Ndërlidhjet

“Zgjedhjet lokale më 8 ose 15 nëntor”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
Gazeta “Koha Ditore”, duke u thirrur në burimet e saj, paralajmëron caktimin e zgjedhjeve lokale për datën 8 ose 15 nëntor. Presidenti Fatmir Sejdiu pritet që brenda kësaj jave t’i thërrasë partitë parlamentare dhe ato joparlamentare për të caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, të parat pas shpalljes së pavarësisë, shkruan gazeta.

Kurse, zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, i ka thanë gazetës se presidenti fillimisht do t’i thërrasë liderët e partive politike veç e veç dhe më pas do të udhëheqë edhe një takim të përbashkët për të caktuar përfundimisht datën e zgjedhjeve.

Konsultimet paraprake të presidentit me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve kërkohen edhe me ligj, nënvizon gazeta. Kurse, votimet duhet të thirren gjatë një të diele, thuhet në artikull. Bazuar në përcaktimin e presidentit Sejdiu që zgjedhjet të mbahen në nëntor, gazeta përmend dy data: datën 8 dhe 15 nëntor.

Aty citohen edhe burime nga opozita, të cilat i kanë thënë gazetës se deri më tani nuk janë kontaktuar asnjëherë nga Presidenca në lidhje me zgjedhjet apo edhe në lidhje me mbajtjen e takimit konsultativ.

Procesi i decentralizimit dhe sfidat e krijimit të komunave të reja, trajtohen në gazetën “Express”. Komunat e reja do të krijohen me vota, shkruan gazeta.

Ekspertët thonë se sasia e daljes së serbëve në zgjedhjet lokale është vendimtare për projektin e krijimit të 5 plus 1 komunave të reja me shumicë serbe. Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian thuhet se kërkojnë kujdes me vlerësimin e shkallës së daljes.

Kurse, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, insiston se nuk do të ketë një prag strikt, por gjithsesi - një moral. Ferati ka deklaruar se në komunat ku serbët nuk do të marrin fare pjesë në zgjedhje, nuk mund të ketë komuna të reja.

Decentralizimi nuk do të dështojë, por çështja është se kur do të zbatohet, ka thënë ai. Ky proces, sipas Feratit, u siguron serbëve një vetëqeverisje dhe mbetet tek ata që të vendosin nëse duan apo nuk duan të marrin pjesë.

Sidoqoftë, ai ka shprehur besimin e tij se serbët të paktën do të dalin në numër më të madh sesa në zgjedhjet e kaluara, në mënyrë që të instalohet pushteti lokal edhe në komunat e reja, shkruan “Express”.

“Zyrtarisht Kosova me rreth 40 për qind të popullatës së papunë”, shkruan “Koha Ditore”. Vendi me përqindjen më të lartë të popullsisë së papunë në Evropë vazhdon të jetë Kosova. Kjo dëshmohet edhe nga statistikat qeveritare ku flitet për rritje të papunësisë gjatë vitit 2008 deri në 0.4 për qind nga vitit paraprak.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale disponon me një shifër prej mbi 330 mijë vetave që kërkojnë punë, shkruan “Koha Ditore”.
XS
SM
MD
LG