Ndërlidhjet

logo-print

Ankthi për të pagjeturit


Fotografitë e personave të pagjetur, të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës.

Fotografitë e personave të pagjetur, të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës.

Ankthi i familjarëve të personave të pagjetur nuk ka përfunduar edhe 12 vjet pas luftës.

Në Ditën Kombëtare të të Pagjeturve, e cila shënohet sot në Kosovë, Haki Kasumi, drejtues i Këshillit të Asociacioneve të Familjarëve të Personave të Pagjetur, thotë se ende mungon serioziteti i institucioneve për t’iu qasur drejt problemit.
Institucionet nuk janë serioze në qasjen e këtij problemi.

“Edhe 12 vjet pas përfundimit të luftës, nga numri i përgjithshëm që ishte mbi 5 mijë të zhdukur, kanë mbetur edhe 1,800 njerëz, për të cilët mungon çdo informacion. Institucionet tona, në njëfarë mënyre, nuk janë serioze në qasjen e këtij problemi”, thotë Kasumi.

Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, thotë se angazhimi i institucioneve qeveritare në çështjen e zbardhjes së fatit të këtyre personave është i vazhdueshëm.

“Dyshojmë se ka ende varreza masive në Serbi. Kryesisht, kërkesat tona janë të drejtuara për një trysni, një presion pak më të madh ndërkombëtar, në mënyrë që t’i detyrojnë autoritetet serbe që t’i hapin arkivat. Të tregojnë se ku gjenden ato varreza masive, sepse na mungojnë njerëzit, të cilët janë kidnapuar në grupe dhe ende nuk dimë për fatin e tyre”, deklaron Gjetaj.

Ai thotë se pala kosovare, e cila merr pjesë në grupin e përbashkët punues të Prishtinës dhe Beogradit, u ka bërë kërkesë autoriteteve serbe që të hulumtojnë disa vende në Medvegjë dhe në Rudnicë të Rashkës, në të cilat dyshohet se ka varreza masive. Por, sipas tij, ende nuk ka ndonjë përgjigje të duhur.

Kasumi vlerëson se përgjegjësinë kryesore për zbardhjen e fatit të të zhdukurve e bartin institucionet e Kosovës.

“Prej shkurtit të vitit 2008, përgjegjësia komplete peshon mbi institucionet e Republikës së Kosovës. Por, në këtë drejtim, borxh dhe obligim kanë edhe institucionet ndërkombëtare, gjegjësisht EULEX-i, i cili, si mekanizëm ndërkombëtar, duhet dhe e ka për obligim të punojë në ndriçimin e fatit të njerëzve. Të trokasë në derën ku mund të merret përgjigjja për fatin e këtyre njerëzve, e ajo derë është Beogradi”, thekson Kasumi.

Gjetaj i pranon kritikat e Kasumit, duke i vlerësuar si të drejta.

“Ata, që i drejtojnë kërkesat dhe ankesat në institucione, kanë arsye, sepse kjo çështje duhet të jetë vërtet institucionale dhe ata mund të jenë të kënaqur vetëm në momentin kur do të dinë për fatin e personave të pagjetur. Prandaj, ata mbase kanë gjithmonë arsye, derisa nuk dinë për fatin e më të dashurve të tyre”,
shprehet Gjetaj.


Një milion nënshkrime për themelimin e KOMRA-s

Dje, Fondi për të Drejta Humanitare, si pjesë e koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Komisionin Rajonal (KOMRA), ka nisur grumbullimin e nënshkrimeve në Kosovë, për themelimin e këtij komisioni.

Bekim Blakaj, drejtues për Kosovën i Fondit për të Drejta Humanitare, thotë se motivi kryesor është çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

“Ka qenë një ndër motivet kryesore të disa organizatave për të drejta të njeriut, që më vonë janë shndërruar në një koalicion shumë të gjerë, me mbi 1,500 anëtarë. Ky fakt i ka shtyrë këto organizata që të ndërmarrin një nismë për krijimin e një komisioni rajonal, që do t’i nxirrte faktet për krime të luftës, e në rend të parë faktet për personat e pagjetur”.

Fshati Mejë, prill 2010
“Ka filluar fushata e mbledhjes së 1 milion nënshkrimeve dhe kjo fushatë do të zhvillohet në të gjitha vendet e dala nga luftërat në ish-Jugosllavi”,
pohon Blakaj.

Dita Kombëtare e të Pagjeturve në Kosovë shënohet me një varg aktivitetesh të përqendruara në kryeqytetin kosovar.

Shënimi i kësaj dite më 27 prill bëhet për faktin se në këtë datë, në vitin 1999, në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, forcat serbe kanë vrarë dhe zhdukur 377 civilë shqiptarë të moshës prej 15 deri 75 vjeç.

Ata ishin banorë të zonës Reka e Keqe, të Junikut, Deçanit dhe Gjakovës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG