Ndërlidhjet

A u keqpërdorën 4 milionë euro në MSH?


Lënda e dërguar në EULEX
Lënda e dërguar në EULEX
Objekti i Institutit të Radioterapisë dhe Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka filluar të ndërtohet në vitin 2004, ndërsa ende nuk i ka përmbushur kushtet e parapara teknike. Rrjedhimisht, ai është jashtë përdorimit.

Gjatë hulumtimeve të bëra lidhur me këtë objekt, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë vlerësuar se ndërtimi i tij është përcjellë me shumë parregullsi. Sipas tyre, janë ngritur edhe kallëzime penale për disa persona të përfshirë në këtë çështje.

Ilir Tolaj, sekretar permanent në këtë ministri, thotë se bëhet fjalë për keqpërdorim të më shumë se 4 milionë eurove.

“Ndërtesa e Institutit të Onkologjisë ka filluar të ndërtohet në vitin 2004. Që nga fillimi e deri tash, asnjë nga procedurat e kërkuara nuk është respektuar”.

“Objekti ka filluar të ndërtohet pa plan, pa leje ndërtimi dhe pa asnjë kriter që duhet të ketë një objekt, ku duhet të kryhen rrezatime. Deri tani janë shpenzuar mbi 4 milionë euro. Edhe pse një pjesë e aparaturës është blerë në vitin 2005, mbetet ende e pashfrytëzuar”,
thotë Tolaj për Radion Evropa e Lirë.

I pyetur se cilët janë personat, kundër të cilëve është ngritur kallëzimi penal, ai shprehet:

“Mendoj se është herët për emra, por ata ndërlidhen me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë së asaj kohe, si dhe të QKUK-së së asaj kohe. Ata, në një mënyrë ose tjetrën, kanë bërë prerjen e shiritave kinse u inaugurua ky objekt, për t’i mbuluar dështimet rreth tij, që kanë qenë evidente”.

Në këtë lëndë, të cilën e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, janë të përfshirë 13 persona me emra dhe mbiemra, dy prej të cilëve janë Pleurat Sejdiu dhe Arben Kutllovci.

Pleurat Sejdiu, sekretar permanent i Ministrisë së Shëndetësisë në kohën kur ka filluar të ndërtohet ky objekt, mohon të ketë qenë i përfshirë në të gjitha këto parregullsi.

Lënda e dërguar në EULEX
“Për herë të parë po dëgjoj për këtë lëndë nga ju. Ky objekt nuk është bërë nga Ministria e Shëndetësisë fare, sepse ne nuk kemi pasur kapacitete për një objekt të tillë. Ne si Ministri e Shëndetësisë dhe unë si sekretar permanent as që e kemi bërë një tender të tillë dhe as që kemi lidhur ndonjë kontratë të tillë. Sa i përket involvimit tim, unë as që kam lidhje me këtë lëndë”,
thotë Sejdiu.

Ky i fundit në lëndë akuzohet për, siç thuhet, “shpërdorim të detyrës zyrtare, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të mjeteve financiare” dhe se “ka iniciuar procedurën e tenderimit të këtij objekti pa respektuar asnjë nga procedurat ligjore”.

Në lëndë gjithashtu thuhet se zoti Sejdiu në vitin 2005 “ka aprovuar përbërjen e një komisioni mbikëqyrës të fazës së parë”, i cili ka qenë, siç thuhet, plotësisht joprofesional.

Zoti Sejdiu ka një shpjegim të vetin për këtë:

”Komisionet i kanë bërë projektet e zyrtarëve nga QKUK-ja, që merren me këtë lëmi. Ato kanë marrë vendime, sepse sekretari nuk merr vendime të tilla. Sa i përket involvimit tim personal, unë nuk kam lidhje me këtë punë, as direkt e as indirekt. Projektet i kanë bërë profesionistët që merren me këtë lëmi”.

Por, zoti Tolaj thotë se gjatë studimit të dokumentacionit, pikërisht njerëzit e përmendur në lëndë janë ata që kanë shpërdorur pozitat zyrtare për përfitime personale.

“Janë bërë lëshime të patolerueshme. Ato kufizohen me dyshime të bazuara për një keqpërdorim serioz. Kjo çështje e përfolur tashmë, është dorëzuar për hetime të mëtejme në prokurori të EULEX-it”, thekson Tolaj.

Onkologu Arben Kutllovci është një tjetër person, emri i të cilit është përfshirë në lëndë. Ai e sheh si të çuditshme këtë ngjarje, të cilën e quan “katrahurë”.

“Është pak e çuditshme që në këtë dosje po përmendet emri im, sepse unë nuk kam qenë kurrë në asnjë komision dhe as nuk kam pranuar asgjë në Institutin Onkologjik - nënshkrimi im nuk është askund. Asnjë vendim nuk ka se unë kam qenë mbikëqyrës në atë objekt”.

“Pasi është kryer instituti kam qenë koordinator për funksionalizim, por kjo është vitin e kaluar e jo në këtë kohë kur flitet. Ne kemi filluar të bëjmë projektin për të funksionalizuar institutin. Dhe, pjesa e kimioterapisë po punon”,
thotë Kutllovci.

Në lëndë shkruan se Kutllovci, “në cilësinë e personit mbikëqyrës të fazës fillestare të këtij projektit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, e ka përkrahur atë, pavarësisht faktit se ka qenë në dijeni se nuk ka projekt të aprovuar për të”.

Blerim Krasniqi, zëdhënës në EULEX, e konfirmon për Radion Evropa e Lirë se lënda në fjalë, tashmë është pranuar nga kryeprokurori i këtij misioni, Johanes Van Vreesvijk, dhe zëvendësprokurorja Linda Hiton.

Javën e kaluar, prokurori i EULEX-it ka pranuar një dosje nga Ministria e Shëndetësisë dhe ajo është dërguar për përkthim. Ende nuk i është bërë ndonjë vlerësim”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, për shkak të peshës që ka lënda në fjalë, shqyrtimi i saj do të marrë kohë.
XS
SM
MD
LG