Ndërlidhjet

Serbët - kushte për ndërprerjen e protestave


Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it përdorin gaz lotsjellës për t'i shpërndarë protestuesit serbë në veri...
Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it përdorin gaz lotsjellës për t'i shpërndarë protestuesit serbë në veri...

Përfaqësuesit e këshillit të protestave të serbëve të Mitrovicës u kanë parashtruar autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë disa kërkesa në formë kushtesh, për ndërprerjen e protestave te Kroi i Vitakut.


Policia e Kosovës dhe njësitet speciale të EULEX-it edhe sot kanë përdorur gazin lotsjellës për t’i shpërndarë rreth 50 protestues serbë në veri të Mitrovicës, të cilët po kundërshtojnë ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve tek lagjja Kroi i Vitakut, në këtë qytet.

Ndërsa po bëhen dy javë që serbët protestojnë dhe kundërshtojnë ndërtimin e shtëpive të fqinjëve të tyre shqiptarë, të cilët duan të kthehen dhe jetojnë në pronat e tyre, sot organizatorët e këtyre protestave kanë filluar disa bisedime me autoritetet ndërkombëtare, në përpjekje të gjetjes së zgjidhjeve.

Nebojsha Miniq, një përfaqësues i këshillit protestues të serbëve, thotë se ua ka transmetuar përfaqësuesve ndërkombëtarë zgjidhjen që serbët e shohin në lidhje me ndërtimin e shtëpive për personat e zhvendosur dhe të cilët duan të rikthehen në pronat e tyre.

“Zgjidhja e vetme logjike që mund të gjendet tash, është që serbët t’i ndërpresin protestat, por edhe neve të na lejojnë që të ndërtojmë shtëpitë tona në këtë zonë”, thotë Miniq.

Sipas tij, në këtë lagje ka 15 shtëpi të shqiptarëve dhe po aq të serbëve, kështu që duhet të vlejë parimi i reciprocitetit.

Një përfaqësues tjetër i kësaj lagjeje, Sinisha Llaziq, thotë se ndërprerja e protestave të serbëve do të varet nga plotësimi i kushteve që kanë parashtruar ata tek EULEX-i, si dhe tek administrata e UNMIK-ut.

“Kërkuam që të na lejohet të hyjmë në lagje me mjetet tona të punës, në tokat e njerëzve që kanë pronë këtu. Pastaj, kërkojmë që shtatë ditë të punojë pala shqiptare e shtatë ditë pala serbe”, thotë Llaziq.

Rindërtimi i shtëpive të shqiptarëve në veri...
Punimet e ndara, sipas tij, janë më se të domosdoshme, pasi që nuk ka kushte sigurie që edhe shqiptarët, edhe serbët të punojnë njëkohësisht. Këto kërkesa, serbët i kanë vënë si kushte deri nesër dhe nga plotësimi apo mosplotësimi i tyre, do të varet vazhdimi apo ndërprerja e protestave.

Që nga 25 prilli ka filluar ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve në lagjen Kroi i Vitakut dhe prej atëherë edhe protestat e serbëve.

Autoritetet komunale në Mitrovicë, si dhe ato qendrore në Prishtinë janë deklaruar në disa raste se protestat dhe presionet nuk do të ndikojnë në ndaljen e punimeve, kurse mbetet të shihet tash edhe reagimi i tyre pas kushteve të reja që kanë parashtruar serbët.

Marrë parasysh gjendjen në Mitrovicë, një rol të madh mund të luajë edhe pozicioni që do të mbajë misioni i EULEX-it lidhur me kërkesat e parashtruara të banorëve serbë.
XS
SM
MD
LG