Ndërlidhjet

Politika ruse dëmton Serbinë


Oli Ren
Oli Ren
Ish-komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Oli Ren, në vitin 2007 ka vlerësuar se pjesa më e madhe e udhëheqësisë së Serbisë “nuk mund ose nuk dëshiron” ta pranojë realitetin, se politika e Rusisë ndaj Kosovës, në një afat të gjatë, i dëmton interesat e Serbisë dhe “kjo politikë bazohet krejtësisht në interesin e vetë Moskës”, është publikuar në WikiLeaks.

Oli Ren, në takimin me ish-ambasadoren amerikane në Finlandë, Merilin Ver, në korrik të vitit 2007, “pa vullnet, ka parashikuar” se Rusia me gjasë kurrë nuk do ta mbështesë rezolutën e Kombeve të Bashkuara për pavarësinë e Kosovës, thuhet në mesazhin diplomatik nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Helsinki, të cilin e transmeton WikiLeaks.

“Strategjia e Rusisë në OKB është shumë e thjeshtë. Nëse zgjidhet problemi i Kosovës, Serbia do të lirohej nga barra e mbështetjes në Rusinë dhe do të mund ta shpejtonte rrugën për në BE”, ka qartësuar ish-komisionari evropian për zgjerim.

Siç theksohet në mesazh, zoti Ren ka vlerësuar se Rusia është e vendosur që të mos e humbë “raportin klientilistik” ndaj Serbisë dhe ajo, vetëm sipas kësaj, do të përdorte veto në rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, transmeton agjencia beogradase Beta raportin e WikiLeaks-it.

Kryeministri rus, Vladimir Putin, gjatë një fjalimi në Sheshin e Kuq në Moskë - foto arkiv
“Qëndrimi rus ndaj Kosovës ka lidhje vetëm me interesat e Rusisë dhe nuk ka kurrfarë lidhjeje me Kosovën, që me gjasë, është gjëja më e keqe nga të gjithat, është krejtësisht e ndryshme nga interesat afatgjata të Serbisë”,
ka thënë Oli Ren në mesazhin që bart datën 20 korrik të vitit 2007.

Ai ka vlerësuar se pjesa më e madhe e kreut shtetëror serb, përfshirë edhe ish-kryeministrin, Vojisllav Koshtunica, dhe ministrin e Jashtëm, Vuk Jeremiq, nuk mundet ose nuk do ta pranojë realitetin. Ndërsa, presidenti Boris Tadiq, i cili këtë e kupton, “nuk ka guxim ose instrumente” për ta tërhequr Serbinë nga Rusia dhe ta afrojë me Perëndimin.

Oli Ren, vijon publikimi në WikiLeaks, ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të përpiqen ta bindin udhëheqësinë serbe se Rusia nuk punon për interesin më të mirë të Serbisë, por, shikuar në afat të gjatë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të jenë të detyruar të përgatiten për njohjen e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës.

Nëse Moska, pas katër muajsh, vazhdon të pengojë, “duhet të jemi të gatshëm t’i themi Rusisë se nuk mund ta diktojë politikën evropiane të sigurisë”, ka thënë Ren, sipas publikimit të WikiLeaks-it, që e transmeton agjencia beogradase Beta.

Uniteti i njëzëshëm i të gjitha 27 vendeve të BE-së nuk do të jetë i mundshëm, ka thënë Ren, por “ende nuk mund ta dërgojmë një porosi të qartë për Rusinë nëse Shtetet e Bashkuara dhe 15 apo 20 vende anëtare në mënyrë të njëanshme e pranojnë Kosovën”.

Megjithatë, ai ka tërhequr vërejtjen se uniteti i BE-së do të jetë kryesor për suksesin e misionit të ardhshëm evropian në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, pasi “koalicioni i atyre që kanë vullnet, por pa mandatin e plotë të BE-së, do të ishte katastrofë”, thuhet në publikimin e WikiLeaks-it. (f.b.)
XS
SM
MD
LG