Ndërlidhjet

“Ahmeti e ka ditur se dhomat e dëshmive s’janë të sigurta”


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

Zhvillimet në Policinë e Kosovës pas një rasti kur nga dhoma e dëshmive ishin vjedhur 47 kg drogë e monedha të ndryshme, edhe sot është një prej temave qendrore të shtypit kosovar. Theksi i vështrimeve lidhur me këto zhvillime tani përqendrohet kryesisht tek Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Sheremet Ahmeti.

“Sheremet Ahmeti është dashur të shkojë edhe më herët”, shkruan “Zëri”, duke cituar kryetarin e Komisionit parlamentar për siguri, Rrestem Mustafa.

“Vjedhja ka ndodhur në komandën kryesore të Policisë, në shtëpinë të cilën e udhëheq Sheremet Ahmeti. Kjo s’ka si të mos jetë përgjegjësi edhe e tij. Aq më shumë që deri më tash nuk ka diçka konkrete në zbardhjen e kësaj vjedhjeje, që është turpi i Policisë së Kosovës”, citohet të ketë thënë deputeti Rrustem Mustafa.

Ndërkaq, “Koha Ditore” po ashtu në artikullin kryesor të ditës shkruan se “Ahmeti e ka ditur se dhomat e dëshmive s’janë të sigurta”. Menaxherët e policisë dhe Ministria e Brendshme, sipas gazetës, kanë qenë të njoftuar se niveli i sigurisë në dhomat e dëshmive është i ultë, mirëpo rekomandimet e bëra për rritjen e nivelit të sigurisë, thuhet se ishin injoruar.

Ndërkaq, gazeta “Lajm” shkruan se kërkesa për dorëheqje në kreun e policisë mbetet vetëm kërkesë. “S’ka dorëheqje” thuhet në titullin e gazetës, ku, mes tjerash, citohet ministri i Brendshëm, Zenun Pajaziti, se hetimet përfundimtare do të tregojnë përgjegjësinë e njerëzve.

Çështja e liberalizimit të vizave të Kosovës me BE-në po ashtu është një prej temave që shtjellohet në shtypin e sotëm.

“Liberalizimi i vizave dhe gabimi i kosovarëve me pasaportat” titullohet editoriali i gazetës “Kosova Sot”. Aty trajtohet sidomos çështja e pasaportës biometrike, të cilën Kosova nuk e ka.

Përse investohen të gjitha këto shuma parash për dokumente që duhet të ndërrohen shumë shpejt, shtron çështjen editoriali i gazetës. Aty rikujtohet se Kosova kishte mjete buxhetore, marrë parasysh suficitin që rezultoi në fund të vitit.

Vendimi për të mos lëshuar pasaporta biometrike ishte gabim i madh politik dhe humbje financiare për shtetin, vijon editoriali. Aty thuhet se pasaporta me çip mbetet kushti i parë i vendeve që synojnë të përfshihen në zonën Schengen të liberalizimit të vizave.

Ndërkaq, “Koha Ditore” shkruan se vendi më i izoluar në Ballkan synon lëvizjen e lirë me BE-në. Edhe pse ka konstatuar se mosnjohja e Kosovës nga pesë vende të BE-së paraqet problem të madh, Qeveria ka miratuar udhërrëfyesin për zbatimin e kritereve që parasheh Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, shkruan “Koha Ditore”.

Aty rikujtohen shumë pengesa që Kosova mund të ketë në këtë proces, filluar nga ato politike të mosnjohjes nga pese vendet e BE-së, e deri te dokumentet dhe siguria e kufijve.

Dhe, në fund, gazeta “Zëri” shkruan se Organizata Botërore e Shëndetësisë, pas analizave të bëra, ka konstatuar se Valentina Demaj nuk ka vdekur nga gripi i derrave. Andaj, me konstatimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë del se në Kosovë nuk ka raste të dyshimta të kësaj sëmundjeje.
XS
SM
MD
LG