Ndërlidhjet

A do të mbijetojë energjia bërthamore?


Fukushima
Fukushima
Njëzetepesë vjet më parë ishte Çernobili. Tani është Fukushima. Cila është e ardhmja e energjisë bërthamore?


Kur reaktori numër katër në centralin bërthamor të Çernobilit shpërtheu 25 vjet më parë, u duk se energjia atomike do të vdiste së bashku me Çernobilin.

Në të gjithë botën njerëzit e tmerruar shikonin renë e ndotur të ajrit të kalonte mbi Ukrainë e përtej.

Edhe sot vazhdojnë shqetësimet lidhur me pasojat e shpërthimit të Çernobilit, ndonëse në forma të pazakonta. Me gjithë faktin se katastrofa e Çernobilit e dëmtoi rëndë të ardhmen e energjisë bërthamore, ajo nuk shënoi fundin e saj.

Menjëherë pas aksidentit në Ukrainë pati një rënie të ritmit të ndërtimit të centraleve bërthamore në botë. Me kalimin e kohës zbeheshin kujtimet e rënda mbi tragjedinë e Çernobilit. Kështu, në fillim të viteve 2000, pati një klimë të favorshme për energjinë bërthamore në botë.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, në vitin 2001, 64 centrale ishin në ndërtim e sipër, derisa në veprim të plotë ishin 443 uzina bërthamore.

Madje edhe Shtetet e Bashkuara iu bashkuan kësaj tendence. Në vitin 2010, Uashingtoni u zotua se do të siguronte një kredi prej 8 miliardë dollarësh për të ndërtuar të parën uzinë bërthamore në Shtetet e Bashkuara që nga incidenti i vitit 1979 në ishullin e Tre Miljeve.

Duket se ditët e këqija për energjinë bërthamore janë kthyer sërish pas rrjedhjeve radioaktive në centralin japonez të Fukushimës. Ky i fundit u dëmtua nga tërmeti dhe cunami i 11 marsit, duke shkaktuar aksidentin më të rëndë në këtë fushë pas Çernobilit.

Zona e Çernobilit
Pyetja më normale në këto kushte ka të bëjë me të ardhmen e energjisë bërthamore. Xhejms Akton, ekspert bërthamor nga “Carnegie for International Peace” në Uashington, mendon se përgjigjja do të jetë e ndryshme nga njëri vend në tjetrin.

Aty ku opinioni publik ka vlerë, mendoj se ngjarjet në Fukushima do të kenë ndikim negativ në rritjen e energjisë bërthamore”, thotë Akton për Radion Evropa e Lirë.

Vendet ku dëgjohet zëri i publikut janë ato që kanë dhe numrin më të madh të centraleve të tilla.

Megjithatë, Akton parasheh se në vendet ku opinioni publik nuk dëgjohet, energjia bërthamore do të njohë rritje. Në mesin e këtyre vendeve është dhe Rusia.

Për aq sa di, programi të cilin Rusia e miratoi pak vite më parë lidhur me zhvillimin e energjisë bërthamore, do të mbetet plan zyrtar. Rusia, sipas këtij plani, synon që 25% e energjisë elektrike të jetë prodhim bërthamor. Ka debate që lidhen me çështje teknike, por në nivelin politik nuk ka diskutime serioze që do ta vinin në dyshim këtë plan”, thotë për Radion Evropa e Lirë Vitali Fedçenko, nga Instituti Ndërkombëtar për Kërkime për Paqen, me qendër në Stokholm.

Sot, zgjerimin më të madh energjia bërthamore po e sheh në Azi. Sipas OKB-së, 39 nga 64 uzinat bërthamore në ndërtim e sipër janë në Azi.

Kina kryeson garën aziatike për energji bërthamore. Aktualisht, Kina ka në punë 13 reaktorë bërthamorë dhe e sheh energjinë bërthamore si pjesë integrale të politikave energjetike.

Derisa bota shikon ecurinë e ngjarjeve në Fukushima pas aksidentit të 11 marsit, kundërshtarët dhe mbështetësit e energjisë bërthamore e kuptojnë se shumë nga pyetjet që u ngritën pas tragjedisë së Çernobilit, mbeten ende pa përgjigje.

A mund të ndërtohen centrale bërthamore të sigurta nga katastrofat natyrore apo nga problemet teknike? Nëse aksidentet ndodhin, a mund të garantohet se pasojat janë të menaxhueshme në mënyrë të tillë që të jenë sa më të kufizuara gjeografikisht, por jo vetëm?

Këto pyetje, sipas të gjitha gjasave, do vazhdojnë t’i shoqërojnë debatet që lidhen me energjinë bërthamore edhe në dekadat që vijnë. (i.b.)
XS
SM
MD
LG