Ndërlidhjet

Autoritetet kosovare tanimë kanë porositur edhe kontingjentin e parë të medikamenteve për trajtimin e gripit të derrave, i cili është përhapur në shumë vende të botës. Deri më tani, sipas tyre, është siguruar një sasi e konsiderueshme e dozave të Tamiflusë, bar ky që rekomandohet për këtë virus, dhe gjithashtu është bërë mobilizimi i gjithë stafit mjekësor në drejtim të përgatitjes për rastet e para të mundshme.

Haxhi Kamberi, nga Ministria e Shëndetësisë, thekson se masat që i ka marrë Ministria e Shëndetësisë, shkojnë në drejtim të preventivës së paraqitjes së gripit të derrave në Kosovë, në mobilizimin e stafit mjekësor, si dhe sigurimin e medikamenteve për këtë virus.

“Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë ka ngritur shkallën e gatishmërisë, njëkohësisht shkallën e gatishmërisë e kanë ngritur edhe institutet rajonale në Kosovë”, tha ai.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se QKUK-ja është e gatshme të veprojë konform planit të veprimit në gjendjen aktuale. Zoti Kamberi gjithashtu thekson se me qëllim të informimit të qytetarëve, kanë filluar të vendosin fletëpalosje.

“Në bazë të të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, deri më tani nuk kemi pasur asnjë rast të prekur nga ky virus dhe as që është dyshuar në ndonjë rast të tillë”, theksoi zoti Kamberi.

Në anën tjetër, drejtori i Klinikës Infektive të Kosovës, Shemsedin Dreshaj, shpjegon për simptomat dhe sëmundjen e gripit të derrave, që tanimë ka marrë jetën e mbi 150 personave në vende të ndryshme të botës.

“Gripi i derrit është një sëmundje e traktit respirator, e cila në mënyrë aksidentale përhapet nga derri tek njeriu. Pra, bëhet fjalë për një virus që prek rrugët e sipërme respiratore”, shpjegon doktor Dreshaj.

Gripi i derrave, shton ai, nuk dallon aspak nga influenca ose gripi normal i njerëzve. Kjo formë e gripit të derrave, që është aktualisht duke u prezantuar në botë, sipas tij, po veçohet me një manifestim klinik më të rëndë dhe me një vdekshmëri të lartë krahasuar me gripat e mëhershëm.

Doktor Dreshaj u rekomandon qytetarëve që në radhë të parë të kenë një higjienë të mirë të duarve, të përdorin ushqime të përgatitura mirë, pemë dhe fruta, si dhe të largohen nga vendet që janë potencialisht burim i infeksionit.

Ndër të tjera, ai sugjeron qytetarët që në rast të paraqitjes së çfarëdo temperature, të kërkohet ndihma e personelit mjekësor, i cili merret me trajtimin dhe me diagnostikimin e këtyre rasteve.

Masa për parandalimin e kësaj sëmundjeje dhe për informimin dhe sensibilizimin e qytetarëve të Kosovës për virusin, janë ndërmarrë edhe në Aeroportin e Prishtinës, në doganë dhe nga Policia e Kosovës.

Drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa, thekson:

“Është me rëndësi që situata po monitorohet në bazë të udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Qëllimi është që situata të monitorohet dhe të mos krijohet panik. Deri më tani nuk ka ndonjë shenjë të panikut tek pasagjerët”, tha ai

Gjithashtu, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Arbër Beka, në të gjitha pikat kufitare monitorohen udhëtarët që hyjnë nga këto pika. Ai thekson se në bashkëpunim me institucionet tjera relevante, janë marrë të gjitha masat e duhura.

“Nëpër vendkalimet kufitare të tjera nuk ka ekipe mjekësore. Mirëpo, sipas nevojës, edhe në këto do të vendosen ekipet mjekësore. Në të gjitha vendkalimet dhe në aeroport do të vendosen fletëpalosjet dhe udhëzuesit për simptomat e këtij virusi”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, zoti Beka.

Policia e Kosovës u bën apel të gjithë qytetarëve, sidomos atyre që vijnë nga diaspora, që në pikat kufitare të lajmërohen nëse kanë ndonjë prej simptomave që do t’i shohin në udhëzuesit që do t’i marrin në momentin e hyrjes në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG