Ndërlidhjet

S’ka ndarje, e as bisedime për veriun


Bruksel, gjatë bisedimeve Kosovë - Serbi...

Bruksel, gjatë bisedimeve Kosovë - Serbi...

Kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, deklaroi se ndarja e Kosovës dhe statusi i pjesës veriore nuk janë dhe nuk do të jenë tema të bisedimeve. Ajo tha se Ballkani tani synon integrimet në BE dhe në NATO, dhe jo ndarjet e reja.


Bisedimet me Serbinë janë teknike dhe jo politike, ndërkaq tema e ndarjes së Kosovës nuk është pjesë e diskutimeve, tha të mërkurën kryesuesja e delegacionit të Prishtinës, Edita Tahiri.

Këto komente, zëvendëskryeministrja Tahiri i bëri gjatë një ligjërate dhe diskutimi me studentët e Universitetit Amerikan në Kosovë. Ajo tha se që nga fillimi, Brukseli e ka paramenduar dhe përgatitur këtë si një proces teknik dhe nuk bëhet fjalë për hapje të temave politike, në të cilat po insiston pala serbe.

“Ka pasur deklarata nga pala serbe se këto biseda kanë filluar si teknike, por më vonë mund të ndryshojnë dhe të kalojnë në tema politike. Unë edhe një herë dua të siguroj këtu audiencën që këto bisedime janë dhe mbeten teknike dhe nuk do të ketë asnjëherë tema politike. Temat politike i kemi diskutuar në Rambuje dhe në Vjenë”
, tha Tahiri.

Sipas kryesueses së delegacionit të Kosovës, bisedimet me Serbinë synojnë përmirësimin e jetesës së qytetarëve, kryesisht atyre serbë që jetojnë në Kosovë.

Tahiri theksoi se idetë e prezantuara nga pala serbe në Beograd se edhe ndarja do të jetë temë diskutimi, nuk qëndrojnë. Ajo tha se Ballkani tani nuk ka nevojë për ridefinim kufijsh, por për integrim në Bashkimin Evropian.
Asnjëherë nuk do të bisedohet as për ndarjen, e as për çfarëdo imagjinate politike që dikush mund të mendojë...


“Asnjëherë nuk do të bisedohet as për ndarjen, e as për çfarëdo imagjinate politike që dikush mund të mendojë dhe ne mendojmë se Ballkani ka nevojë të ecë drejt një jete progresive, të zhvillohet ekonomikisht, politikisht, në aspektin social dhe të integrohet më shpejt në BE dhe NATO”,
theksoi Tahiri.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta të studentëve në lidhje me mundësinë që nga procesi i bisedimeve pjesa veriore të fitojë ndonjë status të veçantë që do të çonte drejt shkëputjes, Tahiri tha se është evidente që në këtë pjesë të vendit, Serbia ka një ndikim më të fuqishëm që po e pamundëson shtrirjen normale të pushtetit vendor.

Por, Tahiri tha se nuk do të ketë negociata për veriun, pasi që serbët e atjeshëm do të gëzojnë të drejtat e njëjta me serbët e pjesëve tjera të Kosovës.

“Kjo situatë jonormale mes komunikimit të Qeverisë dhe qytetarëve në pjesën veriore, duhet të normalizohet dhe duhet të tërhiqet ndërhyrja ilegale. Kjo, në fakt, është esenca e formulës, për të cilën ne po angazhohemi”, shpjegoi Tahiri.

Prishtina dhe Beogradi kanë filluar tashmë serinë e takimeve të rregullta që mbahen çdo tre javë në Bruksel. Ndonëse nuk është arritur ndonjë marrëveshje, nën ndërmjetësimin e BE-së dhe asistencën e Uashingtonit, të dyja vendet po diskutojnë tema si ato të doganave, çështje të energjisë, telekomit, dokumenteve personale, regjistrin civil dhe kadastrën, e shumë tema tjera.

Derisa Qeveria e Kosovës nuk ka hezituar të përfshihet në këto bisedime, opozita është treguar e përmbajtur duke shprehur dyshime se Beogradi do të përpiqet që dialogun ta orientojë kah bisedimet për veriun dhe rregullimin e brendshëm të shtetit të Kosovës.


Por, udhëheqësi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me delegacionin e Kosovës, Borisllav Stefanoviq, tha të mërkurën se në bisedimet me Prishtinën, ekipi i Beogradit, “i mbahet Kushtetutës dhe rezolutave të Kuvendit” dhe se në asnjë mënyrë nuk e pranon pavarësinë e Kosovës.

Duke u përgjigjur në një pyetjeje të deputetes së Partisë Radikale Serbe, Vjerica Radeta, se kush e ka autorizuar ekipin e Beogradit, që mund të bisedojë për ndarjen e Kosovës, Stefanoviq tha në Kuvend se ndarja e Kosovës është vetëm njëra nga temat, për të cilën Beogradi është i gatshëm të bisedojë dhe se rezoluta e Kuvendit të Serbisë për Kosovën, jep mjaft hapësirë për këtë, raporton agjencia beogradase, Beta.

“Kur themi se jemi të gatshëm të merremi vesh për të gjitha, kjo nuk do të thotë se jemi të gatshëm të merremi vesh për çështjet që e shkelin Kushtetutën tonë”,
tha Stefanoviq.

Sipas tij, bisedimet janë “të tilla, që nuk e shkelin interesin, por që japin një qasje krejtësisht të re dhe se për këtë Beogradi e ka mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare”.

Stefanoviq theksoi se qëndrimi i delegacionit të Serbisë lidhur me çështjen e statusit është i qartë, por ekzistojnë dallime të mëdha ndërmjet Prishtinës e Beogradit për çështjen e statusit dhe definimin e procesit të bisedimeve.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG