Ndërlidhjet

Sa do të rrinë forcat te Kroi i Vitakut?


Paqeruajtës të KFOR-it në veri...
Paqeruajtës të KFOR-it në veri...

Autoritetet janë të vendosura që të sigurojnë rindërtimin e shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut. Por, ende nuk ka ndonjë plan veprimi, nëse kjo prani e policisë do mbetet atje edhe gjatë procesit të kthimit të banorëve shqiptarë.


Në mesin e muajit maj planifikohet të përfundojë rindërtimi i shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut. Që nga fillimi, ky rindërtim është përcjellë me incidente, për shkak të kundërshtimit që i bëjnë këtij procesi banorët lokalë serbë.

Rindërtimi po vazhdon nën praninë e shtuar të autoriteteve të rendit. Nuk dihet ende nëse këto forca do t’i ruajnë banorët shqiptarë, kur të vendosen në shtëpitë e reja.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se nuk ka ndonjë plan për të ofruar siguri gjatë procesit të kthimit.

“Fakti që një numër i atyre banorëve kundërshton procesin e rindërtimit të shtëpive, apo procesin e kthimit, për policinë nënkupton se kemi një rrezik permanent të përshkallëzimit të dhunës atje. Por, është një situatë, të cilën policia domosdoshmërisht duhet ta ketë parasysh dhe ne duhet të merremi me ta. Hapi tjetër - kthimi - është diçka që duhet të merret parasysh nga strukturat e KFOR-it dhe të EULEX-it”, thotë Hoti.

Rindërtimi i shtëpive në veri...
Ndërkohë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se nuk do të zmbrapsen nga ekstremistët, duke shtuar se askush nuk mund ta ndalë procesin e kthimit.

Zëvendësministri për Kthim dhe Komunitete, Ismet Hashani, beson se “ky grup i vogël i ekstremistëve do të vetëdijesohet për rëndësinë e kthimit dhe ky proces për banorët shqiptarë do të jetë i sigurt”.

“Ne besojmë se njerëzit, kur të përfundojnë shtëpitë, do të binden se do të krijohen kushtet për të jetuar pa praninë e forcave që po e sigurojnë tani ndërtimin”, tha Hashani.

Përfaqësuesit e serbëve të veriut kanë thënë se kundërshtimi ndaj kthimit të shqiptarëve në veri, ka të bëjë me mosgatishmërinë e autoriteteve për kthimin e serbëve në jug. Por, ka nga ata qytetarë serbë që nuk duan vetë të kthehen në jug, por as nuk duan t’i kenë fqinjë shqiptarët. Njëri nga ta është Llazar Radenkoviq.

“T’ju them të drejtën, shqiptarëve nuk do t’ua lejoja kthimin në veri, por nuk jam as për kthimin e serbëve në pjesën jugore tek ta, sepse ata janë më shumë dhe do të na maltretonin dhe dëbonin. Mendoj se ata fare nuk mendojnë për t’u kthyer në ato shtëpi, që po i ndërtojnë te Kroi i Vitakut, por sigurisht mendojnë që të formojnë ndonjë ushtri të tyre atje”.

“Sa i përket frikës, nuk trembem se do të ketë përshkallëzim të dhunës, sepse këtu në Mitrovicë, të rinjtë i duan aksionet e tilla, mezi presin që diçka e tillë të ndodhë dhe të shkojnë lart për t’u shtirur si heronj. Por, ne nuk jemi heronj. Ka njerëz që janë të obliguar dhe të paguar për të ruajtur rendin dhe paqen”, thotë Radenkoviq.

Qeveria duket se nuk ka menduar se këto kundërshtime do të vazhdojnë gjatë. Zëvendësministri i Kthimit, Ismet Hashani, nuk jep ndonjë plan se si do të veprohet, nëse edhe pas përfundimit të shtëpive, serbët kundërshtojnë kthimin dhe vendosjen e banorëve shqiptarë atje.

Pjesëtarë të EULEX-it...
“Kjo është një fazë që ne i kuptojmë disa reagime të disa individëve, por, dalëngadalë, të gjithë do të vetëdijesohen se është koha për të bashkëjetuar; mund të ndërtojnë në të gjitha pjesët e Kosovës aty ku kanë jetuar dhe Qeveria e Kosovës do t’u dalë në ndihmë”,
u shpreh Hashani.



Po bëhet pothuaj një javë që intervenimi i Policisë së EULEX-it dhe KFOR-it me gaz lotsjellës është bërë i përditshëm dhe si forma e vetme që mundëson rindërtimin e shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut, në veri të Mitrovicës.

Ndërkohë, incidentet në veri kanë nxitur edhe reagimin e Bashkimit Evropian, i cili ka dënuar dhunën në veri, duke thënë se ky union do t'i bëjë që të dalin para drejtësisë të gjithë ata që rrezikojnë jetët e personelit dhe të qytetarëve tjerë.
XS
SM
MD
LG