Ndërlidhjet

Veliq: Vendimi i GJND-së – vendimtar për statusin


Dragan Veliq
Dragan Veliq

“Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do ta drejtojë rrjedhën e mëtutjeshme mbi statusin e ardhshëm të Kosovës”, thotë kryetari i Këshillit Nacional Serb për Kosovën, Dragan Veliq.




RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Veliq, java e kaluar është shoqëruar me incidente në Kroin e Vitakut, ku EULEX-i ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit. Si e shihni ju këtë situatë?

DRAGAN VELIQ
Në secilin rast, këto incidente apo tensione në Kosovë nuk janë të mirëseardhura dhe kjo nuk është diçka që mund ta stabilizojë situatën dhe të ofrojë zgjidhje për raportet e përgjithshme.

Në anën tjetër, më duhet ta përmend se sa i përket vetë kthimit dhe arsyeshmërisë së protestave, sigurisht se ata kanë të drejtë për shumë arsye dhe unë do të përmend vetëm disa, si për shembull reciprociteti - e dimë se janë rreth 200 mijë të zhvendosur serbë dhe joshqiptarë, dhe nga ta janë kthyer vetëm dy për qind.

Në anën tjetër, ekziston një marrëveshje, që është nënshkruar nga Qeveria e Kosovës, institucionet e përkohshme dhe UNMIK-u, se parakusht për kthim duhet të jetë marrja e pëlqimit nga banorët lokalë, në këtë rast i bie nga komuniteti serb. Ky model duhet të respektohet dhe nuk duhet që të shikohet në mënyrë selektive.

RADIO EVROPA E LIRË
Serbët në veri nuk kundërshtojnë vetëm kthimin e shqiptarëve, por nuk bashkëpunojnë shumë me EULEX-in, si dhe vazhdojnë të bojkotojnë institucionet e Kosovës. Ku mund të çojë qëndrimi i vazhdueshëm i tillë i serbëve?

DRAGAN VELIQ
Sa i përket EULEX-it, ju e dini mirë se ky mision pranohet nga Beogradi zyrtar dhe nga një pjesë dërrmuese e serbëve të Kosovës, por nëse vepron në përputhje me Rezolutën 1244.

Por, disa nga veprimet që po i bën EULEX-i, si moslejimi i hyrjes në Kosovë i zyrtarëve nga Beogradi, nuk janë në mandat të tij. Nuk duhet përgjithësuar se nuk është i pranueshëm. Misioni pranohet, por duhet të punojë në përputhje me mandatin e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova tashmë më shumë se një vit është e pavarur. Ndërkohë që procesi mbi pavarësinë e saj po vazhdon në GJND. A mendoni se cilido vendim i GJND-së do të ndryshojë diçka në realitet?

DRAGAN VELIQ
E dimë se vendimi i GJND-së nuk është obligativ, por e dimë se do të ketë rëndësi në kuptimin e njohjeve të reja.

Unë shpresoj se fuqia e argumenteve, fuqia e fakteve dhe e dokumenteve juridike që ekzistojnë në lidhje me këtë çështje, do të bëjnë që vendimi të jetë në anën e Serbisë, apo mund të ketë edhe ndonjë vendim, të cilin e interpreton ndryshe secila palë. Kjo nuk do të ishte e mirë.

Megjithatë, për këtë çështje nuk mund të paragjykojmë. Por, në secilin rast, edhe pse nuk është obligative, ajo sigurisht do ta drejtojë rrjedhën e mëtutjeshme mbi statusin e ardhshëm të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË

Kosova gjendet në procesin e organizimit të zgjedhjeve lokale, të cilat duhet të mbahen në vjeshtë të këtij viti. Mendoni se serbët duhet të marrin pjesë në to?

DRAGAN VELIQ
Vetë Plani i Ahtisaarit nuk është pranuar në Këshillin e Sigurimit dhe e dimë se ky plan nuk ofron zgjidhje konkrete sa i përket decentralizimit, që lidhet me pyetjen tuaj për zgjedhjet lokale. Prandaj, nuk mund të pranohet nga ana e komunitetit serb.

Ajo që duhet bërë, është që bashkësia ndërkombëtare, para se gjithash UNMIK-u, të krijojë kushtet, në të cilat do të arrihet mundësia për marrëveshje në kuptimin e decentralizimit.

Ne kemi në njërën anë Planin e Ahtisaarit, i cili është i papranueshëm, por me siguri se në atë plan ka gjëra të caktuara, për të cilat mund të bisedohet, si dhe kemi edhe planin që ka qenë në Vjenë nga ana e serbëve, gjegjësisht Republikës së Serbisë. E dimë për këtë plan, gjegjësisht për këto bisedime, se si janë zhvilluar dhe si kanë përfunduar.

Por, thjesht, duhet biseduar për faktin dhe gjendjen faktike, si dhe për zgjidhjet që ekzistojnë në atë plan. Rrjedhimisht, nga kjo shoh se nëse ka vullnet të mirë dhe ekziston vullnet politik, atëherë ekziston edhe mundësia që të bisedohet edhe për pjesëmarrjen serioze të serbëve në procesin e decentralizimit.

Nëse përsëri këmbëngulet në sistemin e imponimeve, si dhe të kërkohen serbë të caktuar, të cilët do të marrin pjesë, pa marrë parasysh se a do të jetë kjo e përshtatshme për bashkësinë serbe, sigurisht se kjo nuk do të çojë drejt një zgjidhjeje serioze.

Mund të përfundoj se, thjesht, po presim nga bashkësia ndërkombëtare, UNIMK-u dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare, të cilat janë në Kosovë dhe kanë mandat që të bisedojnë lidhur me këtë çështje dhe çështjet tjera, që këtë proces ta udhëheqin në këtë drejtim.

Cilado mënyrë, ose kjo që sot Zyra Civile Ndërkombëtare po përpiqet ta realizojë planin e Martti Ahtisaarit edhe në këtë pjesë të procesit të decentralizimit, pa pajtimin e serbëve, me siguri se nuk do të jetë adekuate.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni vetë procesin e decentralizimit? Mendoni se kjo është rruga e drejtë për zgjidhjen e problemit të komunitetit serb?

DRAGAN VELIQ
Një çështje serioze është decentralizimi dhe mbrojtja institucionale e serbëve dhe joshqiptarëve tjerë. Vetëm me këtë do të mund të ngrihet besimi.

Një nga segmentet e sigurisë është pushteti lokal. E dimë se çështjet themelore të jetesës mund të zgjidhen përmes procesit të decentralizimit. Por, e vetmja mënyrë që mund të ketë sukses ky proces, është nëse ai është i pranueshëm nga të gjitha palët.

Thjesht, procesi i decentralizimit është i rëndësishëm, por jo të realizohet me çdo çmim dhe të jetë zgjidhje e çfarëdoshme.
XS
SM
MD
LG