Ndërlidhjet

Sejdiu nuk ftohet në inaugurimin e Ivanovit


Presidenti Fatmir Sejdiu

Presidenti Fatmir Sejdiu

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nuk ftohet në inaugurimin e presidentit të ri të Maqedonisë, Gjorge Ivanov. Nga kabineti i Ivanovit nuk komentojnë, por shkak për mosftesën e Sejdiut supozohet të jetë pjesëmarrja e presidentit serb, Boris Tadiq.


Presidenti i ri Maqedonisë, Gjorge Ivanov, nuk ka ftuar homologun kosovar, Fatmir Sejdiu, në inaugurimin e tij më 12 maj.

Zyrtarisht, përfaqësues të kabinetit të Ivanovit nuk komentojnë asgjë, por jozyrtarisht bëhet e ditur se Sejdiu është anashkaluar për shkak të presidentit serb, Boris Tadiq, i cili tashmë ka konfirmuar pjesëmarrjen në ceremoninë e inaugurimit të Ivanovit për president të Maqedonisë.

Partitë politike në pushtet kanë qenë të përmbajtura në komentet e tyre, ndërsa partitë opozitare shqiptare kanë kritikuar veprimin e Ivanovit.

”Anashkalimi i Sejdiut është një sinjal negativ dhe aspak nuk i kontribuon krijimit dhe kultivimit të raporteve të mira ndër-fqinjësore mes Maqedonisë dhe Kosovës”, deklaroi Arianit Hoxha, zëdhënës i Partisë Demokracia e Re.

Veprimin e Ivanovit e quan të gabuar edhe ish-diplomati, Mahi Nesimi. Ai supozon se presidenti Sjediu mund të mos jetë ftuar për shkak se Kosova dhe Maqedonia ende nuk kanë vendosur marrëdhënie diplomatike, por edhe ky fakt, sipas tij, nuk mund të arsyetojë presidentin e ri maqedonas.

“Mendoj se bëhet fjalë për një lëshim, por ai lëshim mendoj se në radhë të parë ka të bëjë me një diplomaci që tenton të zhvillojë Maqedonia, meqë ende nuk ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Kosovën. Me siguri kjo mund të jetë arsyeja e mosftesës, por, sidoqoftë, nuk është sinjal i mirë, pasi Maqedonia, respektivisht kabineti i presidentit Ivanov, duhej të ftonte edhe presidentin Sejdiu”, tha Nesimi.

Ismet Ramadani, nënkryetar i Këshillit euro-atlantik, i quan të pabaza njoftimet jozyrtare se presidenti Sejdiu është anashkaluar për shkak të ndonjë reagimi të mundshëm nga presidenti serb, Tadiq.

Ramadani thotë se me këtë çështje aspak nuk duhet të merret kabineti i presidentit Ivanov, por ai, sipas tij, prioritet do të duhej të kishte dërgimin e ftesave, e në veçanti për të gjithë presidentët e vendeve fqinje.

“Ftesa duhej t’i dërgohej edhe presidentit të Kosovës, edhe të Serbisë, dhe ata më pas do të vlerësonin se duhet ose jo të jenë në një vend bashkë, në rastin konkret, në inaugurimin e presidentit Ivanov”, tha Ramadani.

Zoti Ramadani nuk pajtohet me vlerësimet se anashkalimi i Sejdiut mund të jetë bërë për shkak të mosvendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shkupit dhe Prishtinës.

“Në këtë rast nuk është pengesë mosvendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, sepse, në njëfarë niveli, ato marrëdhënie ekzistojnë, me vetë aktin e pranimit të Kosovës si shtet, mirëpo këtu, si duket, bëhen ekuilibra që duan të anashkalojnë Kosovën, por kjo është një politikë shumë e gabuar”, shprehet ai.

Në inaugurimin e Ivanovit për president të Maqedonisë më 12 maj është ftuar edhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, dhe disa presidentë tjerë nga rajoni.
XS
SM
MD
LG