Ndërlidhjet

Në pritje të anëtarësimit në FMN


Fondi Monetar Ndërkombëtar

Fondi Monetar Ndërkombëtar

Zyrtarët kosovarë besojnë se votimi për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, do të përfundojë me sukses dhe Kosova përfundimisht do të bëhet pjesë e këtij mekanizmi të fuqishëm financiar.



Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, gjatë një konference për media, tha se, sipas informacioneve të marra nga Uashingtoni, Kosova është shumë afër mbledhjes së votave të mjaftueshme për t’u anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Deri në orën 18, sipas kohës së Uashingtonit, Kosovës i nevojiten votat e 93 shteteve anëtare të FMN-së, për të mbuluar së paku 66 për qind të fuqisë votuese të FMN-së, dhe prej kësaj ajo duhet të dalë si fituese e shumicës së votave.
Hyrja e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, konsideroj se përfundimisht e vulos edhe rezultatin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Hyrja e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, konsideroj se përfundimisht e vulos edhe rezultatin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo legjitimon botërisht të drejtën e Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe i hapur, për t’u integruar në institucionet ndërkombëtare financiare dhe për të qenë pjesë e të barabartëve”,
theksoi zoti Shala.

Duke u shprehur mjaft optimist, ministri Shala tha se brenda kësaj jave edhe zyrtarisht menaxhmenti i Fondit Monetar Ndërkombëtar do të konfirmojë anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion, si pjesëtare e barabartë e këtij mekanizmi financiar.

Zoti Shala, po ashtu, tha se kanë informacione se shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, e kanë përkrahur pjesëmarrjen e Kosovës në FMN, e që, siç thotë ai, ky është një hap para njohjes së shtetit të Kosovës nga këto vende.

Anëtarësimi i Kosovës në FMN është parakusht për anëtarësim në çdo institucion tjetër financiar dhe po ashtu hap dyert për anëtarësim në institucionet tjera. Zoti Shala konfirmoi se ka filluar procesi i votimit në Bankën Botërore, i cili pritet të përmbyllet më 3 qershor.

“Komiteti për anëtarësim i FMN-së ka aprovuar kuotën për anëtarësim të Kosovës në FMN - kuotë e cila kap shumën rreth 65 milionë SDR, që quhet e Drejta e Tërheqjes, e që transferuar në kuota eurosh është rreth 65 milionë euro”,
shpjegoi zoti Shala.

Ministri Shala pohoi se pas anëtarësimit në FMN, do të bëhen përpjekje për tërheqjen e kredive të buta për financimin e projekteve, të cilat mundësojnë zhvillimin ekonomik.

Selia e Bankës Botërore në Uashington
Përfaqësuesit e Institutit për Studime të Avancuara, GAP, thonë se më me rendësi në këtë periudhë është fakti se FMN-ja dhe BB-ja janë dy institucione të rëndësishme financiare dhe anëtarësia në këto institucione, përveç përparësive zhvillimore dhe financiare, do të forconte legjitimitetin e Kosovës si shtet i pavarur.


Shpend Ahemti, drejtor i këtij instituti, thotë se ka ende procedura pas këtij votimi, i cili pritet të përfundojë sot.

“Kuvendi i Kosovës duhet të kalojë Ligjin për anëtarësimin e Kosovës në institucionet financiare ndërkombëtare dhe, më tutje, duhet të nënshkruhen marrëveshjet në selinë në Uashington. Shpresojmë që deri në fund të qershorit, Kosova të jetë anëtare e FMN-së dhe BB-së”,
u shpreh zoti Ahmeti.

Përparësitë e anëtarësimit përfshijnë ndihma në reformat strukturale, me qëllim të zbutjes së varfërisë, fonde për të arritur këto reforma strukturale, informata të besueshme, të cilat mund t’u shkojnë investitorëve për ekonominë dhe rrezikun e investimeve në Kosovë, që në fund do të çojnë drejt rangimit kreditor të Kosovës, dhe ndihmë në politikat drejt arritjes së stabilitetit makroekonomik dhe fiskal.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG