Ndërlidhjet

logo-print

MPB: Interpol t'i shpërfillë kërkesat serbe


Logo e Interpolit

Logo e Interpolit

Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një letre, i ka kërkuar Interpolit, që të mos merren parasysh fletarrestimet e Serbisë për qytetarët kosovarë. Por, ka dilema nëse kjo çështje do të zgjidhet së shpejti.


Ish-kryeministri Agim Çeku pritet të kthehet sonte (e premte) në Kosovë, pasi që u dëbua nga Kolumbia, e cila këtë veprim e ndërmori duke u bazuar në fletarrestimin e lëshuar nga autoritetet serbe.

Një gjykatë serbe ka lëshuar në vitin 2002 një fletarrestim ndërkombëtar për zotin Çeku, të cilin drejtësia serbe e ngarkon me akuzat për krime lufte.

Këto akuza, institucionet e Kosovës i cilësojnë të motivuara politikisht. Kjo edhe ka qenë arsyeja, pse përmes një letre ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka kërkuar nga Interpoli që t’i shpërfillë kërkesat e tilla.

“Sot kam adresuar një letër në emër të MPB-së, ku kam kërkuar që të mos merren parasysh kërkesat e tilla të shtetit serb, të cilat janë kryesisht me motive politike, dhe kam kërkuar një bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, që është përgjegjëse për gjithçka që ndodh brenda territorit të Kosovës dhe, rrjedhimisht, edhe për qytetarët e saj”.

“Nuk kemi evidenca të sakta (për fletarrestimet), por ajo që kemi kërkuar në të gjitha takimet në shtetet veç e veç dhe në konferencat që kemi marrë pjesë në institucionet e ndryshme, në organizatat ndërkombëtare, është të mos pengohen qytetarët e Kosovës në qarkullim, kushdo qofshin ata”,
tha për Radion Evropa e Lirë, ministri Zenun Pajaziti.

Në anën tjetër, zyrtarët serbë kanë thënë se mosarrestimi i ish-kryeministrit Çeku nga autoritetet kolumbiane, është bërë për arsye politike.

“Përderisa është në fuqi Notifikimi i Kuq, ai duhet të respektohet nga cilido shtet. Nuk është hera e parë që ndodh një situatë e tillë”,
ka thënë ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Shutanovac.

Nuk është hera e parë që liderët kosovarë ndalohen në shtete të ndryshme në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Interpoli serb.

Ish-kryeminstri Agim Çeku qe ndaluar para disa vitesh edhe në Slloveni dhe në Hungari, në bazë të fletarrestimit të njëjtë, që edhe më tej është në fuqi. Kurse, e njëjta kishte ndodhur me kryeministrin Hashim Thaçi, kur qe ndaluar në Hungari, sa ishte në cilësinë e liderit të PDK-së.
Kreu i ekzekutivit ka kërkuar nga dikasteret e Qeverisë që të ofrojë të dhëna të sakta se kush nga kosovarët tjerë kërkohet nga Interpoli serb. Ndërkohë, vetë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi nuk mendon se kjo çështje do të zgjidhet shpejt.

“Ne duhet ta dimë se Serbia, fatkeqësisht, është aktive në kuptimin më negativ të fjalës, por po ashtu duhet ta dimë se Kosova ka subjektivitetin e vet ndërkombëtar dhe mendoj se gjërat do të shkojnë mirë. Do të na trazojnë nganjëherë, por nuk do të na shqetësojnë shumë”,
tha Kuçi.

Eksperti për çështje juridike, Kujtim Kërveshi, thotë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë që t’i çaktivizojnë këto fletarrestime të lëshuara nga Interpoli serb. Ai thotë se institucionet është dashur që të formojnë mekanizma të veçantë të bashkëpunimit me Interpolin.
Institucionet e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, është dashur të jenë vetë bartëse të këtyre proceseve...

“Institucionet e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë, është dashur të jenë vetë bartëse të këtyre proceseve. Natyrisht se në këtë rrafsh mund të ndihmonin shumë shtetet që e kanë njohur Kosovën, të cilat do ta ndihmonin edhe në integrimet tjera. Duhet gjetur modalitete e forma se si shteti i Kosovës duhet të ketë edhe qasje, edhe bashkëpunim juridik, që të trajtohet si subjekt i barabartë i së drejtës ndërkombëtare publike”, tha Kërveshi.

Është UNMIK-u mekanizmi i vetëm në Kosovë që mund të bashkëpunojë me Interpolin, meqë jo të gjitha shtetet që përbëjnë këtë organizatë e njohin Kosovën e pavarur.

Ndërkohë, vetë Interpoli nuk mund të anulojë fletarrestimet e lëshuara nga interpolet e caktuara shtetërore, sepse këtë duhet ta bëjnë vetë shtetet që i lëshojnë ato. Serbia nuk ka anuluar ende as fletarrestimin ndaj kryeministrit Hashim Thaçi.

Por, ajo që mund të mbrojë aktualisht kreun e Qeverisë është imuniteti, që, sipas ligjit ndërkombëtar, u jepet krerëve shtetërorë. Të njëjtin imunitet e ka pasur edhe Agim Çeku sa ka qenë kryeministër, por pas kthimit në jetën civile, është aktivizuar sërish fletarrestimi ndaj tij.

Sidoqoftë, zyrtarët e Qeverisë thonë se Serbia nuk ka më juridiksion mbi Kosovën dhe rrjedhimisht të gjitha këto fletarrestime janë të pavlefshme.
XS
SM
MD
LG