Ndërlidhjet

Ftesë publike për kthimin e serbëve


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri për Komunitete dhe Kthim, Sasha Rashiq, u ka bërë sot thirrje publike serbëve të zhvendosur që të kthehen në pronat dhe shtëpitë e tyre.


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u ka bërë sot thirrje publike të gjithë personave të zhvendosur, sidomos atyre serbë, që të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre.

Thaçi, i shoqëruar edhe nga ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Sasha Rashiq, i ka bërë thirrje edhe Beogradit, që të ndikojë pozitivisht në procesin e kthimit të serbëve që aktualisht janë të strehuar në Serbi.

Kryeministri i Kosovës tha se ftesa e tij publike kishte të bënte me të gjithë personat e zhvendosur, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Në Kosovë tash janë krijuar kushte më të mira të sigurisë, rrethana më të mira ekonomike dhe mjedis paqësor, tha Thaçi.

“Ky është mesazh që u dërgohet në emër të Qeverisë së Kosovës të gjithë njerëzve kudo që jetojnë, e që aktualisht nuk janë në pronat, shtëpitë dhe banesat e tyre. Ne po ndërtojmë vend demokratik, me shoqëri shumetnike. Janë krijuar kushtet e sigurisë dhe mundësitë më të mëdha të jetesës, të jetës më të mirë, të jetës së re, që çdo qytetar, pa dallim të përkatësisë etnike, të jetojë aty ku dëshiron të jetojë. Kemi klimë dhe ambient të sigurt”, theksoi Thaçi.

Kosova do t’i kryejë të gjitha obligimet kushtetuese dhe ato që dalin nga Pakoja e presidentit Ahtisaari në lidhje me kthimet, u zotua Thaçi. Një mesazh të veçantë, Thaçi adresoi edhe për serbët e zhvendosur në Serbi dhe Qeverinë e Beogradit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të krijojë kushte edhe më të mira për të gjithë qytetarët që kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre. Në kuadër të kësaj, u bëjmë edhe një herë ftesë qytetarëve serbë që jetojnë edhe në Serbi, për kthim në vendet, në shtëpitë dhe banesat e tyre”.
Ftoj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Qeverinë e Serbisë, autoritetet në Beograd, që të jenë ndihmuese në kthimin e njerëzve në shtëpitë dhe pronat e tyre këtu dhe të mos jenë penguese ...

“Gjithashtu ftoj, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Qeverinë e Serbisë, autoritetet në Beograd, që të jenë ndihmuese në kthimin e njerëzve në shtëpitë dhe pronat e tyre këtu dhe të mos jenë penguese; për qëllime politike, të manipulojnë këtë proces”,
deklaroi kryeministri kosovar.

Sa i përket Kosovës, Thaçi tha se Qeveria e tij do t’i mbështesë politikisht dhe financiarisht projektet e kthimit.

Ndërkaq, ministri për Komunitete dhe Kthim, Sasha Rashiq, tha se kishte mbështetjen e plotë të kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës që t’i siguronte të kthyerit për riintegrim në Kosovë.

“I ftoj të gjithë të zhvendosurit, sidomos ata të bashkësisë serbe, që të kthehen dhe jo vetëm aq, por edhe të vendosin të jetojnë në Kosovë”, tha Rashiq.

Rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve në veri...
Në anën tjetër, kryeministri Hashim Thaçi tha se kthimi i njerëzve në pronat dhe shtëpitë e tyre nuk ndërlidhet me veriun dhe jugun e Mitrovicës dhe as me pjesët tjera të Kosovës.

“Secili ka të drejtë të kthehet dhe të jetojë në pronën e tij”, u shpreh Thaçi.

Kundërshtarët e kthimeve, ai i cilësoi si njerëz që kanë pikëpamje të prapambetura, që përkojnë me shekujt e kaluar.

* * * * * * * * * *

Ndërkaq, qëndrim i politikanëve serbë në Kosovë është që edhe shqiptarët, edhe serbët, kanë të drejtë të kthehen në shtëpitë e tyre, por, sipas tyre, kjo duhet të ndodhë në mënyrë reciproke.

Forcat e rendit përdorin gaz lotsjellës për t'i shpërndarë protestuesit...
Komentet vijnë pas tensioneve të vazhdueshme në Kroin e Vitakut, ku forcat e rendit, tashmë çdo ditë, po shpërndajnë protestuesit serbë me gaz lotsjellës. Serbët lokalë po kundërshtojnë rindërtimin e shtëpive dhe kthimin e shqiptarëve në këtë lagje.

