Ndërlidhjet

logo-print

A do të dihet kush nuk e deklaron pasurinë?


Ligjvënësit kosovarë

Ligjvënësit kosovarë

Nga 800 zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, deklarimin e pasurisë, deri më tash, e kanë bërë mbi 95 për qind e tyre, ndërkaq numri i atyre që nuk e kanë bërë këtë, sillet rreth 30 ose rreth 4 për qind e zyrtarëve.

Kështu thotë Jetullah Aliu, drejtor i Departamentit për parandalimin e korrupsionit në kuadër të Agjencisë Kosovare kundër Korrupsionit, i cili thekson se ky është rezultati i përafërt nga afati shtesë i mbledhjes së deklaratave mbi pasurinë nga zyrtarët e lartë.

“Pas përfundimit të afatit të rregullt, më 31 mars të këtij viti, Agjencia e ka nxjerrë një afat shtesë, që Ligji kundër korrupsionit e lejon një gjë të tillë, dhe ky afat nuk është më i shkurtër se 15 ditë. Gjatë kësaj faze, përsëri një numër tjetër i zyrtarëve të lartë kanë sjellë formularët".

"Është një përqindje shumë e vogël e zyrtarëve, të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë. Besoj se do të jetë rreth 3 apo 4 për qind. Me datën 8 të po këtij muaji, ne do t’i bëjmë edhe publikë emrat e zyrtarëve, të cilët nuk e kanë bërë deklarimin e pasurisë”, tha Aliu.

Gjatë kësaj faze, shtoi zoti Aliu, është bërë edhe kontrolli i formularëve, me të cilët deklarohet pasuria, si dhe krahasimi i tyre me ato të viteve të kaluara të zyrtarëve, të cilët i kishin deponuar ato.

Ai tha se deri në ditën e publikimit të raportit mbi deklarimin e pasurisë, nuk do të jetë e mundur të bëhet e ditur se cilët janë zyrtarët, të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë dhe sa të tillë i përkasin Kuvendit të Kosovës ose Qeverisë.

Ndërkaq, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se janë duke e pritur publikimin e raportit nga Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit. Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë, thekson se deklarimi i pasurisë nga zyrtarët e institucioneve është kërkesë e Qeverisë së Kosovës.

“Ne kemi kërkuar dhe është e logjikshme që të kërkojmë, sepse është obligim i të gjithë zyrtarëve të lartë që të deklarojnë pasurinë e tyre. Shpresojmë se deri në momentin e fundit, ata tashmë e kanë bërë. Për sa i përket mosdeklarimeve, ne do të merremi me to, nëse ato ndodhin, pasi që të kemi informacione konkrete”,
theksoi Krasniqi.

Masa ndaj zyrtarëve që nuk kanë deklaruar pasurinë, ka paralajmëruar edhe drejtori i Departamentit për parandalimin e korrupsionit, zoti Aliu.

“Ne do t’i bëjmë publikë emrat e zyrtarëve që nuk janë deklaruar. Pas kësaj, ne do të njoftojmë institucionin, në të cilin është në marrëdhënie pune personi apo zyrtari i lartë, dhe Agjencia nxjerr një paralajmërim që t’i zvogëlohet një e pesta e pagës së zyrtarit të lartë, për tre muaj rresht".

"Nëse përsëri, brenda tre muajve, nuk e sjell formularin te Agjencia, atëherë Agjencia nxjerr një paralajmërim, ku institucioni fillon me shkarkimin ose me procedurën e shkarkimit të zyrtarit, në vendin në të cilin është duke punuar”,
sqaroi Aliu.

Sido që të jetë, deklarimin e pasurisë në afatin shtesë është dashur ta bëjnë 173 zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, të cilët këtë nuk e kishin bërë në afatin e muajit mars të këtij viti.

Kapitulli i katërt i Ligjit kundër korrupsionit, i cili është aktualisht në fuqi, i obligon zyrtarët e lartë që të deklarojnë pasurinë, por ende mungon Ligji që obligon zbardhjen e prejardhjes së pasurisë.

Javë më parë, Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvendin e Kosovës Ligjin mbi prejardhjen, deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, i cili pritet të miratohet së shpejti.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG