Ndërlidhjet

Dobitë nga anëtarësimi në Interpol


Qeveria e Kosovës thotë se ende nuk është koha për të aplikuar për anëtarësim në Interpol. Por, vlerësohet se anëtarësimi heq frikën e ndalimit të kosovarëve në bazë të fletarrestimeve të Interpolit serb.


Po qe se Kosova do të ishte pjesë e Interpolit, mundësitë që figurat politike kosovare të arrestohen në bazë të fletarrestimeve të Serbisë, s’do të ekzistonin pothuajse fare. Kështu të paktën mendon ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, i cili tashmë ka kërkuar edhe zyrtarisht nga Interpoli që t’i shpërfillë kërkesat serbe, që kanë të bëjnë me arrestimin dhe ekstradimin e disa zyrtarëve kosovarë.

Kjo kërkesë është bërë pas dëbimit të kryetarit të Partisë Social-Demokrate, Agim Çeku, nga Kolumbia, e cila këtë veprim e ndërmori duke u bazuar në fletarrestimin e lëshuar nga autoritetet serbe. Vetë Çeku, në një konferencë për gazetarë, ka sqaruar mënyrën se si autoritetet e Kolumbisë e kanë detyruar atë që të largohet nga ky vend dhe të kthehet në Kosovë.

“Më 6 maj, në mëngjes, autoritetet kolumbiane më njoftuan se Serbia ka bërë kërkesë fillimisht te Qeveria kolumbiane, por edhe te Interpoli, që të më ndalojë dhe ekstradojë kinse në Serbi. Autoritetet kolumbiane më kanë thënë se kërkesa e Serbisë nuk iu bën përshtypje aspak dhe se unë mund të vazhdoj me agjendën time ashtu siç e kam pasur”.

“Por, kur ka ardhur kërkesa e Interpolit, atëherë e kam parë se janë shqetësuar dhe kanë kërkuar që unë të largohem brenda 24 orëve nga Kolumbia”,
u shpreh Çeku.

Kosova aktualisht nuk sheh se ka rrethana të favorshme për anëtarësim në Interpol dhe Europol, meqë jo të gjitha shtetet, që përbëjnë këto organizata policore, e njohin Kosovën.

Megjithatë, sipas ministrit Zenun Pajaziti, me anëtarësim do të zgjidheshin dilemat e ndalimit apo dëbimit të kosovarëve, duke i marrë për bazë fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet serbe.

“Me siguri se Interpoli çdo fletarrestim apo informacion që do të vinte për qytetarët tanë, ose akuzë për qytetarët tanë, do t’i trajtonte vetëm nga policia dhe institucionet e Kosovës. Pra, policia dhe institucionet e Kosovës do të ishin përgjegjëse për të gjithë qytetarët e saj”,
thotë ministri Pajaziti, i cili mendon se me kohë edhe kjo çështje do të rregullohet.


"Kjo do të rregullohet. Unë mendoj se vetë fakti që Serbia nuk po mund t’i realizojë këto pretendime dhe për faktin se Kosova tërthorazi ka bashkëpunim me Interpolin, pengesat e tilla do të jenë të përkohshme”,
u shpreh ministri Pajaziti.



Aktualisht është UNMIK-u ai që shkëmben informacione me Interpolin në emër të Kosovës. Ndërkohë, Qeveria njofton se Kosova po përgatit infrastrukturën e brendshme dhe po lobon për të siguruar votat e nevojshme për anëtarësim në Interpol dhe Europol.

Por, deri në këtë anëtarësim, analistët thonë se institucionet duhet të jenë më këmbëngulëse në mbrojtjen e qytetarëve kosovarë jashtë shtetit. Rritja e bashkëpunimit me Interpolin, por edhe me shtete veç e veç, thuhet se do t’i evitonte incidentet si ky i fundit me Agim Çekun në Kolumbi.
XS
SM
MD
LG