Ndërlidhjet

logo-print
Analistët politikë vlerësojnë se vendimi i kryetarëve të dy OJQ-ve më të zëshme në Maqedoni, “Zgjohu” dhe “Realiteti”, që menjëherë para zgjedhjeve të përfshihen në listat për deputetë, flet qartë se politika ka vërshuar në çdo pjesë të shoqërisë, duke mos i lënë fare hapësirë mendimit alternativ.

Zemri Elezi, ligjërues i Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Jug-Lindore në Tetovë, thekson se përfshirja e personaliteteve nga sektori civil nuk është praktikë që s`njihet në vendet e zhvilluara demokratike. Mirëpo, ai thotë se në rastin e Maqedonisë, shtrohet pyetja “sa arrin sektori civil të frymojë jashtë logjikës partiake?”.

“Faji nuk duhet kërkuar te shoqëria civile, por faji duhet kërkuar tek ato grupime, të cilat formohen dhe shtrijnë aktivitetin gjoja se për interesa të shoqërisë, më saktësisht për kontrollimin dhe mbikëqyrjen e ushtrimit të pushteteve. Ndërkohë, qëllimi i vetëm i tyre është promovimi i ideve të partive dhe më pas dhe vetë inkorporimi i tyre në hierarkinë e strukturave partiake”,
thekson Elezi.

Por, për Artan Grubin, drejtues i Organizatës “Zgjohu”, vendimi për të vepruar brenda politikës, është edhe një dëshmi për seriozitetin e tij gjatë detektimit të problemeve, me të cilat përballen shqiptarët. Grubi shprehet se tani për të, sfidë paraqet përballja në fushëbetejë për t’i zgjidhur po këto probleme.

“Është koha që për të gjitha ato sfida që i kemi identifikuar në institucionet e vendit, të japim dhe kontributin tonë konkret për zgjidhjen e tyre. Tërë kohën ne i kemi identifikuar, i kemi luftuar, por asnjëherë nuk kemi pasur fuqi konkrete për t’i zgjidhur ato çështje. Tani dëshirojmë që me tërë përvojën, me të cilën disponojmë, të luftojmë për realizimin e tyre brenda institucioneve”, thekson Grubi.

Duke tërhequr një vijë të qartë të veprimit të tij deri më tani si drejtues i organizatës “Zgjohu”, dhe tani e tutje si pjesë e politikës, Artan Grubi deklaron:

“Absolutisht, nuk shuhet shoqëria civile shqiptare. Lëvizja Zgjohu edhe pas Artan Grubit në krye, do të funksionojë, ngase ka dëshmuar veprimin e saj me mbi 500 anëtarë dhe është kryesia e kësaj organizate, ajo e cila do të vendosë për vazhdimësinë e veprimit të Lëvizjes Zgjohu”.

Përfaqësues dhe aktivistë të shoqërisë civile vlerësojnë se veprimet e tilla janë të dëmshme për sektorin civil shqiptar, sepse në një farë mënyre përfaqësuesit e OJQ-ve keqpërdorin pozitën e tyre për qëllime politike, ndërsa në kushte normale demokratike OJQ-të funksionojnë në mënyrë të pavarur nga subjektet politike.

Rilind Papraniku, student, njëherësh dhe aktivist i organizatës joqeveritare nga Tetova “Illyricum Libertas”, thekson se dalja në skenë e partive të reja politike shqiptare, me këtë dhe zgjerimi i spektrit politik, duket qartë se ka ndikuar në drojën e partive politike shqiptare më të mëdha, të cilat kanë për synim të marrin dhe simpatinë e votuesve të rinj po përmes simpatisë dhe aktiviteteve të sektorit civil.

“Fakt i dytë është dhe presioni i vazhdueshëm që i bëhet sektorit civil për t'i politizuar ato dhe me këtë dhe të ushtrojë ndikim te kjo pjesë e shoqërisë”
, thotë Papraniku.

Analistët politikë, gjithashtu, theksojnë se largimi i personave nga organizatat është hendikep për vetë sektorin civil shqiptar, sepse ai është shumë i vogël me numër dhe ka ndërmarrë shumë pak iniciativa kundrejt nevojës së shoqërisë shqiptare.

“Në Maqedoni, ne si shqiptarë, ende nuk mund të themi se kemi një shoqëri civile të mirëfilltë, shoqëri civile të intelektualizuar e modernizuar konform demokracisë parlamentare. Thjesht, kjo pasqyron papjekurinë tonë si shoqëri ndaj konceptit të demokracisë”, vlerëson Zemri Elezi, ligjërues i Shkencave Politike në UEJL.
XS
SM
MD
LG