Ndërlidhjet

“Ne e respektojmë Marrëveshjen e Dejtonit, por ajo nuk parasheh edhe dashurinë... Rrjedhimisht, do të vazhdojmë të anojmë për Serbinë, qoftë dhe në manifestime sportive", thotë Milorad Dodik, kryeministër i Republikës Serbe në BeH.


RADIO EVROPA E LIRË
Ju angazhoheni për një federatë të brishtë në Bosnjë e Hercegovinë. Pse pikërisht tani flisni për këtë opsion?

MILORAD DODIK
Unë asnjëherë nuk mendoj se mund të merremi vesh.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është e qëndrueshme Bosnjë e Hercegovina, kur keni parasysh se nuk mund të ketë marrëveshje?

MILORAD DODIK
Në Bosnjë e Hercegovinë kishte përdorim të dhunës jashtë mase. Dhe, kjo me siguri do të lërë gjurmë në këtë vend.

Pedi Ezhdaun ka mundësuar një destabilizim dhe ka bërë të pamundur funksionimin e Bosnjë e Hercegovinës.

Nëse ky vend ka gjasa në të ardhmen, atëherë kjo mund të arrihet nëpërmjet marrëveshjes së faktorëve të brendshëm relevantë, pa përzierjen e askujt nga bashkësia ndërkombëtare, qoftë nga Evropa apo Amerika.

RADIO EVROPA E LIRË
Thoni se e pranoni Bosnjë e Hercegovinën, kurse në një tubim në Beograd keni thënë se serbët nga Republika Serbe jetojnë në Bosnjë, por Serbinë e konsiderojnë atdhe të tyre...

MILORAD DODIK
Natyrisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse serbët nga Republika Serbe nuk mund të identifikohen me Bosnjë e Hercegovinën dhe ta konsiderojnë atë atdhe të tyre?

MILORAD DODIK
Nuk munden për shkak të politikës së bashkësisë ndërkombëtare dhe politikës boshnjake, e cila pretendon të centralizohet në afirmimin e vlerave të bashkësisë islame, e cila është faktor i rëndësishëm në vetë Bosnjë e Hercegovinën dhe e cila prodhon politikën boshnjake.

Në anën tjetër, në Sarajevë sot ka një numër të vogël serbësh. Kryetari i Komitetit të Helsinkit, Boshnjak, thotë se Sarajeva është qytet i pastër etnik. Natyrisht që unë e pranoj Marrëveshjen e Dejtonit dhe Bosnjë e Hercegovinën si të tillë.

Ndërsa, sa u përket ndjenjave, për neve Serbia është atdhe dhe e ndjejmë si pjesë tonën shumë më tepër, sesa Bosnjë Hercegovinën.

Bosnjën, ndërkaq, e pranojmë si detyrim, sepse ajo është pjesë e marrëveshjes dhe ne jemi brenda saj. Si legalistë e respektojmë marrëveshjen, por kjo marrëveshje nuk parasheh edhe dashurinë, e cila është çështje personale dhe përjetim intim.

Pra, edhe më tutje do të vazhdojmë të anojmë për Serbinë, qoftë edhe në manifestime sportive.

RADIO EVROPA E LIRË
Në kohën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk keni bërë paralele midis Kosovës dhe Republikës Serbe, me të cilën letër ka luajtur ish-kryeministri i Serbisë, Koshtunica. Ka përfunduar kjo paralele, apo gjërat mund të ndryshojnë pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për rastin e Kosovës?

MILORAD DODIK
Kosova i është marrë Serbisë në mënyrë jolegale. Ne kemi vlerësuar se nuk guxojmë të lëshohemi në asnjë aventurë.

Në anën tjetër, Serbia, nëpërmjet Kosovës, ka promovuar parimet e integritetit territorial, që është në pajtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Parim yni kryesor ka qenë ruajtja e stabilitetit dhe paqes në Republikën Serbe, kurse gjërat jolegale në Bosnjë e Hercegovinë t'i luftojmë me mjete demokratike dhe legale.

Mendoj që nuk kemi të drejtë të bëjmë aventura, por as të shkaktojmë dhunë, dhe as që planifikojmë gjëra të tilla.

Mbetet të shihet nëse një ditë do të krijohen kushte për vendime në Republikën Serbe. Ne po presim momentin e caktuar, të cilin do ta pranojë edhe bota, se kemi të drejtë të vendosim.

Aktualisht, ne respektojmë marrëveshjen e Dejtonit dhe ndërtimin e Bosnjë e Hercegovinës në bazë të kësaj marrëveshjeje.

Tash për tash, i mbetet kohës për të parë nëse një ditë do të lodhemi dhe do të neveritemi nga kjo situatë. Unë nuk mund të flas sot për zbatimin e ndonjë politike tjetër.
XS
SM
MD
LG