Ndërlidhjet

A do të luhet eliminatorja Shqipëri-Rumani në Prishtinë?


Kombëtarja e Shqipërisë
Kombëtarja e Shqipërisë
Krijimi i kushteve infrastrukturore në stadiumin e Prishtinës sipas kritereve të FIFA-s dhe UEFA-s për ndeshjet eventuale ndërkombëtare, është vështirë të arrihet brenda pak muajve, vlerësojnë zyrtarët e Ministrisë së Kulturës dhe ata të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ata nuk e fshehin dëshirën që kërkesat e Federatës Shqiptare të Futbollit, që në Prishtinë të luhen ndeshjet ndërmjet Shqipërisë e Francës dhe Shqipërisë e Rumanisë, të cilat janë në kuadër të eliminatores për kampionatin evropian “Evropa 2012”, të realizohen.

Megjithatë, ata shprehen skeptikë se një gjë e tillë do të ndodhë. Heroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, thotë se janë tri barriera, të cilat paraqesin problem për mundësinë e zhvillimit të këtyre ndeshjeve.

“Duhet së pari një intervenim i shpejtë, për një afat shumë të shkurtër në infrastrukturë, në çka jam pak skeptik se mund të arrihet. E dyta, është kushti ligjor. Federata Shqiptare duhet të caktojë lokacionin ku zhvillohet ndeshja së paku 60 ditë më parë, me sa di unë, dhe duhet ta dërgojë në UEFA. Pastaj, vjen komisioni i posaçëm që të shohë nëse plotësohen ato kritere”.

“Është edhe një problem pak politik, sepse zakonisht merret pëlqimi i federatës dhe jo i shtetit. Do të thotë, federata e kërkon nga federata e jo nga shteti. Ne nuk jemi të pranuar ende në FIFA dhe UEFA”,
thotë Salihu për Radion Evropa e Lirë.

Malësor Gjonbalaj, këshilltar i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, thotë se ky institucion po i shqyrton mundësitë që një stadium të futbollit ta funksionalizojë për gara evropiane. Por, sipas tij, mundësitë buxhetore janë tejet të kufizuara që një gjë e tillë të ndodhë shpejt.

“Është dëshirë që ta shohim kombëtaren e Shqipërisë të luajë në Prishtinë. Ne do të japim maksimumin, në mënyrë që të gjejmë ndonjë zgjidhje, që të paktën të bëjmë ndonjë investim në stadiumin e qytetit”.

“Megjithatë, duke iu referuar buxhetit, të cilin e ka Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ai është një buxhet, i cili na pamundëson një intervenim të tillë financiar. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se interesimi ynë do të zbehet dhe se ne nuk do të zhvillojmë negociata, çfarëdo qofshin ato”,
zotohet Gjonbalaj.

Federata Shqiptare e Futbollit ka thënë se ndeshja Shqipëri-Francë, që zë vend në shtator, do të luhet në stadiumin “Qemajl Stafa” në Tiranë, meqë për këtë është paralajmëruar Federata Franceze që më parë. Por, mbetet e diskutueshme se ku do të zhvillohet loja ndërmjet Shqipërisë dhe Rumanisë, më 11 tetor.

Salihu, edhe pse skeptik, shpreson që kjo ndeshje të luhet në Prishtinë.

Ne duhet të shpresojmë, sepse, me sa di unë, janë duke u bërë lëvizje të shumta për t’u gjetur mjetet që të intervenohet në infrastrukturë. Sa u përket çështjeve tjera, besoj se Federata Shqiptare ka mundësi të ndikojë që ndeshja të zhvillohet (në Prishtinë)”.

Fundja, edhe ‘Qemajl Stafa’ nuk e ka pasur infrastrukturën aq të pëlqyer, por, siç thotë populli, UEFA ‘ka shikuar me një sy’. Kriteret minimale, në qoftë se punohet në dy turne, mund të arrihen. Do të ishte dobi e gjithanshme. Por, t’ju them të drejtën, unë jam pak skeptik se mund të arrihet kjo”, shprehet Salihu.

Ndërkaq, Gjonbalaj thotë se pavarësisht asaj nëse do të luhet ose jo ndeshja Shqipëri-Rumani në Prishtinë, nevoja për një stadium që i plotëson kriteret e UEFA-s, është më se e pashmangshme për vendin.

“Çështja e zhvillimit ose jo të aktivitetit është çështje e Federatës së Futbollit të Shqipërisë dhe e normativave të UEFA-s... Mirëpo, edhe po të mos e parashtronte Shqipëria kërkesën, që të luhet ndeshja në stadiumin e qytetit (Prishtinë), qëllimi ynë është që t’i gjejmë format e mundshme që ta funksionalizojmë atë stadium”, thotë Gjonbalaj.

Ndeshjet e futbollit me Francën dhe Rumaninë janë takimet e vetme ku Shqipëria do të luajë si nikoqire deri në fund të këtij cikli eliminator.
XS
SM
MD
LG