Ndërlidhjet

“Kosova fiton betejën e FMN-së me Serbinë”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Shtypi kosovar shprehet shumë optimist se Kosova do t’i fitojë votat e mjaftueshme, që që nga dita e sotme të jetë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Gazeta “Koha Ditore” shkruan se Kosova fiton betejën e FMN-së me Serbinë. Kosova është shumë afër anëtarësimit të plotë në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Lobimi pro Kosovës ka dalë triumfues krahasuar me lobimin serb kundër anëtarësimit të saj në këtë institucion, shkruan “Koha Ditore”.

Driton Qehaja, përfaqësues i Qeverisë në këtë proces, i ka thënë gazetës se tashmë është arritur kuota e mjaftueshme që Kosova të anëtarësohet në FMN dhe se kjo do të vërtetohet me gjasë gjatë ditës së sotme.

Në të njëjtën temë, gazeta “Bota Sot” paralajmëron nga ballina e saj se nga dita e sotme, diku rreth orës 23, sipas kohës lokale, Kosova bëhet anëtare e FMN-së.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi, i ka thënë gazetës se me këtë anëtarësim, Kosovës i hapen dyert për kredi. Rexhepi ka shprehur besimin e tij se Kosova do të jetë e gatshme t’i përmbushë standardet e parashikuara, në mënyrë që të marrë rolin e vet që i takon si anëtare e FMN-së.

Gazeta “Koha Ditore”, në ballinën e saj, boton një artikull ku paraqiten pikëpamjet e përfaqësuesve ndërkombëtarë në lidhje me misionin e UNMIK-ut. Ndërkombëtarët u thonë kosovarëve t’i heshtin kritikat ndaj UNMIK-ut, shkruan gazeta.

Vendet e Quint-it dhe Pieter Feith u kanë kërkuar autoriteteve të Kosovës që të tërhiqen nga kritikat e adresuara në drejtim të UNMIK-ut, citon burimet e saj “Koha Ditore”. Aty thuhet se përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë vënë në pah nevojën e shfrytëzimit të mëtutjeshëm të pranisë së misionit të OKB-së në Kosovë për çështje të ndryshme.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, i ka thënë gazetës se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është realist dhe jo kritik, i cili bazohet në realitetin ekzistues, në të cilin UNMIK-u është i panevojshëm.

Gazeta rikujton kërkesat e zyrtarëve të lartë të Kosovës që UNMIK-u t’i japë fund misionit, kurse vendet që kanë stafin e tyre në këtë administratë, t’i tërheqin ato nga Kosova.

Ndërkaq, në një lajm në gazetën “Zëri” thuhet se Kosova ka siguruar anti-viralë kundër gripit të derrave.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, vijon “Zëri”, kanë thënë se deri më tash nuk ka asnjë rast të dyshimtë me gripin e derrave, ndërsa kanë bërë të ditur se janë blerë 10 mijë pako anti-viralë Tamiflu, sasi kjo së cilës i shtohen edhe 2.500 pako të tjera ekzistuese. Ministria thuhet se është në procedurë të blerjes edhe të 10 mijë pakove të tjera.
XS
SM
MD
LG