Ndërlidhjet

logo-print

Marrja e një vize Schengen, kosovarëve vazhdon t’u kushtojë shtrenjtë. MPB, ndërkohë, vlerëson faktin se tashmë pasaporta e re e Kosovës njihet nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe të tjerat që kanë njohur Kosovën.


Kosovarët vazhdojnë të kenë telashe udhëtimi për në shtetet e jashtme. Derisa shtetet e rajonit po negociojnë me Komisionin Evropian për lehtësim apo liberalizim të vizave, Kosova mbetet ende jashtë këtij procesi, për shkak të mosnjohjes nga pesë shtetet e Unionit Evropian.

Ndërkohë, derisa zyrtarët pajisen më lehtë me vizë, më së rëndi e pësojnë qytetarët e thjeshtë. Sabit Salihu e konsideron si diskriminim mungesën e lëvizjes së lirë.

“Ne edhe tash jemi në vështirësi. Ne jemi në geto. Vajza ime duhet të shkojë në Zvicër, që tri herë ia refuzojnë kërkesën. Bashkëshorti i punon atje, por nuk po ia japin vizën as për bashkim familjar, e as si vizitor. Nuk e di ku është problemi, nuk e di. Për besë, ne shqiptarët e Kosovës jemi të diskriminuar krahasuar me shtetet përreth”, pohon Salihu.

Për të marrë një vizë, përveç kohës së gjatë, duhet paguar edhe një sasi parash, që mund të shkojë nga 200- 500 euro, varësisht se për çfarë lloji vize aplikon. Veton Bekteshi punon në Ambasadën e Norvegjisë në Prishtinë. Ai konfirmon se procedurat të stërzgjatura përcjellin pajisjen e një qytetari me vizë.

“Shpresojmë se liberalizohen së shpejti, sepse vështirësitë janë të mëdha. Ka shumë çështje procedurale, duhet shumë letra e garancione. Unë s’kam pasur kërkesë të shkoj, por punoj në Ambasadë të Norvegjisë në Prishtinë dhe e di që procedurat janë më të gjata”, thotë Bekteshi.

Përveç problemeve me pajisje me vizë, kosovarët aktualisht kanë problem edhe me pasaportat e reja. Shtetet që më së shumti vizitohen nga kosovarët, janë ato të BE-së. Por, pesë nga këto shtete nuk njohin pavarësinë e Kosovës, kështu që, sipas Ministrisë së Punëvë të Brendshme, nuk japin viza Schengen, por vetëm shtetërore. Fisnik Rexhepi nga kjo ministri shpjegon:

“Të gjitha vendet e BE-së e kanë njohur pasaportën. Edhe ato që nuk e kanë njohur pavarësinë. Por, ato vendosin viza shtetërore. Ata shkojnë në vendin që aplikojnë për vizë. Të tjerat lëshojnë Schengen. Mund të them se është i vogël numri i atyre shteteve që nuk lëshojnë Schengen në pasaportat e Republikës së Kosovës
”, thotë Rexhepi.

Edhe pse Kosova nuk është përfshirë në negociatat për liberalizim vizash, MPB po bën përgatitje të njëanshmë për këtë proces. Fisnik Rexhepi thotë se së pari fillohet me pasaportat biometrike.

”Kosova ka dokumente shumë të sigurta dhe të kualitetit të lartë, ata kanë të dhëna biometrike. Krejt çka mungon, është instalimi i çipit. Është çështje teknike dhe nuk do na marrë kohë dhe resurse financiare për ta instaluar dhe kështu do ta plotësojmë një nga kriteret e BE-së. Ndërkohë, për liberalizim të vizave, për shkak të problemeve që kemi me mosnjohjen, ende nuk mund të hyjmë në marrëdhënie bilaterale”, tha Rexhepi.

Rexhepi thotë se pasaportat biometrike mund të lëshohen në vitin e ardhshëm. Ndërkohë, ditë më parë, zyrtarë nga Komisioni Evropian kanë thënë se Kosova do të përfshihet në liberalizimin e vizave, ashtu si vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, por vetëm nëse i plotëson kushtet e nevojshme.

"Duhet që në Kosovë, ashtu si dhe në vendet tjera, të përmbushen kushtet, të cilat janë vënë për të gjitha vendet ballkanike", ka thënë nënkryetari i Komisionit Evropian, Jacques Baro.

Sidoqoftë, ndryshe nga deklaratat, qytetarët thonë se në praktikë, aktualisht nuk është duke ndryshuar asgjë për të mirë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG