Ndërlidhjet

Larg kritereve për liberalizim vizash


Ekspertët për integrime evropiane dhe analistët politikë në Kosovë mendojnë se krahas kritereve teknike, edhe problemet politike do të vështirësojnë procesin e Kosovës për liberalizim vizash me Bashkimin Evropian.


Kosovës do t’i duhet një kohë e gjatë për t’i përmbushur kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave me vendet anëtare të këtij mekanizmi.

Kështu thonë ekspertët për integrime evropiane dhe analistët politikë në Prishtinë, të cilët vlerësojnë se Kosova, krahasuar me vendet e rajonit, ka mbetur prapa në përmbushjen e kritereve, siç janë siguria e dokumenteve të udhëtimit, çështjet e migracionit, ku përfshihet procesi i riatdhesimit, pastaj sundimi i ligjit, si dhe realizimi i të drejtave të njeriut.

Eksperti Bardhyl Hasanpapaj, megjithatë, vlerëson se Kosova nuk do të përjashtohet nga vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë proces.

“Kosova, realisht, është shumë prapa. Procesi i liberalizmit të vizave me Bashkimin Evropian është pjesë e procesit të stabilizim-asociimit apo asaj që quhet qasja rajonale ndaj Ballkanit Perëndimor. Kosova automatikisht do të jetë pjesë e liberalizimit të vizave”,
u shpreh Hasanpapaj.

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Jaques Barrot, ditë më parë, deklaroi se Kosova do të ketë trajtimin e njëjtë me vendet e rajonit sa i përket procesit të liberalizmit të vizave dhe se do të përfshihet në këtë proces po qe se i përmbush kriteret e nevojshme.

Sidoqoftë, sipas Hasanpapajt, realizimi i kërkesave teknike nga Prishtina zyrtare nuk do të mjaftojë, ngase shumëçka do të varet dhe nga raporti i Komisionit Evropian mbi gatishmërinë e vendit për të hyrë në këtë proces, si dhe nga vendimi i Këshillit Evropian për këtë çështje.

“Komisioni Evropian e quan raport të gatishmërisë atë që sa i gatshëm është një vend të fillojë hapat konkretë të liberalizimit të vizave, i cili pasohet me një raport tjetër të detajuar, e që përfundon me një mendim përfundimtar që jepet nga Komisioni Evropian, që i drejtohet Këshillit. Në momentin përfundimtar, është Këshilli ai që duhet të vendosë dhe aty mund të hasim në kërkesën përfundimtare që quhet ‘Vota në Këshill’”, tha Hasanpapaj.

Fakti që shtetësinë e Kosovës nuk e kanë njohur 5 nga gjithsejtë 27 vendet anëtare të BE-së, sipas analistit, Driton Lajçi, mund të jetë një pengesë kryesore e së ashtuquajturës “votë në Këshill”.

“Janë aty vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe të cilat ndoshta nuk janë të gatshme që të liberalizojnë vizat, për shkak të pengesave politike që kanë të bëjnë pikërisht me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga ato”, tha Lajçi.

Ndërkohë, pas kërkesës së tetë shteteve anëtare të BE-së drejtuar, ditë më parë, Komisionit Evropian për heqjen e vizave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, institucionet përgjegjëse kosovare patën deklaruar se nuk ka gjasa reale që edhe për Kosovën, në fazën e parë, të hiqen vizat për Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG