Ndërlidhjet

Abuzimi me narkotikët, në rritje


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me EULEX-in, kanë lansuar fushatën për luftimin e dukurisë me abuzimin e substancave narkotike, me moton “Mos i mbyll sytë”.

Ushtruesi i detyrës së misionit të EULEX-it, Andy Sparks, ka thënë se ky problem është ende një tabu në shoqëri dhe qëllimi i kësaj fushate, sipas tij, është që të mos mohohet ky problem.

“Po lansojmë fushatën kundër drogës, me qëllim të preventimit të saj. Me këtë fushatë duam t’u themi njerëzve mos i mbyllni sytë ndaj abuzimeve me drogë”,
ka thënë Sparks.

Sparks ka theksuar se Kosova është një rrugë transite e heroinës dhe një pjesë e saj fatkeqësisht destinohet për abuzim nga të rinjtë kosovarë.

“Që ta luftoni këtë problem, së pari duhet të njiheni me të dhe njerëzit duhet të flasin për problemin duke filluar nga edukimi në shkollë”,
ka theksuar Sparks duke shtuar se qytetarët duhet të raportojnë për krimet, të raportojnë se ku dhe kush merret me këto abuzime apo krimet tjera që ndërlidhen me drogat.

Ndërkaq, shefi i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, ka bërë të ditur se abuzimi me narkotikë është çdo ditë në rritje.

“Statistikat dëshmojnë se numri i personave që abuzojnë me drogat në Kosovë është në rritje, andaj kjo është edhe arsyeja që ne kemi bërë një fushatë të tillë. I ftojmë qytetarët të mos i mbyllin sytë, por të raportojnë për rastet e atyre që ofrojnë drogë, abuzojnë me to dhe ata që kanë dëshmi t’i raportojnë dhe së bashku t’i arrestojmë ata persona”
, ka thënë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin vjetor mbi narkotikët dhe problemin e trafikut të drogës në botë, në kapitullin për Kosovën, thotë se lufta kundër trafikut të narkotikëve përballet me sfida të shumta, midis tjerash edhe për shkak të kufijve të brishtë dhe korrupsionit te Policia Kufitare e Kosovës dhe zyrtarët e Doganave.

Lidhur me këtë kapitull raportit vjetor të Departamentit Amerikan, zoti Maliqi është shprehur:

“Çdo kritikë është e mirëseardhur për ne, që të shohin se ku jemi dhe çka duhet bërë. Policia tashmë ka hartuar planin strategjik 2011-2015 që së bashku me organizata qeveritare dhe ato joqeveritare, ta luftojmë së bashku këtë dukuri negative”
.
Reshat Maliqi

Maliqi ka shtuar se kalojnë shumë rrugë nëpër territorin e Kosovës, nga hyn dhe del droga, por, siç ka thënë ai, kjo është për shkak edhe të pozitës gjeografike që ka Kosova.

“Me ndihmën dhe përkrahjen e qytetarëve, edhe nëse nuk kemi mundësi t’i kapim të gjithë, sado pak do të luftohet kjo dukuri”
, ka shtuar Maliqi.

Nevoja për lansimin e kësaj fushate kundër përdorimit të substancave narkotike dhe abuzimit me to, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, është një detyrim, i cili rrjedh si prioritet i përcaktuar edhe nga strategjia kombëtare kundër drogave, i paraparë për vitin 2009-2012.

“Në kuadër të strategjisë së brendshme të Policisë së Kosovës, është arritur të krijohet strategjia dhe planet konkretet. Në vitin 2010 krahasuar me vitin 2009, janë realizuar statistika, ose të arritura për shkak të angazhimeve policore. Sa i përket personave të arrestuar, më 2009 kanë qenë 416, derisa në vitin 2010, 461 persona. Kjo tregon se ka një ngritje të numrit të të arrestuarve, e që është një sukses”.


Ndërkaq, lidhur me konfiskimin e substancave narkotike mund të veçoja se më 2009 janë konfiskuar 23 mijë e 86 gramë heroinë, derisa më 2010 janë konfiskuar 66 mijë e 872 gramë. Kjo tregon një ngritje të dukshme nga ana e policisë”, ka shpjeguar Kelani.

Sipas Kelanit, bashkëpunimi me qytetarë është i mirë dhe, siç është shprehur ai, pa ndihmën e tyre nuk do të mund të arrinin sukseset që konsideron se i kanë arritur deri tani.

“Policia e Kosovës, një pjesë të aksioneve dhe informacioneve e merr nga qytetarët dhe bashkëpunimi i qytetarëve ka ndikuar dukshëm në efikasitetin e punës policore - si në sekuestrimin e substancave narkotike, ashtu edhe në arrestimin e personave të dyshuar
”, është shprehur Kelani.

Sidoqoftë, kapitulli për Kosovën në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit përmban edhe njoftimet e zyrtarëve të EULEX-it, të cilët në bisedime me stafin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, kanë njoftuar se disa zyrtarë qeveritarë kanë ndërhyrë në ndjekjen penale të atyre që akuzohen për tregti me drogë.
XS
SM
MD
LG