Ndërlidhjet

Vihet në pikëpyetje funksionaliteti i KSK-së


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Opozita ka kritikuar udhëheqësit e shtetit të Kosovës për mungesë vizioni dhe strategjie për fushën e sigurisë në Kosovë, për të cilën, sipas tyre, është përgjegjës dhe Këshilli i Sigurisë së Kosovës. Përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, ndërkohë, thonë se ky këshill po kryen punën e vet në përputhje me ligjin.


Mungesa e një takimi pasues nga ai inaugural i Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të mbajtur në muajin shkurt të këtij viti, ka nxitur kritika në radhët e njërës nga tri partitë opozitare që veprojnë në Kosovë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kritikuar institucionet e shtetit të Kosovës për mungesë politikash dhe strategjish për sektorin e sigurisë së Kosovës.

Sipas përfaqësuesve të kësaj partie, institucioni përgjegjës për krijimin e Strategjisë së Sigurisë Nacionale, e që është Këshilli i Sigurisë së Kosovës, nuk ka kryer punën e vet për të hartuar këtë strategji, e cila, sipas AAK-së, vlerësohet të jetë e nevojshme në fazën aktuale, në të cilën gjendet Kosova.

Sekretari organizativ i AAK-së, Burim Ramadani, sqaron qëndrimin e partisë që përfaqëson, në lidhje me këtë çështje:

“Këto janë zhvillime, të cilat ne i quajmë politika mosvepruese të institucioneve të Kosovës; do të thotë, çdo gjë ndodh vetëm sa për të arritur një afat. Kjo ndodh me shumë vonesa dhe bëhet në një afat sa për të thënë para qytetarëve të Kosovës se ne po veprojmë. Por, në fakt, janë politika mosvepruese”, tha Ramadani.

AAK i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe presidentit Fatmir Sejdiu, që të mbledhin sa më shpejt Këshillin e Sigurisë së Kosovës në një, siç thuhet, takim të qartë pune, të themelojnë grupin për hartimin e Strategjisë së Sigurisë Nacionale, të iniciojnë vlerësimin gjithëpërfshirës për gjendjen e sigurisë së përgjithshme të Kosovës, si dhe të trajtojnë situatën në veri të Kosovës, duke hartuar strategjinë e posaçme për atë pjesë të Kosovës.

Zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri, thekson se presidenti Sejdiu mund të thërrasë mbledhjen e Këshillit në fjalë vetëm në rast të gjendjes së jashtëzakonshme.

“Meqë në Kosovë nuk mbretëron gjendja e jashtëzakonshme, presidenti nuk mund ta thërrasë mbledhjen e Këshillit”, tha Beqiri.

Sipas Ligjit mbi themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ky Këshill, formimi i të cilit parashihej dhe me Planin e Ahtisaarit, duhet të mblidhet të paktën një herë në tre muaj.

Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë vlerëson se Këshilli i Sigurisë së Kosovës po kryen punën e vet sipas ligjit. Zëdhënësi i ICO-së, Kai Mueller Berner, thotë se nuk është shkelur ligji në këtë rast.

“Këshilli i Sigurisë së Kosovës parashihet të mbajë takime çdo tre muaj dhe kam informata se kjo periudhë kohore akoma nuk ka skaduar dhe se Këshilli i Sigurisë së Kosovës pritet që së shpejti të mbajë mbledhjen e radhës”, u shpreh Mueller-Berner.

Ndërkohë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës i kanë quajtur të pabaza kritikat e AAK-së, e cila, sipas tyre, nuk po ndihmon debatin publik dhe nuk po ofron alternativa konkrete.
XS
SM
MD
LG