Politikanët serbë paralajmërojnë se tensionet e vazhdueshme në këtë pjesë mund të përshkallëzojnë situatën. Kreu i Këshillit Kombëtar Serb për veriun e Mitrovicës, Nebojsha Joviq, thotë se duhet sa më parë të nisë kthimi reciprok.

“Unë mendoj se edhe vetë banorët e Kroit të Vitakut dhe të gjithë politikanët e veriut kanë thënë se nuk kanë asgjë kundër që ata të kthehen, megjithatë, me rastin e kthimit, duhet të përshpejtohet edhe procesi i integrimit, sepse nuk mund të ndodhë kjo pa marrëveshje”, tha Joviq.

Serbët kërkojnë që të ndalohet rindërtimi i shtëpive në Kroin e Vitakut, meqë, siç thonë ata, ekziston një marrëveshje që shtëpitë mund të ndërtohen vetëm me pëlqimin e të dyja komuniteteve – serbëve dhe shqiptarëve. Pala shqiptare ka mohuar të ketë marrëveshje të tillë.

Sipas Joviqit, prioritet duhet të jetë kthimi i serbëve në mjediset urbane, pastaj në pjesën jugore, e tek atëherë të kthehen shqiptarët në veri.
Çelësi i zgjidhjes është nisja e bisedimeve dhe ndërprerja e ndërtimit të dhunshëm... Së pari, le të kthehen 50 familje serbe në pjesën jugore, e atëherë mund të mendohet për kthimin e pesë familjeve shqiptare në pjesën veriore...

“Ne kërkojmë reciprocitet, jo një për një - si numër duhet të jetë shumë më i madh, sepse në njërën anë kemi 250 mijë serbë të zhvendosur dhe, në anën tjetër, kemi mijëra shqiptarë të zhvendosur. Çelësi i zgjidhjes është nisja e bisedimeve dhe ndërprerja e ndërtimit të dhunshëm”.

“Së pari, le të kthehen 50 familje serbe në pjesën jugore, e atëherë mund të mendohet për kthimin e pesë familjeve shqiptare në pjesën veriore. Dhe, kjo të shërbejë si model jo vetëm për Mitrovicën, sepse së shpejti do të kërkojmë kthimin në Vushtrri, Pejë, Prishtinë”,
thotë Joviq.

Shumë serbë, që jetojnë në pjesën qendrore të Kosovës, po e përcjellin me kujdes situatën në Mitrovicën veriore. Kryetari i Partisë së Ripërtëritjes Serbe për Kosovën, Rangjel Nojkiq, nga Graçanica, thotë se nëse insistohet në kthimin e serbëve në Kosovë, atëherë nuk guxohet që të pengohet kthimi i shqiptarëve.

“Konsideroj se në këtë gjithmonë do të kërkohet arsyetim kur serbët të kërkojnë që të kthehen në pronat e tyre, atje ku shqiptarët janë shumicë, ku ata kanë kontrollin absolut të territoreve”, thotë Nojkiq.

Ai fton liderët serbë të veriut që të jenë fleksibilë dhe të shfrytëzojnë rastin e të sjellin zgjidhje.

”Mendoj se ky është një shans që serbët duhet ta shfrytëzojnë, në mënyrë që të mundësohet kthimi, e më pas të përdoret si shembull se si është zgjidhur kjo çështje atje ku serbët kanë qenë shumicë apo kanë një lloj kontrolli. Kështu që nuk mendoj se forma e tanishme është e duhura
”, tha Nojkiq.

Paqeruajtësit e KFOR-it në veri të Mitrovicës...
Nebojsha Joviq, ndërkaq, beson se liderët lokalë serbë duhet të nisin bisedime me shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar dhe të përgatisin plane konkrete për kthimin e serbëve.

“Mendoj se është pak të thuhet nëse shqiptarët vijnë këtu dhe ne dëshirojmë në pjesën jugore. Duhet thënë konkretisht se ku. Për mua, duhet të ketë ndonjë apartament afër urës, që në rast problemi, ne t’u ndihmojmë bashkëqytetarëve tanë”, tha Joviq.

Ai ka shtuar se nuk është i kënaqur me punën e komunitetit ndërkombëtar dhe i ka bërë thirrje EULEX-it që të sillet si neutral, ndërsa shtetit serb që të përfshihet në zgjidhjen e problemit.

Në ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka vlerësuar se rindërtimi i shtëpive nuk guxon të politizohet dhe se askush nuk mund ta pengojë procesin e kthimit.
XS
SM
MD
LG