Ndërlidhjet

logo-print

Dita e Punës - me papunësi të madhe


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

1 Maji, Kosovën e gjen me shifrën më të lartë të të papunëve në Evropë. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 43 % e popullsisë është e papunë. Por, statistikat e disa organizatave joqeveritare tregojnë që kjo shifër arrin mbi 60 për qind.


Hafiz Leka, kryesues i divizionit të punësimit në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, pohon se problem në këtë kuadër është se pjesa më e madhe e të papunëve janë të rinj dhe me nivel të arsimit të mesëm. Mbi 51 për qind e të papunëve janë të moshës prej 16 deri në 39 vjeç, thotë Leka.

“Kemi një shkallë shumë të lartë të papunësisë, kemi një shkallë prej 43 për qind. Për tejkalimin e kësaj gjendjeje apo për zbutjen e kësaj gjendjeje, ministria jonë është duke bërë përpjekje maksimale që ta bëjë zgjerimin e programeve, projekteve, të cilat në fokus kanë ngritjen e shkallës së punësimit”, tha Leka.

Por, përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës thonë se shifra e papunësisë në Kosovë arrin në mbi 60 për qind. Hasan Abazi, nënkryetar në BSPK, thotë se institucionet e Kosovës duhet të përqendrohen më tepër në krijimin e vendeve të reja të punës dhe njëherësh në përmirësimin e pozitës së të punësuarve, si në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat.

Për këtë arsye, Abazi thotë se kryesia e BSPK-së ka paralajmëruar protestë më 16 maj, në Prishtinë, si mundësi e vetme për zgjidhjen e problemeve të punëtorëve.

“Qeveria komplet e injoron zërin e punëtorit dhe të sindikatave. Prandaj, është arsye e plotë që të protestojmë, që edhe një herë t’ua bëjmë me dije gjendjen e punëtorëve dhe situatën ekonomike që është në Kosovë”,
u shpreh Abazi.

Në anën tjetër, Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se për shkak të shkallës së lartë të papunësisë, Dita Ndërkombëtare e Punës në Kosovë nuk ka arsye të festohet.

“Edhe ata që janë të punësuar, pjesa dërrmuese e tyre, me punën që e bëjnë, nuk janë në gjendje t’i sigurojnë as kushtet për ekzistencë minimale”, u shpreh Shala.

Megjithatë, zyrtarët qeveritarë nuk i mohojnë përpjekjet që po bëhen në drejtim të zbutjes së shkallës së papunësisë. Hafiz Leka thotë se në këtë kuadër, efekte negative mund të paraqesë kriza globale ekonomike.

“Kriza globale e ka ndikimin e vet në të gjitha proceset që janë duke u zhvilluar në Kosovë, e në veçanti ka ndikuar edhe në ngadalësimin e zhvillimit ekonomik, respektivisht të investimeve. Por, aq më tepër ka ndikuar edhe në tregun e punës në Kosovë...”,
tha Leka.

Sidoqoftë, shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë ka bërë që mbi 45 për qind e popullatës të përballen me varfëri, ndërkaq afër 18 për qind prej tyre jetojnë në varfëri ekstreme.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG