Ndërlidhjet

Partitë politike në opozitë kanë adresuar kritika të ashpra ndaj Qeverisë së Maqedonisë për keqpërdorim të mjeteve të buxhetit, në vigjilje të fushatës zgjedhore.

Sipas tyre, Qeveria, vetëm gjatë muajit mars, ka shpenzuar rreth një milion euro për reklamim të aktiviteteve të dikastereve ministrore, me ç’rast pjesa më e madhe e mjeteve, po sipas opozitës, u është shpërndarë agjencive të afërta me njerëzit e pushtetit.

Këtyre akuzave, partia më e madhe maqedonase në pushtet, VMRO DPMNE, u është përgjigjur shkurt: “Bëhet fjalë për manipulime dhe gënjeshtra", duke potencuar se në asnjë formë nuk janë thyer ligjet.

Kryetari i Këshillit për Radiodifuzion (KRD), Zoran Stefanovski, paralajmëroi se do të ngrejë aktpadi ndaj Gazetës Zyrtare si institucion, sepse nuk e ka publikuar me kohë vendimin e rregullores, me të cilin definohen qartë dispozitat për përfaqësim të barabartë në media gjatë fushatës zgjedhore, për të gjithë garuesit në zgjedhje.

“Refuzimi i Gazetës Zyrtare për të publikuar rregulloren e Këshillit për Radiodifuzion u ka krijuar hapësirë për të keqpërdorur eterin pothuajse të gjitha partive politike dhe me këtë vihet në pikëpyetje edhe vetë rregulli i procesit zgjedhor”, tha Stefanovski.

Nga ana tjetër, drejtori i institucionit të Gazetës Zyrtare të Maqedonisë ka theksuar se “nuk ndjehet fajtor për vonesën rreth publikimit të KRD-së” dhe se do të angazhohet që të njëjtin vendim ta publikojë brenda 7 ditëve, ashtu siç e parasheh ligji.

Petrit Saraqini, nga Instituti i Mediave, tha se të gjithë aktorët politikë vetëm deklarativisht janë për rregulla të qarta të prezantimit medial në fushatë, ndërsa realisht kontribuojnë në krijimin e mjegullisë sa i përket prezantimit në media.

“Çdoherë kur sillen këto rregulla, sillen në ‘cajtnot’ – pra, vetëm disa ditë para shpalljes së zgjedhjeve. Në këtë rast, mediat, pikësëpari gazetarët, redaktorët, shoqata e gazetarëve dhe Instituti i Mediave, ku punoj unë, nuk kanë kohë të mjaftueshme për t’i shtjelluar, debatuar...”,
tha Saraqini, për të shtuar:

Kjo tregon se aktorët politikë nuk janë aspak të interesuar që të rregullohet kjo sferë mediatike dhe përfundimisht mediat të lirohen nga barra apo, më mirë thënë, presioni që u bëhet gjatë zgjedhjeve nga ana e forcave politike”.

“Në fakt, politika, edhe pse deklarativisht shprehet pro përmirësimit të ambientit mediatik, ajo nuk ka bërë asgjë gjatë viteve të fundit që vërtet të jetë ashtu”,
u shpreh Saraqini.

ODHIR-i, në raportin e fundit për zgjedhjet paraprake, kishte apostrofuar si vërejtje jotransparencën e financimit të partive politike si dhe mosdefinimin e rregullave për krijimin e mundësisë për prezantim të barabartë në media të të gjitha forcave politike që garojnë në zgjedhje.
XS
SM
MD
LG