meksikë, kanë marrë virusin dhe janë sëmurë, në SHBA, në Skotlandë ose në Spanjë apo vende të tjera.

Deri më tash, të gjitha këto raste kanë qenë bukur të buta – vetëm një apo dy njerëz ishin shtrirë në spital. Shumica nga këta njerëz janë ndjerë të sëmurë, kanë pasur ndoshta pak temperaturë, kollitje, rrjedhje nga hundët, ndoshta kanë ndjerë pak dhimbje të gjymtyrëve.

Një ose dy nga ta kanë pasur simptoma të helmimit me ushqim, si diare apo vjellje, çka është e pritshme të shihet tek gripi. Kjo është mostër e zakonshme e llojeve normale të infeksioneve me grip.

Pra, nuk ka ndonjë mënyrë që duke pyetur dike se çfarë simptomash ka, të dimë nëse ata kanë pasur këtë apo tjetër virus të gripit, meqë ka viruse të tjera, jo viruse të gripit, që shkaktojnë këto lloje të simptomave.

RADIO EVROPA E LIRË
Përderisa simptomat janë sikur të gripit të zakonshëm, kur mund të dyshojë dikush se është i sëmurë nga ky virus?

HUGH PENNINGTON
Është Meksika vendi në të cilin virusi po qarkullon në një shkallë të madhe, kështu që të vetmit njerëz, për momentin, të cilët duhet të mendojnë për mundësinë e të infektuarit me gripin e derrave, janë njerëzit që kanë qenë në Meksikë së fundmi, ose që kanë pasur kontakte shumë të afërta me njerëzit që sapo janë kthyer nga pushimet atje.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të kurohet me barna kundër gripit, si p.sh. Tamiflu?

HUGH PENNINGTON
Po, e dimë se ky virus është i ndjeshëm ndaj Tamiflusë dhe barërave të tjera anti-virale, të cilat i merrni me inhalim. Kjo thjesht ndalon virusin të rritet. Disa njerëz janë kuruar me të deri më tash, por ata kanë pasur infeksion të lehtë dhe kështu është vështirë të dihet nëse Tamiflu ka shumë efekt.

Tamiflu nuk i ndalon simptomat menjëherë, por vetëm i zbut ato, ndërsa sëmundja zgjat më pak. Por, sidoqoftë, shumë njerëz bëjnë më mirë pa ndonjë tretman.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka nëse unë kam bërë vaksinën e gripit këtë vit – do të më mbrojë ajo mua?

HUGH PENNINGTON
Jo. Vaksina që përdoret aktualisht, nuk i mbron njerëzit nga ky virus i ri. Tash, po diskutohet shumë sikur një vaksinë e re do të duhej përgatitur, që ka virusin e gripit të derrave në të, ose si vaksinë më vete, ose të vendoset në vaksinën e vitit tjetër.

Sezoni i gripit në Evropë është në dimër – ata janë të zënë me bërjen e vaksinës për sezonin e ardhshëm dhe çështja që po shikohet është nëse ata duhet të fusin atë virus të ri në të apo jo.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa shpejt mund të zhvillohet vaksina e re?

HUGH PENNINGTON
Puna paraprake po bëhet, po merret virusi dhe po bëhet brenda vaksinës së virusit, çka, në fakt, teknikisht është provë e drejtë para se të bëhet.

Shtrohet pyetja: A po kalojmë në prodhimin e vaksinës që është punë shumë më e kushtueshme dhe përfshin kompanitë që merren me prodhimin e tyre? Dhe, natyrisht, vetë vaksina duhet të testohet, për të parë nëse bën punë dhe është e sigurt - dhe e gjithë kjo merr kohë.

Kështu që unë nuk mendoj se do të jetë ndonjë vaksinë në dispozicion për ndoshta 4-6 muajt e ardhshëm, për të filluar kështu vaksinimin e një numri të arsyeshëm njerëzish.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, vaksina e gripit stinor nuk është mbrojtje. Si mund ta shmangin njerëzit infektimin?

HUGH PENNINGTON
Për momentin gjërat e thjeshta, si larja e duarve pasi që ke teshtirë, mos teshtij në duart tuaja nëse mund ta evitosh atë, përdor letra të holla për të teshtirë në to, më mirë se faculeta.

Këto lloje të higjienës personale të praktikohen – larja e duarve është shumë e theksuar. Ajo nuk të parandalon ty nga marrja e gripit, por do ta zvogëlojë rrezikun që nëse ti e ke marrë atë, të mos e përhapesh te dikush tjetër. Përveç kësaj nuk ka shumëçka për t’u bërë, vetëm se të dëgjohen këshillat që vijnë nga zyrtarët e shëndetit publik.
XS
SM
MD
LG