Ndërlidhjet

logo-print

Protestat e vazhdueshme në Mitrovicë


Forcat e rendit përdorin gaz lotsjellës ndaj protestuesve...

Forcat e rendit përdorin gaz lotsjellës ndaj protestuesve...

Edhe sot, në lagjen Kroi i Vitakut, serbët kanë protestuar. Sërish u përdor gazi lotsjellës. Autoritetet e rendit dhe ekspertët e sigurisë thonë se nëse tensionet e tilla vazhdojnë, situata mund të përkeqësohet.



Për të nëntën ditë me radhë kanë vazhduar protestat e serbëve lokalë te Kroi i Vitakut, të cilat edhe sot u ndërprenë nga përdorimi i gazit lotsjellës.

Derisa serbët kundërshtojnë ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve, punimet vazhdojnë nën masa të shtuara të sigurisë. Autoritetet e rendit bëjnë të ditur se përderisa protestat vazhdojnë, situata e sigurisë atje vazhdon të mbetet e tensionuar.
Policia sërish ka përdorur gazin lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit. Nuk është raportuar për të lënduar e as për të arrestuar...

“Edhe protesta e ditës së sotme ka pasur një intensitet të ngjashëm ose një rrjedhë të ngjarjes si në ditët e kaluara. Protesta e ditës së sotme është përmbyllur rreth orës 11:00, me shpërndarjen e protestuesve - diku rreth 100 personave, sa ishin prezentë në këtë protestë. Policia sërish ka përdorur gazin lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit. Nuk është raportuar për të lënduar e as për të arrestuar”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Zoti Hoti bëri të ditur se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe Policinë e EULEX-it, kanë plane të përbashkëta të veprimit gjatë këtyre ditëve, siç thotë ai, për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës.

“Marrë parasysh procesin e rindërtimit të këtyre shtëpive, ne kemi planin tonë të veprimit, mendoj në fazën e parë, gjersa rindërtimi është në proces. Ndërsa, më pas, sigurisht që planet duhet të rishikohen dhe të adaptohen në formën më të mirë të mundshme, në mënyrë që siguria, niveli i sigurisë të jetë i pranueshëm".

"E kemi përsëritur disa herë se për të ofruar një siguri maksimale për komunitetet, e në veçanti në zonat e banuara me popullatë të përzier, ne, si institucion i vetëm, nuk mund të arrijmë; normalisht që duhet edhe përkrahje e komuniteteve, por edhe e institucioneve të tjera”,
tha Hoti.

Nga ana tjetër, situatën në veri të Mitrovicës eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, e sheh si të tensionuar, derisa pohon se Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, duhet të ndërmarrë masa për qetësimin e gjendjes.

Pamje në veri...
“Situata aty përherë ka qenë e tensionuar. Duhet kuptuar se Qeveria, në partneritet me prezencën ndërkombëtare dhe civile, edhe të sektorit të sigurisë, duhet t’i vetëdijesojë ekstremistët, nga cilado palë qofshin ata, që nuk do të heqin dorë në aktivitetet dhe në kthimin e të zhvendosurve gjithkund në Kosovë, tash edhe në këtë pjesë të Mitrovicës”,
tha Ibishi.

Zoti Ibishi thotë se një situatë e tillë, çfarë është aktualisht në Mitrovicë, mund të zgjasë për aq kohë sa institucionet e vendit nuk ndërmarrin hapat e duhur politikë për të përmirësuar gjendjen.

“Masat duhet të jenë të ndërlidhura nga faktori i sigurisë, por normal edhe me mundësinë që edhe Qeveria, edhe prezenca ndërkombëtare, por edhe niveli lokal, të ngrihen në një nivel bashkëpunimi dhe vetëdijesimi të popullatës në të dyja anët, që në një formë t’i zbusin këto tensione dhe të tregojnë vendosmërinë që nuk do të hiqet dorë nga orvatjet ekstremiste”, tha Ibishi.

Ndryshe, përfaqësuesit e strukturave politike dhe të sigurisë në Mitrovicë kanë vlerësuar se situata e sigurisë gjatë këtyre ditëve, përkundër incidenteve, ka qenë nën kontroll të strukturave të rendit.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, ka përshëndetur punën e strukturave të sigurisë, të cilat kanë treguar vendosmëri dhe kanë mbajtur gjendjen nën kontroll, duke dhënë një mesazh të mirë për grupet kriminale.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG