Ndërlidhjet

logo-print

A duhet të ketë plan për Mitrovicën?


Paqeruajtësit e KFOR-it në veri...

Paqeruajtësit e KFOR-it në veri...

Përderisa deputetë nga radhët e opozitës në Kuvendin e Kosovës kërkojnë që për Mitrovicën të hartohet një plan i veçantë, me të cilin do të kthehej normaliteti në këtë qytet, ata të partive në pushtet thonë të kundërtën.


Deputetët kosovarë ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me masat që autoritetet po ndërmarrin për krijimin e kushteve për kthimin e të zhvendosurve në Mitrovicë, përfshirë edhe krijimin e një ambienti paqësor.

Ndërsa deputetët nga koalicioni qeverisës u japin mbështetje përpjekjeve aktuale të autoriteteve për krijimin e kushteve për kthim nëpër mjedise të caktuara të Mitrovicës, deputetët opozitarë thonë se këto janë raste që dëshmojnë se për këtë pjesë të Kosovës duhet të ekzistojë një plan dhe jo zgjidhje parciale.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, thotë se për Mitrovicën ekziston plani dhe ai është dokumenti i presidentit Ahtisaari, që ka shërbyer edhe si bazë e Kushtetutës dhe ligjeve bazike shtetërore. Andaj, sipas Hazirit, nuk ka nevojë për plane shtesë.
Duhet të vazhdohet ky përkushtim dhe nuk guxojmë të ndalemi në realizimin e këtij projekti. Një plan i madh për Mitrovicën ekziston...

“Kthimi i qëndrueshëm në Mitrovicë, matanë lumit Ibër, tek Kroi i Vitakut dhe në lagjet tjera, është simbolikë e mirë e Qeverisë. Duhet të vazhdohet ky përkushtim dhe nuk guxojmë të ndalemi në realizimin e këtij projekti. Një plan i madh për Mitrovicën ekziston”.

“Ai jo që e ka pasur emrin Pakoja e Ahtisaarit, por është konvertuar në obligim kushtetues dhe se plani më i madh që duhet të zbatohet, lidhet me këto të drejta që në Mitrovicë, vonë a herët, do të tregojnë se është plani më i mirë, më i qëndrueshëm dhe më i realizueshëm në Kosovë”, thotë Haziri.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, është mjaft kritik ndaj institucioneve. Rastin e ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve që duan të kthehen në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicë, ai e sheh vetëm si një mbulesë që autoritetet, sipas tij, po u bëjnë problemeve të shumta në këtë pjesë të Kosovës.

Daci thotë se për Mitrovicën duhet të ekzistojë një plan që do të zbatohej dhe do të shërbente për kthimin e normalitetit të tërësishëm, duke mos besuar në suksesin e zgjidhjeve parciale.
Duhet të paraqitet program që e aprovon edhe Qeveria, por edhe opozita. Një program i detajuar në kohë dhe mënyrën e realizimit ...

“Duhet të paraqitet program që e aprovon edhe Qeveria, por edhe opozita. Një program i detajuar në kohë dhe mënyrën e realizimit. Prandaj, unë e them që kjo qeverisje mua ma përkujton të kaluarën dhe komunizmin, shumë reklamë, shumë fotografime, shumë prerje të shiritave dhe aspak veprim atje ku kërkohet. Mendoj që është një propagandë krejtësisht në kohë të keqe e zgjedhur dhe as mënyra e propagimit nuk është e mirë”, thekson Daci.

Në anën tjetër, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bajram Kosumi, thotë se plani për Mitrovicën duhet të ekzistojë, ngase vetëm ashtu mund të fillojë zgjidhja e problemit.

Deputeti Kosumi thotë se përderisa nuk ka plan për Mitrovicën, duhet kënaqur edhe me veprime të tilla, që të paktën një numër i banorëve të mund të shpresojë se do të rikthehet nëpër shtëpitë e tyre. Kosumi përshëndet vendosmërinë e EULEX-it që të mbrojë të drejtat legjitime të qytetarëve për t’u kthyer dhe jetuar në shtëpitë dhe pronat e tyre.

“EULEX-i sikur dëshiron ta dërgojë një sinjal se do të jetë i vendosur ta kryejë detyrën e vet si duhet. Nuk është fjala këtu vetëm për rindërtimin e disa shtëpive, por për normalizimin e jetës së përditshme të qytetarëve të Mitrovicës, qoftë ajo në veri apo qoftë në jug”.


“Është një çështje që në parim duhet të thuhet po, duhet të ekzistojë një plan më i gjerë. Por, derisa nuk ka një plan të tillë dhe Qeveria nuk është e gatshme, dhe dyshoj se ka kapacitete që të bëjë një plan të përgjithshëm, atëherë duhet të kënaqemi edhe me këtë që po shohim
”, thotë Kosumi.


Sidoqoftë, autoritetet qeveritare në Prishtinë thonë se janë të vendosura që në bashkëpunim me praninë ndërkombëtare të sigurojnë çdo qytetar se do të kthehet në shtëpinë dhe pronën e tij.

Mirëpo, pranohet se rasti i Mitrovicës është specifik, për shkak të ndikimit që ka Beogradi tek strukturat e atjeshme politike që përfaqësojnë serbët lokalë, të cilët nuk pajtohen me realitetin e krijuar në Kosovën e pavarur.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG